Kryeipeshkvi i Beogradit Ladislav Nemet : "Do t'ju tregoj për Serbinë time, e cila tani duhet të dëgjohet."
R.Sh. Vatikan
Serbia shikon drejt Evropës nga Lindja, thotë Ladislav Nemet, kardinali i parë në historinë e Serbisë. Fillimisht misionar në Filipine, pastaj në Poloni, Kroaci dhe Hungari, dhe, në kontakt me zyrat e OKB-së në Vjenë, kryeipeshkvi i Beogradit është dëshmitar dhe simbol i Ballkanit, i cili dëshiron të bëhet nga një tokë e askujt në urë kalimi. Si nënkryetar i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (CCEE), ai është i vetëdijshëm për mandatin e tij si kardinal i katolikëve të Serbisë, "një pakicë e vogël por e besueshme që dëshmon për Ungjillin përmes shërbimit konkret, thellimit të dialogut ekumenik dhe krijimit të hapësirave të besimit në një shoqëri të shënuar nga pasiguria dhe tensionet shoqërore". Bashkë me këtë, prelati ndjen detyrën për të folur si "një zë shprese, jo për pushtetin që zotëron, por për të gjithë shoqërinë serbe".
Si i interpretoni demonstratat dhe tensionet e brendshme të muajve të fundit?
Ato pasqyrojnë një klimë pasigurie të madhe, frikë nga dhuna dhe presioni politik, për të cilin shumëkush mendon se nuk ka vend në shoqëri dhe në botën e punës nëse nuk është besnik i pushtetit. Pikërisht për këtë arsye, besoj se është thelbësore që Kishat – madje edhe në mënyrë ekumenike – të krijojnë hapësira për lirinë e fjalës, për dëgjimin e tjetrit dhe dialogun pa dhunë. Jam shumë i lumtur që shoh që shoqëria në tërësi ka treguar pjekuri të madhe dhe ka shmangur përdorimin e dhunës gjatë protestave të 16 muajve të fundit.
Cila është thirrja evropiane e Beogradit?
Serbia e di se duhet të jetë një urë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe, si një shoqëri shumëetnike dhe shumëfetare, duhet të sjellë përvojën e saj të konfliktit, të pakicave dhe dialogut në projektin evropian, duke kontribuar kështu në një Evropë të pajtuar. Jeta në shtatë vende të Evropës Perëndimore dhe Lindore më ndihmon të kuptoj më mirë frikën dhe shpresat e të dyja palëve dhe të nxis të ndërtohen ura në vend të pengesave të reja.
Evropa është e mbushur me tensione të brendshme, të nxitura nga gjuha e urrejtjes. Si mund t'u kundërvihemi?
Urrejtja e bazuar tek identiteti mund të kapërcehet vetëm nëse politikanët, kishat dhe shoqëria civile punojnë së bashku për të theksuar dinjitetin e barabartë të çdo personi; nëse këto angazhohen në dialog ekumenik dhe ndërfetar kundër të gjitha formave të çnjerëzimit dhe krijojnë pa u ndalur hapësira për takime ku të rrëfehen histori, në vend që të ushqehet armiqësia. Përvoja ime në vende të ndryshme evropiane më ka mësuar se fjalët mund të shërojnë ose helmojnë, dhe se gjuha e qartë por respektuese është hap vendimtar në çaktivizimin e konflikteve.
Si nënkryetar i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (CCEE), ju keni theksuar shpesh rëndësinë e ringjalljes së rrënjëve të krishtera si një mjet kundër mureve dhe prirjeve nacionaliste. A e konsideroni këtë një rrezik konkret?
Mbylljet nacionaliste dhe "muret" e reja janë një rrezik shumë real, sepse zhgënjimet nga Evropa, vështirësitë ekonomike dhe konfliktet e pazgjidhura mund të shndërrohen lehtësisht në legjenda të bazuara tek identiteti dhe feja, të cilat në fund të fundit rëndojnë mbi marrëdhëniet ekumenike. Duke parë realitetet e ndryshme në të cilat kam jetuar, shoh se sa shpejt mund të shfrytëzohen identitetet kombëtare dhe sa e rëndësishme është që Kishat të qëndrojnë së bashku kundër përjashtimit dhe ideve të epërsisë.
Serbia ka qenë një pikë tranziti për migrantët nga Lindja për vite me radhë. Si ndikon kjo në debatin publik dhe angazhimin e Kishës?
Migrimi tranzit e polarizon debatin publik sepse nga njëra anë ngjall shqetësime për sigurinë, ndërsa nga tjetra, bëhen thirrje për solidaritet. Ndërkaq, Kishat – shpesh në mënyrë ekumenike dhe përmes veprave të tyre bamirëse dhe diakonale – mjaft shpesh qëndrojnë përkrah migrantëve, duke ofruar ndihmë konkrete dhe mikpritje, kundër frikës së nxitur qëllimisht. Edhe këtu, unë jam i përkushtuar që të krishterët e besimeve të ndryshme të veprojnë dukshëm së bashku për të ofruar një imazh të ndryshëm të Evropës: jo si fortesë, por si një vend mirëseardhjeje dhe përgjegjësie të ndërsjellë.
Në të njëjtën kohë, po dëshmojmë emigrimin e të rinjve serbë. Si ipeshkëv, çfarë mendoni t’u kërkoni politikanëve?
Nga këndvështrimi kishtar, ndjej se duhet t'u bëj thirrje politikanëve të investojnë për paga të drejta, mbrojtje sociale të besueshme, luftë kundër korrupsionit dhe pjesëmarrje të vërtetë të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që ata të mund ta shohin të ardhmen e tyre në vend dhe jo vetëm në emigracion. Takimet me të rinj nga vende të ndryshme evropiane më tregojnë se sa të ngjashme janë shpresat e tyre dhe sa e rëndësishme është t'u ofrohen atyre perspektiva të besueshme dhe përgjegjësi të përbashkët.
Çfarë do të thotë "pajtim" pas masakrave të viteve 1990?
Pranimi i së vërtetës për krimet dhe vuajtjet, marrja e përgjegjësisë dhe rindërtimi shkallë-shkallë i besimit mes popujve, konfesioneve dhe brezave, në mënyrë që kujtesa të mos përçajë, por të hapë rrugën për mësime të përbashkëta dhe një të ardhme më paqësore. Jeta për vite me radhë në situata të ndryshme kulturore dhe kishtare më bën të kuptoj se sa i vështirë është ky udhëtim, por edhe sa i frytshëm mund të jetë në planin afatgjatë. Në këtë fushë, ne jemi ende larg rezultateve reale. Nacionalizmat e pranishme në territoret tona për fat të keq janë shpesh më të forta se ndjenja e përbashkët e pagëzimit. Anëtarët e Kishave të ndryshme të krishtera janë shpesh nacionalistët më të mëdhenj – për fat të keq, ndonjëherë edhe ndër hierarkinë kishtare.
Cila është shpresa më konkrete e ipeshkvit të Beogradit sot?
Që vendi të dalë nga vorbulla e frikës, kërcënimeve, dhe varësisë politike, dhe që Kishat të ndërtojnë paqen së bashku, në mënyrë ekumenike. Dhe uroj që Serbia të gjejë vendin e saj në një Evropë që nuk mbyllet, por mbështetet në rrënjët e saj të krishtera dhe humaniste. Biografia ime dhe vetë jeta ime, më bindin se ndryshimi është i mundur dhe se hapat e vegjël e të guximshëm të mirëkuptimit të ndërsjellë janë shpesh burimi më i fortë i shpresës.