Kërko

Një lagje e varfër refugjatësh që ikin nga lufta në shtetin Shan, Myanmar Një lagje e varfër refugjatësh që ikin nga lufta në shtetin Shan, Myanmar

Kardinali Bo: "Myanmari, i harruar nga bota, por jo nga Zoti"

Kardinali Charles Maung Bo denoncon "polikrizën" që po e prek vendin aziatik, ndërmjet luftës civile dhe vështirësive ekonomike e sociale. Kjo situatë shkaktoi ikjen e 3.5 milionë refugjatëve si dhe shumë të rinjve jashtë vendit.

R.SH. / Vatikan

Pesë vjet pas grushtit ushtarak të shtetit, Myanmari po jeton një krizë shumëplanëshe që Kardinali Charles Maung Bo, Kryeipeshkëv i Yangonit, e quan "polikrizë": ekonomike, shoqërore, shëndetësore dhe arsimore. Inflacioni po rritet, vendet e punës po pakësohen, mbi 3.5 milionë njerëz u zhvendosën e një brez i tërë humbi pesë vjet arsim. Shumë të rinj, pa perspektivë në trojet e veta, po largohen nga vendi. Duke folur për mediat e Vatikanit, kardinali përshkroi një komb të pushtuar nga frika, nga lodhja, nga pasiguria e thellë. Megjithatë, vuri në dukje ai, shpresa "nuk ka vdekur, është e kryqëzuar".

Ndikimi i krizës tek të rinjtë

Ndjenjat e popullsisë ndryshojnë në varësi të përvojave personale dhe zonave gjeografike, por pasiguria dhe presioni psikologjik mbizotërojnë ndërmjet të rinjve. Jetojnë meë frikë të vazhdueshme për sigurinë e tyre, në mes të dhunës së përhapur, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe rrezikut të rekrutimit të detyruar. Ky tension i zgjatur nxit ankth, stres, mosbesim në të ardhmen. "Të rinjtë, në veçanti - shpjegon Kardinali Bo - jetojnë me frikë të vazhdueshme për sigurinë e tyre". Vite trazirash e fshinë normalitetin dhe perspektivat: shkollat u mbyllën me ose pa dokumente, vendet e punës janë të pakta dhe jeta shoqërore, e fragmentuar. Sondazhet tregojnë rritjen e ndjeshme të zemërimit dhe të shqetësimit emocional, krahasuar me periudhën para grushtit të shtetit. "Shumë pak të rinj e jetojnë ende ndjenjën e stabilitetit; shumë po mendojnë të emigrojnë, ose e bënë tashmë këtë" – përsërit i prekur thellë Kardinaliv Bo.

Qëndresë, ndërmjet rrënojave

Megjithatë, Kardinali Bo na fton të mos u mësojmë të rinjve rolin e viktimave të thjeshta. Edhe ndërmjet vështirësive, mund të gjenden shenja rezistence dhe vendosmërie. Disa vazhdojnë të besojnë në një të ardhme më të mirë dhe investojnë në arsim dhe aftësi dixhitale, duke u përpjekur të ndërtojnë mundësi në një kontekst jashtëzakonisht sfidues. Edhe jeta online e ka dritën dhe errësirën e vet: ndërsa nxit lidhjet dhe të nxënit, i nxit njerëzit të urrejnë, të abuzojnë dhe të dezinformojnë, duke e minuar kohezionin shoqëror. Për më tepër, pjesëmarrja politike ndërmjet të rinjve, që shpesh janë të gënjyer e zhgënjyer, është në rënie.

Një shpresë e "kryqëzuar"

Në këtë skenar, Kardinali Bo flet për "shpresën e krishterë, të lindur nga Kryqi e nga Ngjallja", të pathemeluar nga llogaritjet politike, por nga Feja! "Myanmari", përsërit ai, "e humbi sigurinë, stabilitetin dhe vëmendjen ndërkombëtare, por jo praninë e Zotit". Kjo shpresë ndjehet në fshatrat e shkatërruara, në kampet për të zhvendosurit, në këmbënguljen e heshtur të familjeve, katekistëve dhe rregulltarëve. "Familjet ndajnë atë pak që kanë dhe luten së bashku"; shumë të rinj punojnë vullnetarisht dhe angazhohen në punë komunitare. Këto janë shenja të vogla por konkrete të Ungjillit. Kisha, duke hedhur poshtë urrejtjen dhe dhunën dhe duke promovuar pajtimin dhe dinjitetin njerëzor, kërkon të jetë "sakrament shprese", e bindur se dhuna nuk do të ketë fjalën e fundit.

Të harruar, por jo të braktisur

Shumë qytetarë ndihen të harruar nga bashkësia ndërkombëtare, vëmendja e së cilës rritet vetëm në çastet më dramatike. Sanksionet dhe izolimi kanë rritur ndjenjën e braktisjes tek disa qytetarë. Megjithatë, të ndihesh i lënë pas dore nga bota - nuk do të thotë të jesh i braktisur nga Zoti: "Mianmari", pohon Kardinali Bo, "nuk është lënë pas dore nga plani i Zotit".

Angazhimi i Kishës dhe vëmendja e Papës

Kisha lokale vazhdon të bëjë thirrje për t'i dhënë fund dhunës dhe për pajtim bazuar në drejtësi, falje dhe dhembshuri. Iniciativat ndërfetare bashkojnë të krishterët, budistët, myslimanët dhe hindutë në lutje të përbashkëta për paqe, duke dhënë shembuj konkretë të bashkëjetesës. Projektet lokale mbështesin njerëzit e zhvendosur dhe të ligështuar. Së fundi, Kardinali Bo kujton se Selia e Shenjtë po e ndjek situatën me shqetësim, duke bërë thirrje për paqe, dialog dhe mbrojtje të civilëve. Pavarësisht zgjidhjeve të ngadalta dhe komplekse politike, Romës nuk i mungon lutja. "Të humbasësh shpresën", përfundon ai, "do të thoshte t'ia dorëzosh të ardhmen dhunës dhe dëshpërimit. Mianmari vazhdon të shpresojë, jo sepse situata është e lehtë, por sepse e ndjen fort dashurinë e Zotit".

14 shkurt 2026, 14:07