Ukrainë, një nga aktivitetet e Caritas Odessa me projektin "Përgatitja e Fëmijëve dhe të Rinjve për të Ardhmen" Ukrainë, një nga aktivitetet e Caritas Odessa me projektin "Përgatitja e Fëmijëve dhe të Rinjve për të Ardhmen"

Karitas Ukraina: fëmijët dhe të rinjtë e Odesës ndërmjet luftës, rezistencës e shpresës

Rrjeti i solidaritetit mbështet 26.000 fëmijë dhe prindërit e tyre çdo vit, në rreth dyzet qendra.

R.SH. - Vatikan

Odesa vazhdon të jetë nën sulm. Mbrëmë, ushtria e Federatës Ruse nisi dronë sulmi kundër qytetit ukrainas dhe rajonit përreth. Bombardimet vranë një njëzetvjeçar, plagosën gjashtë të tjerë dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në zonat e banimit, fabrikat industriale, objektet e energjisë dhe portet.

Me ardhjen e të ftohtit, rusët nisën të përqendrohen veçanërisht në infrastrukturën prodhuese të energjisë - transformatorët, nënstacionet, energjinë elektrike, ngrohjen dhe rrjetet e gazit - duke e bërë jetën e përditshme të civilëve edhe më të tmerrshme. Ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesa e ngrohjes dhe e ujit i detyrojnë ekipet Caritas Ukraina të marrin vendime të ndryshme çdo ditë: duhet t’i hapin apo jo qendrat dhe t’i mirëpresin fëmijët?

Tridhjetë e nëntë qendra shoqërore për fëmijë funksionojnë në të gjithë rrjetin, ashtu si dhe 51 "Hapësira Lumturie" aktive ndër shkolla, në të gjithë vendin. Çdo vit, këto qendra mirëpresin mbi 26,000 fëmijë si dhe prindërit e tyre. Këtu, edukatorët, psikologët dhe operatorët i ndihmojnë fëmijët më të vegjël të përballojnë tronditjen dhe përhumbjen, duke u ofruar mbështetje, siguri dhe vazhdimësi arsimore edhe në kushtet më të vështira të luftës. Biseduam me Viktoria Proskurnia, koordinatore e projektit për fëmijë dhe të rinj, në Caritas Odessa.

Odessa, portat e hapura për mijëra në ikje

Për njëmbëdhjetë vjet, Viktoria Proskurnia punoi me Caritas Odessa, së bashku me fëmijët dhe familjet e prekura nga lufta. Puna e saj filloi me mbërritjet e para të personave të zhvendosur brenda vendit nga Ukraina lindore, ku filloi lufta në vitin 2014.

"Në fillim, ne mirëpritëm vetëm fëmijë të zhvendosur. Qëllimi kryesor - tregon - ishte të mbështesnim prindërit, që po rindërtonin jetën e tyre prej zeros. Me kalimin e kohës, vëmendja u zgjerua edhe për njerëzit e ligësht”.

Kur, në vitin 2022, filloi pushtimi rus në shkallë të gjerë, Odessa u bë cak për mijëra njerëz që iknin. "Ata erdhën nga Mykolaiv, Kherson dhe lindja e vendit. Odessa dukej vend relativisht më i sigurt, edhe sepse kufiri me Moldavinë është afër e, në kohë rreziku më të madh, mund të arrije kufirin në dy orë dhe të vazhdoje". Sot, Viktoria koordinon projektin "Përgatitim fëmijë e të rinj për të ardhmen", titull që mishëron një vizion të thellë arsimor. "Më duket se ky është roli i të rriturve: t'i mbrojnë në kohë rreziku dhe t'i përgatisin ata për jetën, për një të ardhme të pavarur e, nëse është e mundur, edhe të lumtur". Prandaj ne punojmë jo vetëm me të mitur, por edhe me prindërit".

Së bashku me prindërit, në çaste të vështira

Mbështetja e familjeve është në qendër të vëmendjes, veçanërisht gjatë krizave më të vështira. Gjatë pandemisë Covid-19, Caritas nuk i ndaloi kurrë aktivitetet e veta. Edhe me shpërthimin e luftës në shkallë të plotë, puna vazhdoi. "Në fillim, kujton Viktoria, ishte jashtëzakonisht e vështirë. Për një kohë, ne u përqendruam në rimëkëmbjen tonë, përpara se të mund të kujdeseshim për të tjerët". Edhe pse Viktoria e kishte jetuar tashmë shpërthimin e luftës në vitin 2014, këtë herë ishte ndryshe. "Vetëm unë jam e zhvendosur. U nisa nga Luhansk, e mbërrita në Odessë në vitin 2014, me një vajzë njëvjeçare e një djalë gjashtëvjeçar”.

Megjithatë, në vitin 2022, frika ishte ndryshe. Ajo u largua nga Ukraina për një kohë të shkurtër: jetoi në Moldavi vetëm dyzet ditë. "Isha përgjegjëse për projektin dhe nuk mund t'i jepja udhëzime ekipit tim nga një vend relativisht i sigurt, ndërsa ata ishin në Odessa. Plus, djali im i madh donte të shkonte në shtëpi" - kujton.

Një nga detyrat më delikate ishte shoqërimi i prindërve gjatë vendimeve të vështira. "Roli ynë, shpjegon koordinatoria, ishte të mbështesnim, pa gjykuar. Çdo zgjedhje vjen me një çmim: largim do të thotë siguri më e madhe fizike, por jo gjithmonë siguri emocionale; qëndrim do të thotë të jesh në shtëpi, por të jetosh me rrezik. Me kalimin e kohës u bë e qartë se lufta nuk do të mbaronte së shpejti. Shumë fëmijë vazhdojnë të studiojnë në internet, megjithëse disa shkolla në Odessa tani kanë strehimore të përshtatshme dhe, në ato raste, ofrojnë mësim ballë për ballë. Në kontekstin e luftës, është e vështirë të gjesh terren të përbashkët, edhe për prindërit dhe fëmijët e tyre. Caritasi bëhet vend i pazëvendësueshëm shoqërimi dhe stabiliteti. "U them gjithmonë prindërve: jam i lumtur që erdhët tek ne, sepse kontakti njerëzor nuk mund të zëvendësohet. Komunikimi, miqësia, respekti për kufijtë, parandalimi i ngacmimit: të gjitha këto mund të mësohen vetëm përmes marrëdhënieve të gjalla".

Shikime drejt së ardhmes

Projekti "Përgatitja e fëmijëve dhe e të rinjve për të ardhmen" nga Caritas Odessa mirëpret gjashtëdhjetë fëmijë çdo gjashtë muaj, me takime pasdite, dy a tri herë në javë. Të shtunat, shpjegon Viktoria, i kushtohen veprimtarive të përbashkëta, të tilla si punëtori gatimi, ku fëmijët më të rritur ndihmojnë fëmijët më të vegjël. Bashkëpunimi me prindërit është i vazhdueshëm, veçanërisht në çështjet e sigurisë dhe parandalimit të dhunës. Programi, ndonëse fleksibël, ka shteg të qartë: programi "Siguria në rrezik" merret me sigurinë e të huajve, minat, internetin dhe trafikun rrugor; fëmijët më të rritur trajtojnë gjithashtu rreziqet e shfrytëzimit online dhe të shantazhit dixhital. Fëmijët e moshës 14 vjeç e lart me bashkëpunimin, mendimin kritik, komunikimin dhe krijimtrainë. Sa herë që është e mundur, ekspertë të jashtëm përpiqen të sjellin në jetë tema të tilla, si siguria dhe leximi e shkrimi mediatik.

Reagime normale, rrethana jonormale

Koordinatori i projektit shpjegon se në kontekstin e luftës, një nga shtyllat e punës së tyre është edukimi në vetëdijen e brendshme. "Jetojmë në një botë plot stres. Për këtë arsye - thotë ajo - punojmë shumë për aftësitë e vetërregullimit. Që nga fillimi i luftës, kemi folur për reagimet normale ndaj rrethanave jonormale: frikë, panik, zemërim. Është e rëndësishme që fëmijët dhe të rriturit të dinë se nuk ka emocione të gabuara". Sot, programi vazhdon me aktivitete mbi inteligjencën emocionale. "Edhe zemërimi e agresioni na tregojnë diçka.

Pyetja është se si t'i shprehim, pa i lënë të bien mbi ata përreth nesh". Përveç punës me të miturit, Caritas organizon aktivitete të përbashkëta për prindërit dhe fëmijët. "Janë çaste shumë të rëndësishme. Kur mundemi, organizojmë edhe dalje jashtë qendrës, për përvoja ushtrimesh, krijimtarie dhe loje. E gjithë kjo është për familjet, falë donatorëve tanë". Siguria mbetet e dorës së parë, veçanërisht në muajt e verës. "Edhe pse deti është afër, nuk mund të shkojmë atje me fëmijë: jo të gjitha zonat janë të pajisura me strehime, ndaj rreziqet janë të paparashikueshme".

"Na mbështesin fëmijët"

Në dimër ka probleme të tjera. "Pas bombardimeve të rënda të 13 dhjetorit të kaluar, trolejbusët dhe tramvajet ndaluan së funksionuari"- tregon Viktoria - "Ishin mjetet e transportit që fëmijët dhe prindërit i përdornin më parë me lehtësi, veçanërisht ata me përfitime. Zyra ishte kryesisht e arritshme nga tri linja transporti elektrik. Tani, qytetet miqësore na  siguruan autobusë, por më rrallë. Për më tepër, i ftohti i fortë dhe akulli na detyruan t’i anulojmë disa aktivitete. Pavarësisht vështirësive, disa fëmijë, veçanërisht ata që jetojnë afër, vijnë ende, sepse duan të jenë bashkë".

Pavarësisht vështirësive, Caritas Odessa vazhdon të veprojë edhe në kushte të pasigurta. "Ne u përshtatëm më mirë sesa ishim në fillim të luftës. Kemi zgjidhje alternative për ndriçimin dhe ngrohjen. E, mbi të gjitha, kemi një ekip të bashkuar", thotë koordinatoria. Grup i vogël profesionistësh - një psikolog, një terapist i të folurit, disa edukatorë dhe punonjës socialë - punojnë me pasion çdo ditë. "I pyeta kolegët e mi se çfarë u jep më shumë mbështetje, e ata gjegjën: fëmijët. Reagimet e tyre, progresi i tyre, buzëqeshjet e tyre".

Lufta dhe ndikimi i saj tek të rinjtë

Viktoria, përveç koordinimit të projektit, jep mësim edhe si nënë. Është nënë e një vajze 12-vjeçare dhe e një djali 17-vjeçar. Ashtu si shumë prindër dhe edukatorë, pyet veten: çfarë pasojash do të ketë kjo luftë e gjatë dhe mizore në jetën e fëmijëve dhe të rinjve ukrainas? "Nuk e dimë - gjegjë ajo pas një heshtjeje të gjatë, "por bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar fëmijët e sotëm të ndihen të lumtur. Lumturia shpesh vjen nga aktivitete të thjeshta. Fëmijët i duan punëtoritë e gatimit. Një ditë, një djalë i tha nënës së tij: 'Unë pushoj në Caritas.' Për mua, kjo thotë gjithçka".

Fëmijët dhe të rinjtë ukrainas po studiojnë, po marrin pjesë në aktivitete dhe po jetojnë ndërmjet një sirene e një tjetre. "Ata e kuptojnë" - vëren Viktoria - se arsimi është i nevojshëm për të rindërtuar vendin. Ne flasim me ta për jetën, të ardhmen, përgjegjësinë". Pas netëve të bombardimeve, qendra bëhet vend dëgjimi. "Gjithmonë i pyesim si janë. Disa thonë, 'Isha e frikësuar', të tjerë, 'Nuk dëgjova asgjë sepse flija.'" Ndonjëherë askush tjetër nuk i pyet. Kështu e bëjnë. Karitas nuk është  detyrim, thekson Viktoria. "Fëmijët vijnë vetë. Është zgjedhja e tyre. E kjo  na tregon se sa shumë kanë nevojë për të". Ndër përvojat më domethënëse ishin edhe ato komunitare e shpirtërore. "Me grupin e të rinjve, ne organizuam skenën e lindjes së gjallë [në ukrainisht: vertep] dhe shkuam me ta ndër spitale, tek ushtarët e plagosur. Ishte takim i thellë: fëmijët dhanë gëzim dhe u larguan të pasuruar. Pashë lot në sytë e të rinjve tanë. Pastaj ata pyetën nëse do të vizitonim edhe vende të tjera".

"Dua t’i falënderoj të gjithë ata që na mbështesin", përfundon Viktoria Proskurnia. "Verën e kaluar, fëmijët tanë patën mundësi të shkonin me pushime dhjetëditore falë mbështetjes së Caritas Italia, veçanërisht Caritas Ferrara, ku më në fund patën mundësi të pushonin. Dëshira ime është që kjo luftë të mbarojë së shpejti dhe që fëmijët ta kujtojnë të gjithë si  ëndërr të keqe, e të thonë: e kapërcyem, e kjo na bëri më të fortë".

13 shkurt 2026, 15:36