Indi, ipeshkvijtë kërkojnë shfuqizimin e ligjeve të papajtueshme me lirinë fetare
R.SH. - Vatikan
Një thirrje e ndjerë që të shfuqizohen ligjet e papajtueshme me lirinë fetare dhe me të drejtën e privatësisë u bë në përfundim të asamblesë së Konferencës Ipeshkvore Katolike të Indisë (CBCI) që përfundoi të martën më 10 shkurt, në Bengaluru. Sipas prelatëve, shumë njerëz të pafajshëm burgosen mbi bazën e akuzave të pabazuara për konvertime fetare të detyruara dhe për këtë arsye duhet ndërhyrë në mënyrë vendimtare.
«Neni 25 i Kushtetutës së Indisë — kujtojnë ipeshkvijtë e Kishës katolike të vendit në një deklaratë — garanton se “të gjithë individët kanë të drejtë të barabartë për lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën për të rrëfyer, praktikuar dhe përhapur lirisht fenë”». Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Indisë nënvizojnë mohimin e të drejtave për dalitët e krishterë (kasta e të paprekshmëve), që «vazhdon prej dekadash si një formë indirekte diskriminimi, pavarësisht thirrjeve të shumta për barazi dhe drejtësi». Në nivel të përgjithshëm, ipeshkvijtë e Indisë ritheksojnë se mohimi i të drejtave për minoritetet «dobëson indin demokratik të shoqërisë sonë».
Një kardinal dalit në krye të episkopatit
Gjatë asamblesë, prelatët e Indisë zgjodhën si president të Konferencës Ipeshkvore arqipeshkvin e Hyderabad-it, kardinalin Anthony Poola. Zgjedhja e Poola-s, i cili është kardinali i parë dalit, përfaqëson një tjetër gur kilometrik për vendin. «Në një epokë të shënuar nga ndarja, dhuna dhe tensionet shoqërore në rritje, Kisha — tha kardinali Poola — është e thirrur të jetë shenjë pajtimi, dialogu dhe shprese».
Tek Zoti nuk ka anshmëri
Me zgjedhjen e kardinalit Poola, episkopati indian dërgoi një mesazh të qartë kundër logjikës së kastave në vend: «Dalitët dhe fshatarët — shpjegoi ipeshkvi i Berhampur-it, imzot Sarat Chandra Nayak — mund të jenë udhëheqës në Kishë në të gjitha nivelet. Tek Zoti nuk ka anshmëri».
Botimi i ri i Mesharit në gjuhën konkani
Asambleja e Konferencës Ipeshkvore e Kishës Katolike të Indisë (CBCI) ishte gjithashtu edhe një rast i volitshëm për prezantimin zyrtar të botimit të ri të Mesharit në gjuhën konkani, gjuha më e folur në Goa. Ky libër liturgjik është fryt i një pune 16-vjeçare, një hap i rëndësishëm për të lmundësuar besimtarët të marrin pjesë plotësisht në Meshë në gjuhën e tyre amtare.