Sagrada Família, përfundohet kryqi i kullës së Jezu Krishtit
R.SH. / Vatikan
Me instalimin e krahut të sipërm të kryqit të kullës së Jezu Krishtit, që u përfundua në Barcelonë më 20 shkurt 2026, Sagrada Família kreu punimet e jashtme në kullën qendrore, më të lartën e Tempullit. Puna, në brendësi të strukturës, do të vazhdojë gjatë gjithë viteve 2027 dhe 2028. Elementi, me përmasa 4.5 x 4.5 x 4.9 metra, tani bëhet pika më e lartë e bazilikës katalanase. Instalimi i tij plotëson ansamblin e gjashtë kullave qendrore të Sagrada Família.
Një citat nga Albumi i Katërt i Tempullit Shlyes të Sagrada Família, 1927-1929, përshkruan vizionin simbolik të veprës:
"Me pamje nga katër kolonat shumë të larta të transeptit, do të ngrihet feneri i madh, i kurorëzuar në 176 metra nga një kryq madhështor me katër krahë të valëzuar, nga të cilët mund të kundrohet panorama. Agnus Dei do të vendoset në qendër".
Kulla qendrore: struktura e karakteristikat
Kulla e Jezu Krishtit është në qendër të kompleksit të kullave të Bazilikës spanjolle Sagrada Família. Rrethohet nga katër Kulla Ungjillore, secila e lidhur me kullën qendrore nga një urë, dhe nga Kulla e Virgjëreshës Mari, e lidhur nga brenda me Kullën e Jezu Krishtit. Kulla ka plan dymbëdhjetë anësh dhe lartësi totale prej 172.5 metrash. Përbëhet nga 12 nivele panelesh, ndërtimi i të cilave filloi më 16 tetor 2018, në një lartësi prej 85 metrash. Panelet u realizuan duke përdorur një sistem ndërtimi prej guri të para-stresuar e duke kombinuar gurin dhe çelikun. Kjo zgjidhje lejoi që elementët të parafabrikoheshin jashtë Tempullit, pastaj të transportoheshin dhe të instaloheshin në shtresa në një datë të mëvonshme. Paneli i fundit u përfundua më 4 dhjetor 2024, duke arritur një lartësi prej 142.5 metrash.
Baza e majës së kullës, që përmban mbishkrime, të cilat lavdërojnë Jezu Krishtin, "Tu solus Sanctus, tu solus Dominus, tu solus Altissimus" ("Vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti, vetëm Ti je i Tejetlarti"), është bërë me qeramikë të bardhë me xham dhe tullë, rrethuar nga palma. Kulla, ndërtimi i së cilës filloi në maj 2025, është 29 metra e lartë. Kurorëzohet nga një kryq tre-dimensional me katër krahë, i veshur me xham dhe qeramikë të bardhë. Numëron 17 metra lartësi dhe 13.5 metra gjerësi. Elementi i parë i kryqit, krahu i poshtëm, u instalua më 27 tetor 2025, duke arritur në një lartësi prej 162.91 metrash.
Montimi i kryqit
Kryqi u prodhua në Gjermani gjatë vitit 2025 dhe më pas u montua pothuajse tërësisht në Sagrada Família. Qeramika e bardhë me xham, struktura e brendshme prej guri dhe dritaret me xham të pikturuar u prodhuan në fabrika dhe punishte të ndryshme, në Katalonjë. Të mbërritura nga Gjermania në module, u para-montuan në një platformë pune të vendosur 54 metra mbi navatën qendrore.
Elementet u ngritën së bashku në shtatë pjesë: krahu i poshtëm, bërthama qendrore, katër krahët anësorë dhe krahu i sipërm, i cili u instalua më 20 shkurt 2026. Brenda krahut të sipërm, në pikën më të lartë, do të jetë skulptura e Agnus Dei, krijuar nga artisti italian Andrea Mastrovito. Qengji që Gaudí donte të vendoste në qendër të kryqit, do të jetë kështu krejtësisht i dukshëm brenda vetë kryqit.
Në 100-vjetorin e Gaudí-t
Përfundimi i Kullës së Jezu Krishtit përkon me 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudí, ngjarje historike për Sagrada Família dhe homazh për arkitektin e saj. Me rastin e këtij përvjetori, do të organizohen ngjarje përkujtimore, programi i të cilave mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit të 100-vjetorit. Siç deklaroi Kryearkitekti Jordi Faulí: "Përfundimi i kryqit të Kullës së Jezu Krishtit përfaqëson shumë më tepër sesa përfundimin e një faze ndërtimore: është rezultat i viteve të tëra pune dhe studimi të trashëgimisë së Antoni Gaudí-t. E edhe angazhim konkret për të ardhmen, për ta bërë të mundur përfundimin e Sagrada Família-s".