Kardinali Fernández Artime kremton Meshën për kremtimin e ekspozimit të trupit të Shën Françeskut Kardinali Fernández Artime kremton Meshën për kremtimin e ekspozimit të trupit të Shën Françeskut

Kard. Artime: shën Françesku, shembull i lirisë që nuk sundon, por shërben

Në homelinë e Meshës kremtuar dje, më 22 shkurt, për kremtimin e ekspozimit të trupit të "Varfanjakut të Asizit", Kardinali Pro-Prefekt i Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike na fton ta nderojmë atë si nxitje konkrete për të përballuar sfidat e së tashmes, pa rënë në nostalgji për të kaluarën

R.SH. / Vatikan

“Liri që nuk zotëron, por beson. Që nuk sundon, por shërben”. Shën Françesku e mishëroi këtë pavarësi nga "logjika e botës"! E ta bësh tënden, nuk do të thotë të strehohesh në të kaluarën “me një shikim nostalgjik": përkundrazi t’i përballosh vendosmërisht sfidat e së tashmes”. Ky ishte çelësi i kuptimit, që ofroi Kardinali Ángel Fernández Artime, Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, në homelinë e tij gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Sipërme të Asizit dje, më 22 shkurt, si pjesë e kremtimit të ekspozimit të trupit të "Varfanjakut të Asizit", mbetjet mortore të të cilit nderohen, për herë të parë.

Liria e vërtetë

Kardinali salezian Artime u frymëzua nga leximet liturgjike, të cilat paraqesin dy figurat e Adamit e të Krishtit: i pari, përfaqësues i njeriut, që i nënshtrohet "tundimit për t'u bërë Zot, pa Zot", i dyti, "Biri që ia beson plotësisht vetveten Atit". "A duam të jetojmë sipas logjikës së vetëdashjes dhe të forcës, apo sipas logjikës të bindjes ndaj Zotit?". Kjo, pyetja që Kardinali Fernández Artime na ftoi t’ia bëjmë vetes gjatë kohës së Kreshmëve. Për të na prirë rrugës, zgjedhim Françeskun: si bir i një tregtari të pasur,  mund të kishte jetuar sipas dinamikës së kësaj bote, "por ai dëgjoi një zë tjetër". Atë që pohoi se liria e vërtetë qëndron në besim e në shërbim, në vend të zotërimit dhe të sundimit!

Pakicë, varfëri e bindje

Proprefekti i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike kujtoi episodin ungjillor të tundimeve të Jezusit, më aktual se kurrë: shndërrimin e gurëve në bukë, që do të thotë "të përdorësh Zotin për të përmbushur nevojat tona"; hedhjen nga tempulli, që do të thotë "kërkim i suksesit, i sensacionales"; marrja e të gjitha mbretërive të botës, që do të thotë "zgjedhja e pushtetit, por adhurimi i djallit". Françesku i njihte këto tundime, por nuk zgjodhi krenarinë, akumulimin dhe vetëdashjen: zgjodhi pakicën, varfërinë, bindjen. Shkurt, "zgjodhi të adhuronte vetëm Zotin".

"Po shkretëtira ime, cila është?"

Kardinali Artime e krahasoi më pas Jezusin, i cili del nga shkretëtira për të shpallur Mbretërinë e Zotit - me shenjtin e Asizit, i cili lë pas thatësirën e shpirtit, për të përqafuar të gërbulurin dhe vëllezërit e tij, duke rindërtuar Kishën. “Fitorja mbi tundimet nuk mbyllet kurrë në vetvete, por “hapet për të tjerët”, vijoi pro-prefekti Fernández Artime, i cili e quajti nderimin e eshtrave më shumë sesa një ushtrim i thjeshtë kujtese, me “shikim nostalgjik” mbi atë që ka ndodhur. Përkundrazi, ajo përfaqëson “një ftesë të fortë dhe konkrete” për t’iu përgjigjur pyetjeve të së tashmes: “Cila është shkretëtira ime? Çfarë tundimi më pret? Ku më kërkon Zoti të bëj një hap besimi?”.

Begatia e hirit: shpëtoje veten!

“Aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Zotit”, shkroi Shën Pali. Shën Françesku i Asizit, pohoi kardinali Artime, është shenjë e këtij hiri. Jo për të treguar forcën, por "sepse e lejoi veten të shpëtohej nga Zoti", duke jetuar një jetë që pohon se shenjtëria nuk ruhet për "disa heronj", por përkundrazi, përfaqëson "lulëzimin e atyre, që besojnë në Krishtin".

23 shkurt 2026, 19:05