Kërko

Një moment i zinxhirit Eukaristik të mbajtur në vitin 2025 Një moment i zinxhirit Eukaristik të mbajtur në vitin 2025

Këshilli Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE), në lutje për një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”

Nga 18 shkurti, e Mërkura e Përhime, deri më 2 prill, e Enjtja e Madhe e Pashkëve, zhvillohet zinxhiri tradicional Eukaristik i Kreshmëve, i promovuar nga ipeshkvijtë evropianë. Nën moton e lutjes për një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”, besimtarët katolikë të mbarë Evropës do të bashkohen rreth tryezës Eukaristike për të kërkuar paqe në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

Evropa lutet për paqen në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën: nga data 18 shkurt, e Mërkura e Përhime, deri më 2 prill, e Enjtja e Madhe, zinxhiri eukaristik i promovuar nga Këshilli i Konferencave Episkopale të Evropës do të bashkojë besimtarët katolikë të kombeve të kontinentit të vjetër rreth tryezës Eukaristike për të kërkuar paqen.

Edhe këtë vit, gjatë kohës së Kreshmëve, nisma – që përfshin të gjithë anëtarët e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE-së), në lutje për një paqe "të çarmatosur dhe çarmatosëse" – parashikon angazhimin e çdo Konference Ipeshkvore kombëtare për organizimin e të paktën një Meshe kushtuar viktimave të luftës dhe lutjes drejtuar Zotit për paqe në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë dhe kudo në botë. Zinxhiri Eukaristik është tashmë një takim i qëndrueshëm lutjeje për Kishat e Evropës dhe synon të jetë një përvojë bashkimi e një shenjë e dukshme shprese për të gjithë kontinentin.

Në komunikatë citohet edhe mesazhi i Papa Leonit XIV për Ditën e 59-të Botërore të Paqes (1 janar 2026): “Le të hapemi ndaj paqes! Ta pranojmë dhe ta njohim atë, në vend që ta konsiderojmë të largët dhe të pamundur. Para se të jetë një qëllim, paqja është një prani dhe një udhë”.

Nismat do të ndjekin rendin alfabetik të vendeve. Kështu, Shqipëria (Albania) do ta hapë zinxhirin e lutjes më 18 shkurt me kremtimin e Meshës së Mërkurës së Përhime nga të gjithë ipeshkvijtë në dioqezat përkatëse. Më 19 shkurt do të vijojë Belgjika, më 20 Austria (me kremtime në Salzburg, Graz dhe Vjenë), e kështu me radhë deri më 2 prill, kur Hungaria do ta përmbyllë këtë seri lutjesh. Në Itali, lutja për paqe do të mbahet më 4 mars, ndërsa në Ukrainë janë parashikuar dy kremtime: më 31 mars për besimtarët e Kishës greko-katolike dhe më 1 prill për ata të ritit latin.

17 shkurt 2026, 13:28