Kërko

Procesioni besimtarëve për nder të Virgjrës Mari të Bamirësisë, Havana, Kubë Procesioni besimtarëve për nder të Virgjrës Mari të Bamirësisë, Havana, Kubë

Kisha në Kubë, shenjë dashurie e ngushëllimi për popullin që vuan

“Situata aktuale është sinqerisht e vështirë”, pranon nga Havana Atë Ariel Suárez Jáuregui, duke përshkruar realitetin e popullit të tij dhe duke treguar veprimin baritor si shenjë shprese.

R.SH. – Vatikan

Popullsia kubane vazhdon të përjetojë pasojat e krizës energjetike, e cila përkeqëson problemet e shumta që rëndojnë mbi shoqërinë. “Ne jemi këtu. Dhe jo me duar kryq”, u thotë mediave të Vatikanit meshtari Atë Ariel Suárez Jáuregui, sekretar i përgjithshëm ndihmës i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë Katolike të Kubës dhe famullitar i Shenjtërores Dioqezane dhe Bazilikës së Vogël të Zojës së Bamirësisë së Cobre në Havana.

Situata në Kubë është shumë e vështirë. Kriza energjetike ka përkeqësuar problemet ekzistuese: mungojnë ushqimet dhe ilaçet, shërbimet mjekësore janë të kufizuara, ndërhyrjet kirurgjikale bëhen vetëm në raste urgjente. Ka vështirësi edhe për furnizimin me ujë të pijshëm, sepse mungesa e karburantit pengon transportin. Kështu transporti publik është reduktuar, qytetet errësohen natën dhe varfëria po rritet. Shtohen të pastrehët, të moshuarit e braktisur dhe të rinjtë që bien në drogë. Populli kuban ndjen lodhje dhe dhimbje pas dekadash vuajtjesh dhe dëshiron një jetë më të denjë dhe më të lumtur.

Në këtë realitet, Kisha katolike e Kubës përpiqet të jetë pranë njerëzve. Ajo vazhdon të shpallë Ungjillin, të kremtojë Sakramentet, të bëjë katekezë dhe të vizitojë të sëmurët e të burgosurit. Megjithë vështirësitë, në shumë famulli kishtare organizohen mensa për të moshuarit dhe më të varfrit, shpërndahet ushqim për të pastrehët dhe ofrohet ndihmë konkrete për më të pambrojturit. Rregulltarët dhe murgeshat shërbejnë me përkushtim të madh në shtëpitë për të moshuar dhe për persona me probleme mendore.

Meshtari Ariel Suárez Jáuregui thekson se Kisha katolike në Kubë është “e varfër mes të varfërve”, por nuk qëndron me duar kryq. Ajo rritet sidomos në shërbimin e dashurisë dhe ngushëllimit, duke dëgjuar, shoqëruar dhe ndihmuar ata që vuajnë.

Kisha katolike në Kubë është mirënjohëse për afërsinë e Papa Leonit XIV, i cili ka kërkuar dialog për të lehtësuar vuajtjet e popullit kuban dhe ka dhënë zë dhimbjes dhe shpresës së tij para botës.

Në rrugën drejt Pashkëve, mes Kreshmës dhe sprovave, mesazhi i Kishës katolike është i qartë: dhimbja nuk duhet të kthehet në urrejtje apo dhunë. Të krishterët janë të thirrur të duan gjithmonë, të dëshmojnë se e keqja nuk ka fjalën e fundit dhe se shpresa lind nga Krishti i Ngjallur.

 

27 shkurt 2026, 15:05