Pajtimi Pajtimi

Nga tundimet e shkretëtirës, tek rilindja në Zotin

Kreshmët janë kohë e favorshme për t’u kthyer me gjithë zemër tek Zoti, që na hap udhën e ndritur të jetës së pasosur.

R. SH. - Vatikan

Kreshmët na e tregojnë lakuriq shëmtimin e mëkatit e na ndihmojnë ta pranojmë gabimin. Por jo vetëm kaq. Na ngjallin edhe besimin e sigurt në dashurinë e Zotit, që fal. Fal gjithnjë.

E Diela e Parë e Kreshmës na çon në shkretërirë, pas Jezusit të tunduar  për ne, në vendin tonë! Pas Zotit, që nuk e pranon joshjen e pushtetit, të pasjes, të dukjes! E që na kujton se për ta mundur çdo tundim,  duhet të lutemi, të dëgjojmë Fjalën e Zotit e të kemi besim të plotë në vullnetin e Tij. (Mt 4, 1.-11)

Ungjijtë e të dielave të mëpasme na paraqesin figurën simbolike të shpërblimit  njerëzimit  të etur për të vërtetën,  të shndritur e të ringjallur  nga drita e dashurisë së Zotit.

Samaritanja (Gjn 4,5-42), na bën të kuptojmë sa lehtë është të biem në mëkat, kur ecim në rrugë të gabuara. Duke na kujtuar edhe se atij, që di t’ia hapë zemrën, Zoti i jep hirin ta kuptojë gabimin. E etjen për të pirë ujin e jetës së pasosur.

I verbëri i lindur (Gjn 9,1-42) është njeriu, që jeton në errësirë, ndonëse  i pafaj e në kërkim të dritës, të së Vërtetës. Takimi personal me Jezusin ia dhuron pikërisht këtë dritë, aq shumë të kërkuar! Dritën e Zotit.

Lazri (Gjn 11,1-45), është figura e Lumnisë së Jezusit që, duke flijuar jetën mbi Kryq e duke u ngjallur prej të vdekurve, i jep jetën e pasosur njerëzimit të stërmunduar nga mëkati e nga vdekja.

Çdo i krishterë, duke ndjekur Jezusin, duhet të bëjë të njëjtën udhë, që bëjnë personazhet e Ungjillit, duke shuar etjen në dëgjimin e Fjalës së Zotit e duke u mbushur me dritë, nën rrezet e dritës së Tij.

Ta mirëpresim, pra, këtë Kohë të favorshme! Ta shuajmë etjen me shenjat sakramentore të saj! T’ia hapim zemrën hirit. Të provojmë, në historinë e çdo dite, forcën e pathyeshme të Zotit, fitoren e tij mbi mëkatin tonë, që na hap udhën e ndritur të jetës së pasosur.

 

 

22 shkurt 2026, 11:12