Meksikë, meshtari flet kundër karteleve: "Politika dhe shoqëria janë të infektuara nga droga."
R.Sh. Vatikan
Edhe pse vonë mbrëmjen e djeshme, guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus, hoqi kodin e kuq i cili u pat vendosur për shtetrrethimin dhe pezullimin e të gjitha veprimtarive pas dhunës që shpërtheu në të gjithë vendin kur policia vrau bosin e drogës Nemesio Oseguera Cervantes-in, kjo nuk do të thotë se normaliteti është kthyer në Meksikë. Për ta kuptuar këtë, mjafton të vërejmë se dje anija e marinës luftarake «Usumacinta» zbarkoi 103 këmbësorë dhe disa automjete të blinduara: objektivi është forcimi i sigurisë në bregdetin e Paqësorit.
Shtete të tjera të prekura
Meksika është një republikë federale e përbërë nga 31 shtete. Kështu sulmet, bombardimet dhe të shtënat janë shumëfishuar ditët e fundit edhe në shtete të tjera si: Michoacán, Guanajuato, Zacatecas dhe disa zona me popullsi të dendur të Meksikës. Një valë dhune që, sipas raporteve të fundit, ka shkaktuar vdekjen e 25 anëtarëve të ushtrisë dhe Gardës Kombëtare si edhe të 70 anëtarëve të kartelit kriminal.
Angazhimi i qeverisë
"Si ndodhi e gjithë kjo? Para së gjithash, sepse karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s, i udhëhequr nga Osegura Cervantes, me nofkën "El Mencho", e kishte zgjeruar pushtetin e tij në 21 shtete në vend dhe 70 vende në të gjithë botën", shpjegoi për mediat e Vatikanit atë Sergio Omar Sotelo Aguilar, meshtar, gazetar dhe drejtor i Qendrës Katolike Multimediale. Ai është angazhuar prej vitesh në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, prandaj edhe është kërcënuar dhe sulmuar nga vetë bosët e drogës. "Për njëfarë kohe," shtoi ai, "qeveria federale ka luftuar për të frenuar përparimin dhe forcimin e organizatave kriminale, megjithatë pushteti i tyre ka arritur të depërtojë në disa administrata politike dhe organe të tjera publike."
Presioni i shoqërisë civile
Vitet e fundit, dëshmon meshtari, presioni i opinionit publik dhe i qeverisë së Shteteve të Bashkuara i ka dhënë hov lëvizjes për të luftuar veprimtarinë e kundërligjshme, gjë që çoi në operacione si ky, ku u eliminua "El Mencho". Por prapë nuk është e mjaftueshme: "Krimi i organizuar është rritur dhe është jashtëzakonisht i fortë; pushteti i tij është i tillë që ka shtete që praktikisht qeverisen nga kartelet. Fuqia ushtarake dhe ekonomike e trafikut të drogës ka përcaktuar normat e veta të qeverisjes, strukturat e veta ekonomike dhe ka imponuar një kulturë që promovon trafikimin e drogës si mënyrë jetese."
Kisha e përfshirë
Narkoekonomia, narkopolitika dhe narkokultura që përshkojnë sektorë të gjerë të jetës shoqërore të komunitetit, nuk e kanë kursyer as Kishën lokale. "Kjo vërehet," përmendi atë Sotelo Aguilar, "nga rritja e sulmeve kundër atyre që janë me Kishën, kundër famullive dhe institucioneve të saj. Megjithatë, sot më shumë se kurrë, veprimi baritor është më i fortë dhe më në përputhje me shpalljen e Ungjillit. Kuptohet, ekziston frika e dhunës, por ekziston edhe një besim i palëkundur që e nxit dhe e çon para veprimtarinë baritore."
Veprime konkrete
Një shembull konkret i këtij angazhimi është "Dialogu për Paqen", një lëvizje që ka lindur nga institucionet kishtare dhe shoqëria civile, e cila synon të nxisë opinionin publik të gjejë rrugë kohezioni dhe paqëtimi. "Në mënyrë të ngjashme, organizata si «Qendra Katolike Multimediale», drejtor i së cilës jam unë – tregon atë Sotelo Aguilar – kanë demaskuar për vite me radhë dukurinë e dhunës, veçanërisht kundër anëtarëve të Kishës, me qëllim ndërgjegjësimin për një dukuri që po dëmton shoqërinë në tërësi dhe që duhet të zhduket. Nga ana e saj, Konferenca ipeshkvnore meksikane, përmes njoftimeve për shtyp, ka filluar të denoncojë krejt drejtpërdrejt, dëmin e tmerrshëm që po shkakton trafiku i drogës dhe krimi i organizuar.
Rreziqe të pamohueshme
Sidoqoftë, atë Sotelo Aguillar është i vetëdijshëm për një të vërtetë tjetër therëse: "Vendi im është bërë një vend i rrezikshëm për gazetarët dhe meshtarët, si edhe për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut. Si meshtar dhe gazetar, kam para meje një detyrë të madhe: të flas hapur dhe t'u sjell të gjithëve të vërtetën, të vërtetën që çliron dhe jep dinjitet. Lufta për një Meksikë të lirë, paqësore dhe të drejtë do të jetë gjithmonë një privilegj për mua, luftë për të cilin ia vlen të japësh jetën."