Kolumbia, thirrja e ipeshkvijve për paqe e pajtim
R.SH. - Vatikan
Me besimin e Kolumbisë ndërmjetësimit të Zojës Rruzare të Chiquinquirá-s, Pajtores qiellore të vendit, e zotimin për ta vijuar ecjen përkrah popullit në kërkim të pajtimit, të drejtësisë dhe të paqes: kështu përfundoi punimet Asambleja e 120-të Plenare e Ipeshkvijve të Kishës katolike të Kolumbisë, mbajtur javën, të premtën më 13 shkurt, në Bogotá, pas pesë ditësh pune të dendur.
Teksti përfundimtar i miratuar nga ipeshkvijtë e fton popullin për kthesë, dialog e pjesëmarrje të përgjegjshme në jetën demokratike, duke përsëritur afërsinë dhe mbështetjen e ipeshkvijve për më të ligshtit, veçanërisht gjatë periudhës më të vështirë të vitit: dimrit. Në këtë drejtim, Fushata e Komunikimit të Krishterë të të Mirave nisi këtë të diel, më 15 shkurt, duke nxitur nisma për të mbështetur familjet më nevojtare, veçanërisht më të prekurat nga përmbytjet. Ky koleksion vjetor i përgatitur nga Kisha për më të ligshtit, zakonisht fillon të dielën e parë të Kreshmëve.
Kthesa e pajtimi
Ndërsa afrohet fillimi i Kreshmëve, Konferenca Ipeshkvnore nxit për të ndërmarrë "hapa të vërtetë kthese" dhe për të pranuar ftesën e Krishtit "për t'u kthyer te miqësia, për të shtrënguar duart dhe për të kërkuar unitetin". Në këtë perspektivë, pajtimi nuk kuptohet si fjalim abstrakt, por si rrugë konkrete drejt shërimit personal e shoqëror.
Nga ana e tyre, prelatët e Kishës katolike të Kolumbisë konfirmuan kontributin e tyre të vazhdueshëm "për faljen, pajtimin dhe paqen në vend" dhe i ftuan të gjithë kolumbianët të "ndërtojnë ura ndërmjet dallimeve dhe pozicioneve kundërshtare, që na ndajnë", duke përsëritur takimin, dëgjimin dhe njohjen e anasjelltë, si anëtarë të së njëjtës familje.
Afërsia me meshtarët
Pastaj u shprehën mirënjohjen meshtarëve për "praninë në të gjithë vendin dhe për shërbimin e tyre të paçmuar që "shoqëron dhe ushqen fenë, shpresën dhe bamirësinë e bashkësive, të cilat u besohen". Formimi dhe udhëzimi i priftërinjve, vazhdojnë ata, "është një nga detyrat e para". Për këtë arsye ipeshkvijtë do të vazhdojnë t'i kushtohen "vëmendjes ndaj shëndetit të tyre të plotë, në mënyrë që të mund ta ushtrojnë shërbesën vërtetësisht e me përkushtim të përtërirë".
Thirrje e drejtpërdrejtë për sektorë të ndryshëm të vendit
Ipeshkvijtë i nxisin kolumbianët "të jenë krijues të paqes e dëshmitarë të shpresës"; fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë "të kultivojnë miqësinë me Jezu Krishtin, i cili i mëson të jenë të lumtur, duke e dashur, si i do Ai, duke u kujdesur për krijimin dhe duke ndërtuar vendin e ëndrrave të tyre". U kërkojnë familjeve, të caktuara si "shkolla themelore të virtyteve shoqërore", të mos lodhen kurrë duke e dashur dhe duke e shërbyer jetën. I inkurajojnë institucionet shtetërore të vazhdojnë respektin për të drejtat e njeriut, përmbushjen e detyrave qytetare dhe vlerësimin e demokracisë e të institucioneve që e mbështesin. Së fundi, i kërkojnë qeverisë të "forcojë dialogun me të gjithë për të nxitur pajtimin dhe për të kapërcyer fragmentimin rrënjësor në jetën shoqërore dhe politike".
Në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme, u bëjnë thirrje atyre që dëshirojnë poste të larta publike, ta "shmangin dhunën verbale dhe të propozojnë rrugë të vërteta" që do ta çojnë përpara zhvillimin e mirëfilltë, pajtimin dhe paqen e vendit. Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë thirrje udhëheqësve të biznesit të nxisin pjesëmarrjen në bashkësi dhe shpërndarjen e barabartë të pasurisë; ndërsa krijuesve të medias dhe përmbajtjes dixhitale, t’i kryejnë veprimtaritë e tyre me përgjegjësi.
Pjesëmarrje në votim
Së fundmi, ipeshkvijtë kolumbianë i ftojnë të gjithë qytetarët të marrin pjesë aktive e paqësore në zgjedhjet e ardhshme - parlamentaret në mars e presidencialet në maj - duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar "me liri dhe ndërgjegje të plotë, pa korrupsion".
Me ftesë të vetë autoriteteve kolumbiane, do të vendoset një Mision Vëzhgimi Zgjedhor i BE-së (MVZ) për të monitoruar zgjedhjet legjislative dhe presidenciale. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas emëroi Kryevëzhgues Esteban González Pons, Zëvendëspresident i Parlamentit Evropian.