Kërko

Shkolla 'Cor Jesu' për festën e Pavarësisë së Kosovës në "Don Bosko" në Gjilan

Shkolla "Cor Jesu", nga Shkodra, e Motrave Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, të rinj, mësues e përfaqësues të kulturës dhe arsimit, për të ndarë gëzimin e festës së 17 shkurtit, vizitoi Prizrenin, Prishtinën dhe Gjilanin, ku morën pjesë në një aktivitet kulturor, artistik e atdhedashurie të organizuar me rastin e 17 Shkurtit, në Qendrën Don Bosko.Pjesëmarrja në këtë festë nuk qe vetëm një paraqitje artistike, por një dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore dhe kombëtare.

R.SH. / Vatikan

Shkolla jopublike "Cor Jesu" nga Shkodra, që drejtohet nga Kongregata e Motrave Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, përbërë nga të rinj, mësues e përfaqësues të kulturës dhe arsimit të udhëhequr nga drejtoresha Motër Majlinda Topalli, për të bashkëndarë gëzimin e festës së 17 shkurtit me kosovarët, vizitoi Prizrenin, Prishtinën dhe Gjilanin, ku morën pjesë në një aktivitet kulturor, artistik e atdhedashurie të organizuar me rastin e 17 Shkurtit, në Qendrën Social Edukative Don Bosko, që drejtohet nga Salezianët. Po të ndjekim dëshminë e drejtoreshës së shkollës "Cor Jesu"  Motër Majlinda Topalli:

Motër Majlinda Topalli

Shkolla 'Cor Jesu' nga Shkodra në festën e 17 Shkurtit në Qendrën Social Edukative "Don Bosko" në Gjilan.  17 Shkurti është një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Kjo ditë shënon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, një moment i shumëpritur dhe arritur pas sakrificave të mëdha, që këtë vit kremton 18-vjetorin e saj. Për çdo shqiptar, kudo që jeton, kjo ditë përfaqëson lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë në vendin e vet.

Për ne, si shkollë nga Shqipëria, kjo festë ka një domethënie të veçantë, sepse Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranë Kosovës, në ditët e vështira dhe në ato të gëzimit. Me rastin e kësaj feste shtetërore, vizita e Shkollës ‘Cor Jesu’ nga Shkodra filloi në qytetin historik të Prizrenit, duke vazhduar më pas në Gjilan. Në Prizren, nxënësit dhe mësuesit patën mundësinë të ndiejnë nga afër frymën e historisë dhe kulturës së pasur të Kosovës, ndërsa në Gjilan u bënë pjesë e një aktiviteti kulturor të organizuar për nder të 17 Shkurtit në Qendrën Social Edukative Don Bosko.

Ky aktivitet mblodhi së bashku të rinj, mësues dhe përfaqësues të kulturës dhe arsimit, duke e kthyer festën në një manifestim të bukur kulture, arti dhe atdhedashurie. Shkolla ‘Cor Jesu’, së bashku me ansamblin e saj, mori pjesë në program me një performancë vallesh, duke sjellë në skenë gjallëri, emocion dhe krenari kombëtare. Veçanërisht prekëse ishte performanca e vallëtarëve me këngën “O sot ka festë Kosova”, e cila u prit me duartrokitje të ngrohta dhe me emocione të thella nga të pranishmit.

Pjesëmarrja jonë në këtë festë nuk ishte vetëm një paraqitje artistike, por një dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore dhe kombëtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria ka qenë historikisht një mbështetje e palëkundur për Kosovën, duke qëndruar pranë saj në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Sot, kjo mbështetje vazhdon përmes bashkëpunimeve kulturore, arsimore dhe vëllazërore, siç ishte edhe kjo vizitë e shkollës sonë. Vizita përfundoi në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, për të vazhduar më pas drejt Shkodrës, me zemra të mbushura plot emocione dhe kujtime të bukura.

Kjo përvojë forcoi edhe më shumë ndjenjën e përkatësisë sonë kombëtare dhe na kujtoi se, pavarësisht kufijve administrativë, ne jemi një komb me një histori, gjuhë dhe ideale të përbashkëta. 17 Shkurti mbetet një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët. Përmes pjesëmarrjes sonë në këtë festë, ne si shkollë nga Shqipëria, ripohuam se lidhja mes dy vendeve tona është e fortë, e sinqertë dhe e përjetshme. Kosova dhe Shqipëria do të ecin gjithmonë krah për krah, në rrugën e zhvillimit, paqes dhe së ardhmes së përbashkët.

17 shkurt 2026, 10:54