Kërko

US launches airstrike on ISIS militants in Nigeria

Nigeri: Lirohen nëntë të rinj të rrëmbyer në një Kishë katolike

Një operacion i përbashkët i policisë dhe i grupeve lokale të mbikëqyrjes i dha fund rrëmbimit të nëntë të rinjve i cili ndodhi javën e parë të shkurtit në Kishën e Shën Gjonit, në shtetin Benue. Të rinjtë janë jashtë rrezikut dhe për ta po kujdesen shpëtimtarët e tyre.

R.Sh. Vatikan

Nëntë të rinj, që u patën rrëmbyer javën e parë të shkurtit gjatë një vigjiljeje lutjeje natën në Kishën Katolike të Shën Gjonit në shtetin Benue të Nigerisë u liruan të shtunën nga një operacion i përbashkët i forcave qeveritare të sigurisë dhe grupet lokale të mbikëqyrjes.

Trajtimi dhe ndihma

"Pengjet që u shpëtuan, gjashtë vajza dhe tre djem, aktualisht po marrin trajtim mjekësor," tha dje Solomon Iorpev, këshilltar teknik i guvernatorit të shtetit Benue, kur bëri të ditur lajmin. Rrethanat e lirimit të tyre nuk janë zbuluar. Shpagimi i pengjeve është i ndaluar me ligj në Nigeri, por shumë vëzhgues ndërkombëtarë besojnë se kjo metodë përdoret.

Edhe një rrëmbim tjetër

Nga ana tjetër, në Nigerinë qendrore ndodhi një tjetër rrëmbim. Kjo trevë është vend i përplasjeve të dhunshme ndërmjet fermerëve dhe barinjve që konkurrojnë për kontrollin e tokës dhe burimeve natyrore. Rajoni po përballet me një rritje të rrëmbimeve për shpagim, rrëmbime që kryhen nga grupe të armatosura të njohura zakonisht si "banditë". Përballë kësaj vale dhune në shtetin më të populluar të Afrikës, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, presidenti nigerian Bola Tinubu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe filloi rekrutimin e ushtarëve dhe të oficerëve të policisë për të vendosur rendin, por deri më tani, masa nuk po jep rezultatet e dëshiruara.

Dhunë pa cak

Ndërkohë, sot në shtetin Borno, ushtria qeveritare njoftoi se kishte zmbrapsur disa sulme të njëkohësishme të militantëve islamikë që thuhet se u morën jetën disa ushtarëve. Në Borno, kryeqendra e kryengritjes 17-vjeçare islamiste të Nigerisë, luftëtarët e Boko Haramit dhe Shteti Islamik i Provincës së Afrikës Perëndimore (ISWAP) i kanë shtuar sulmet kundër ushtarakëve dhe civilëve.

16 shkurt 2026, 15:49