Lutja dhe solidariteti konkret i Caritas-it për Ukrainën e martirizuar
R.SH. - Vatikan
U zhvillua në një atmosferë dhimbjeje, shprese dhe solidariteti, të martën, më 24 shkurt, në Katedralen greko-katolike të Ngjalljes në Kiev, iniciativa e lutjes e promovuar nga Caritas Ukraina (Kisha greko-katolike), Caritas-Spes Ukraina (Kisha romake-katolike) së bashku me partnerët e Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjes që kremtohet në përvjetorin e pushtimit rus në shkallë të gjerë të vendit, më 24 shkurt 2022.
Në takim lutjeje morën pjesë kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, nunci apostolik në Ukrainë, monsinjor Oleksandr Yazlovetskyi, president i Caritas-Spes Ukraina, atë Vyacheslav Hrynevych, drejtor ekzekutiv i Caritas-Spes Ukraina, dhe atë Andriy Nahirniak, drejtor për rrjetin dhe identitetin e Caritas Ukraina. Ndërhynë, si me prani fizike si dhe përmes lidhjes online, edhe përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë, së bashku me delegatët e Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, si dëshmi e një rrjeti bamirësie që vazhdon të mbështesë me këmbëngulje popullsinë e goditur nga konflikti, në lutje dhe në veprime konkrete.
Në fillim të momentit të lutjes ndërhyri, përmes një lidhjeje video, sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Alistair Dutton, i cili shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që punojnë në strukturat e Caritas-it në Ukrainë për shërbimin e palodhur dhe besnik me të cilin, në këta katër vjet aq të vështirë, u janë përgjigjur nevojave të popullsisë. «Jam i bindur – pohoi Dutton – se shumë prej nesh e mbajnë mend se ku ndodheshin kur morën lajmin se Rusia kishte pushtuar sërish Ukrainën. Edhe një herë, në kufijtë lindorë të Evropës shpërtheu lufta, dhe miqtë tanë ukrainas, vëllezërit dhe motrat tona, njohën vuajtje të mëdha. Me dhimbje të thellë dhe trishtim kujtojmë këto katër vite lufte në Ukrainë. Askush prej nesh nuk mund ta shprehë plotësisht humnerën e kësaj dhimbjeje, por mund të manifestojmë afërsinë tonë dhe dëshirën tonë për të mbetur pranë jush, në solidaritet». Duke theksuar shpirtin dhe guximin e popullit ukrainas, Alistair Dutton evidentoi se si Caritas-i është një përgjigje konkrete ndaj nevojave të krijuara nga lufta. «Ju jeni Caritas-i i vërtetë – ripohoi ai – dhe jeni një lajm vërtet i mirë për të varfrit, për ata që vuajnë më shumë për shkak të asaj që po ndodh në vendin tuaj».
Edhe sekretarja e përgjithshme e Caritas Europa, Maria Nyman, në emër të organizatës, u siguroi partnerëve ukrainas afërsinë e saj dhe të gjithë rrjetit evropian. «Sot - pohoi ajo në një videomesazh - kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën, shtëpinë, të dashurit e tyre. Lutemi për të gjithë të plagosurit në trup dhe në shpirt. Lutemi për familjet e ndara dhe për ata që, në këto orë të vështira, lëngojnë për paqe. Jemi me ju në lutje. Jemi pranë jush me përkushtim të palëkundur, duke mbështetur bashkëpunëtorët dhe vullnetarët e Caritas-it në Ukrainë».
Nunci apostolik në Ukrainë, kryeipeshkvi imzot Visvaldas Kulbokas, theksoi se Caritas Ukraina dhe Caritas-Spes janë organizatat më aktive në fushën e ndihmës humanitare në vend. Nunci Apostolik theksoi se takimi i lutjes i organizuar nga Caritas-i bashkon dy aspekte: dashurinë aktive dhe lutjen. «Është shumë e rëndësishme - tha ai - të kemi një ditë që bashkon lutjen e të gjithë ne». Prandaj imzot Kulbokas ftoi për t’u lutur për ata që jetojnë në territoret e pushtuara, për të burgosurit, për mjekët që punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, për të plagosurit dhe për ata që kanë vdekur në këtë luftë.
Pas momentit të lutjes së përbashkët, ndërhyri Hryhoriy Seleshchuk, zëvendëspresident i Caritas Ukraina. «Djali im mbushi së fundmi 14 vjeç – pohoi ai – dhe e kuptova, papritmas, se ai nuk e mban mend jetën në vendin tonë në paqe. Dhe kjo nuk është normale. Të paktën këtu, në Kiev, ai ka mundësinë të shkojë në shkollë, ndryshe nga gjysmë milioni fëmijë në rajone të tjera të Ukrainës që nuk e kanë këtë mundësi. Kur një i moshuar i vetmuar vdes në apartamentin e tij në shekullin XXI, edhe kjo nuk mund të konsiderohet normale. Ashtu siç nuk është normale që në Kiev më shumë se një milion njerëz kanë mbetur pa ngrohje dhe që dhjetëra mijëra njerëz janë ende sot në këto kushte në Kharkiv, në Dnipro, në Odessa dhe në shumë qytete të tjera». Seleshchuk, duke shprehur shpresën se, pasi të kalohet pragu i katër viteve, lufta mund të arrijë në fund, përfundoi: «Do të dëshiroja të na uroja të gjithëve dhe t’i kërkoja Zotit qëndresën e nevojshme për të vazhduar shërbimin tonë përballë nevojave të pamasë të Ukrainës. Flasim për 11 milionë njerëz të tjerë që ende sot jetojnë në nevojë».
«Sot mendoj për atë që kam takuar gjatë këtyre katër viteve të pushtimit në shkallë të gjerë – theksoi atë Vyacheslav Hrynevych, SAC, drejtor ekzekutiv i Caritas-Spes Ukraina – dhe më vijnë në mendje sytë e shumtë që kam kryqëzuar. Sy që të shikojnë, por nuk e shohin më botën; vështrime që do të dëshiroje t’i ktheje në jetë, por nuk ia del dot, sepse ndihesh i pafuqishëm. Janë sytë e një fëmije të lindur në një stacion metroje në Kharkiv, që shikon dhe ende nuk kupton, por mbase tashmë ndien. Janë sytë e një gjysheje që gjendet në kufi, e shkulur nga toka e saj, pa e ditur më se drejt cilit horizont ta drejtojë vështrimin. Janë sytë e shumtë të cilëve kemi rritur t’u kthejmë shpresën. Sy të lodhur, që kanë të drejtë të qajnë; sy që buzëqeshin, që shprehin mirënjohje, që përqafohen. Por janë gjithashtu, në mënyrë misterioze dhe reale, sytë e Zotit. Janë ata sy që ndërtojnë vërtet shpresën për të cilën sot kemi aq shumë nevojë. Dëshiroj të kujtoj dhe të falënderoj në lutje të gjithë ata që nuk e ulin vështrimin, por e ngrenë atë lart, të vetëdijshëm se aty gjendet forca: Zoti sheh çdo gjë dhe na mbështet me dorën e Tij të fortë»..