Kërko

Asizi Asizi

Paqja bërthamore është e mundshme: flitet për të në Asizi

Nga Asizi, në tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, niset një thirrje drejtuar të krishterëve dhe jo të krishterëve për kthesë e paqe bërthamore. Me thirrjen e Papës Leoni XIV: "Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse".

R.SH. / Vatikan

Nesër, më 24 shkurt, në Asizi, Qytet i Paqes, në Sallën e Zhveshjes së Shën Françeskut, do të diskutohet për ardhmërinë e Planetit tonë, gjithnjë të rrezikuar nga armët bërthamore. Duke nisur nga ora 10:00 e paradites, do të mbahet Seminari Ndërkombëtar për Paqen Bërthamore, i organizuar nga Qytetërimi i Dashurisë dhe Forumi Strategjik i Asizit. Do të marrin pjesë kardinaj e ipeshkvij (Hiroshima dhe Asizi), ekspertë bërthamorë nga SHBA-ja, Rusia dhe Italia.

Dëshmitarë të Paqes

Komiteti për Qytetërimin e Dashurisë dhe Forumi Strategjik i Asizit, përfaqësues të shoqatave kulturore dhe të shoqërisë civile, ripohojnë nevojën për një angazhim të përbashkët të krishterëve dhe jo të krishterëve, për çarmatimin bërthamor dhe shndërrimin pasues të armëve atomike në energji të dobishme për njerëzimin.

Është e nevojshme të fillojmë përsëri nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (çarmatim bërthamor për të gjithë); qëllimi është të ruhet dialogu për të arritur paqen bërthamore, duke synuar bashkëpunimin dhe jo konkurrencën drejt Qytetërimit të Dashurisë, gjithnjë e më të nevojshëm për mbarë njerëzimin.

Me forcën e Fesë dhe të mjeteve jo të dhunshme, ne mund e duhet të angazhohemi për paqe, por para së gjithash, për paqen bërthamore, duke zbatuar të vetmet mjete konkrete në dispozicion të njerëzimit për të shkatërruar armët bërthamore një herë e përgjithmonë. Kjo është e mundur vetëm përmes shndërrimit, në reaktorët bërthamorë ekzistues, të uranit e të plutonit - elementët bazë të çdo bombe atomike - në energji, e cila është gjithnjë e më e nevojshme për jetën dhe të ardhmen e planetit tonë.

23 shkurt 2026, 12:51