Kërko

Në foto: Politikanë dhe funksionarë të SHBA mbledhur për fjalimin e D. Trumpit rreth «Gjendjes në vend», më 24 shkurt 2026. (2006, Getty Images) Në foto: Politikanë dhe funksionarë të SHBA mbledhur për fjalimin e D. Trumpit rreth «Gjendjes në vend», më 24 shkurt 2026. (2006, Getty Images)

SHBA: tetëmbëdhjetë ipeshkvij shprehin shqetësim për politikat e emigracionit

Në një letër drejtuar organeve më të larta shtetërore, ipeshkvijtë amerikanë, disa prej të cilëve drejtojnë dioqeza në kufirin me Meksikën, kërkojnë që reforma në zhvillim e sipër "të respektojë të drejtat dhe dinjitetin e individëve".

R.SH. Vatikan

Respektimi i të drejtës për të kërkuar azil në kufi, mbrojtja e "vendeve të rëndësishme për jetën", mbështetja e atyre që kontribuojnë për të mirën e kombit, mbajtja e familjeve emigrante së bashku, rivendosja dhe garantimi i një procesi të rregullt ligjor, ndalimi i përdorimit të taktikave për të frikësuar dhe për të mbjellë panik ndër bashkësi të ndryshme, zbatimi i standardeve të paraburgimit duke treguar dhembshuri për njerëzit që janë më të cënueshëm dhe financimi i programeve të riintegrimit për të dëbuarit: këto janë tetë pikat e letrës që tetëmbëdhjetë ipeshkvij amerikanë  – shumë prej të cilëve drejtojnë dioqeza në kufi me Meksikën – publikuan më 24 shkurt për të përsëritur qëndrimin e Kishës Katolike mbi politikat e tashme të emigracionit dhe për të bërë propozime, në një kohë, kur Kongresi dhe administrata po shqyrtojnë mundësi për ndryshimin e mënyrës se si zbatohen ligjet e emigracionit.

Mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave të emigrantëve

Ipeshkvijtë amerikanë shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me ndikimin e veprimtarive të fundit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare për zbatimin e ligjit mbi emigracionin kundër individëve dhe familjeve që nuk kanë status ligjor në SHBA.

«Ndërsa njohim të drejtën dhe detyrën e një kombi sovran për të zbatuar ligjet e veta, "ne besojmë se këto ligje duhet të respektohen në një mënyrë që mbron dinjitetin dhe të drejtat e dhëna nga Zoti njeriut» – shprehen prelatët amerikanë. Rekomandimi i parë është të respektohet e drejta për të kërkuar azil në kufirin SHBA-Meksikë, e cila për fat të keq shpesh mohohet.

Kjo e drejtë, shkruajnë ata, "është një pjesë e pamohueshme e sistemit amerikan dhe ndërkombëtar. Mohimi i saj i ekspozon emigrantët kundrejt rrethanave dhe situatave të rrezikshme, ku ka abuzim nga organizatat kriminale". Ipeshkvijtë gjithashtu kundërshtojnë arrestimin dhe ndalimin e refugjatëve që zbatojnë ligjin dhe që janë pranuar ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Një pikë tjetër veçanërisht e rëndësishme sipas ipeshkvijve amerikanë është mbrojtja e "vendeve të ndjeshme" si kishat, shkollat ​​dhe institucionet e kujdesit shëndetësor nga zbatimi i masave kundër emigracionit, në mënyrë që emigrantët dhe familjet e tyre "të kenë mundësi, pa frikë, të përdorin shërbime të rëndësishme të nevojshme për mirëqenien dhe mbijetesën e tyre", pasi praktikimi i fesë, arsimi dhe kujdesi shëndetësor mbrohen me ligj. Ata konfirmojnë se kanë vërejtur se "anëtarët e grigjës sonë zgjedhin të mos marrin pjesë në Meshë ose të mos marrin sakramentet nga frika e ligjeve kundër emigracionit". Sipas ipeshkvijve, kjo është "një çështje e lirisë fetare, një e drejtë e sanksionuar si në Kushtetutën e SHBA-së ashtu edhe në traktatet ndërkombëtare".

Shtetësi, për të dalë nga hijet

Nënshkruesit tregojnë përdorimin e dëbimeve të përshpejtuara, të arrestimeve pa urdhër arresti ose të urdhëruara nga gjykata, diskriminimit racor, patrullave lëvizëse dhe dhunës fizike kundër emigrantëve: të gjitha praktika që "duhet të ndalohen". Letra gjithashtu rekomandon që  familjet emigrante të mos shpërndahen por të rrinë së bashku – veçanërisht për të shmangur tronditjen tek fëmijët – duke i lejuar këto familje, sa më shumë të jetë e mundshme, të qëndrojnë së bashku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër, atyre që kontribuojnë për të mirën e kombit dhe që i binden ligjit duhet t'u jepet mundësia të «dalin nga “hija” dhe të marrin shtetësinë, duke u bërë anëtarë të plotë të kombit».

Ipeshkvijtë, ndërsa i kërkojnë qeverisë të ndihmojë në zbutjen e shkaqeve rrënjësore të emigracionit pa dokumente – mungesa e zhvillimit ekonomik, ndryshimi i klimës, konflikti dhe pasiguria në vendet e origjinës – u zgjasin dorën autoriteteve amerikane për të "krijuar një sistem emigracioni që jep siguri publike, mbron të drejtat e njeriut, promovon rritjen ekonomike dhe drejtësinë si «dhe mbështet traditën tonë si një komb emigrantësh».

27 shkurt 2026, 12:31