Shën Françesku i Asizit: filloi dje nderimi i eshtrave të shenjtit
R.Sh. Vatikan
"Është përnjëmend e vërtetë që Shën Françesku jeton! Mijëra njerëz, në atmosferë meditimi por edhe gëzimi, u përshkuan nëpër dyert e bazilikës për të nderuar mbetjet mortore të Shën Françeskut dhe për ta dëgjuar këtë shenjt si u pëshpëritë zemrave të tyre një fjalë mirësie që i mbështet dhe i nxit të ecin para. Një shenjë e prekshme e këtij gëzimi të qetë dhe kremtues është heshtja që ka rënë në bazilikë: pa telefona celularë, pa selfie, vetëm emocione të thella dhe përshpirtëri. «Një falënderim i përzemërt për të gjithë ata që erdhën, që e duan Françeskun dhe që bashkëpunojnë me ne fretërit për ta bërë këtë rast një moment të vërtetë vëllazërie.» Kështu u shpreh françeskani Giulio Cesareo, drejtor i Zyrës së Komunikimit të Kuvendit të Shenjtë të Asizit, në fund të ditës së parë të shfaqjes publike të mbetjeve mortore të Shën Françeskut, e cila filloi dje në kishën e poshtme të Bazilikës së Shën Françeskut në Asizit.
Qysh në çastet e para shtegtarët u vunë në rresht, në heshtje, për të nderuar reliket. Mesatarja e numrit të vizitorëve në kishën e poshtme ishte afërsisht 1,500 vetë në orë. E në të vërtetë, numri i përgjithshëm i shtegtarëve që u mblodhën në lutje para eshtrave të Shenjtit qe mjaft i madh. Të gjithëve iu dha një broshurë e hartuar për të shoqëruar procesin e nderimit. Shifrat, shpjegojnë autoritetet e Kuvendit të Shenjtë të Shën Françeskut, janë ato të një "Jubileu të madh Françeskan": të gjitha biletat për ditën e parë u shitën, duke konfirmuar atë që pritej – një numër rreth 18,000 vetësh që hynë në kishën e poshtme të Bazilikës për t'i bërë homazhe Shenjtit të Asizit.
Dje në mëngjes, në kremtimin solemn të orës 11:00, kryesuar nga kardinali Ángel Fernández Artime, legat papnor për bazilikat papnore të Asizit, dhe që u transmetua në Rai1 si pjesë e programit "A sua imagine", morën pjesë qindra besimtarë, aq sa u arrit kapaciteti i plotë. Dëftimi i eshtrave të shën Françeskut i cili do të vazhdojë deri më 22 mars, dhe nisma të tjera të këtij tetëqindvjetori françeskan, mbështeten gjithashtu nga Komisioni Kombëtar për Kremtimet e 800-vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut, kryesuar nga poeti Davide Rondoni.