Ikona e Zojës Mari në lutje “Oranta” Ikona e Zojës Mari në lutje “Oranta”

Ikona e “Lutëses” në Kiev, mozaik që ngjall shpresë

Historiani ukrainas i mesjetës, Dmytro Hordienko, drejtor shkencor i Kompleksit Kombëtar të Shën Sofisë në Kiev, tregon historinë dhe domethënien e një mozaiku kushtuar Nënës së Zotit.

R.SH. / Vatikan

Ikona e  Zojës Mari “Lutëses” në Katedralen historike të Shën Sofisë, në Kiev, mozaik i shekullit të 11-të, njihet si "Muri i Pathyeshëm". Tradita kujton se për sa kohë që Nëna e Zotit, Vigjëra Mari i mban krahët lart, në lutje mbi Kievin, qyteti dhe vetë Ukraina do të mbijetojnë. Në kohë lufte, si ajo që vendi e përjetoi në katër vitet e fundit, kjo pamje nuk është vetëm art, por edhe shtyllë që sjell shpresë e forcë tek njerëzit, duke simbolizuar besimin e patundur, pavarësisht dhimbjes. Në një intervistë me median e Vatikanit, historiani mesjetar ukrainas Dmytro Hordienko, drejtor shkencor i Kompleksit Kombëtar të Shën Sofisë në Kiev, rrëfen historinë dhe rëndësinë e këtij mozaiku të Nënës së Zotit, në zemër të Katedrales historike.

Mozaiku i “Lutëses”

E ndërtuar nga mjeshtra bizantinë në shekullin e 11-të, Kisha nuk është vetëm kryevepër artistike, por edhe qendër shpirtërore dhe simbolike e  mbarë vendit. Hordienko kujton se "Oranta" (Ajo që lutet) përfaqëson Urtinë hyjnore, mbrojtjen e qytetit dhe të Kishës. E, në vijim,  tregon se si e shoqëroi Ukrainën ndër shekujt e sfidave, luftërave, shkatërrimeve e rindërtimeve. Tregon edhe zanafillën biblike të figurës, rolin e saj në formimin e planifikimit urban dhe jetës së Kievit si dhe lidhjen shpirtërore ndërmjet Orantës (Ajo që lutet), domethënë Lutëses dhe identitetit kombëtar ukrainas, duke dëshmuar për vazhdimësinë ndërmjet artit, fesë dhe historisë. "Oranta -mozaiku absidial i Shën Sofisë në Kiev, i ndërtuar nga mjeshtra bizantinë - është figurja më e madhe në katedrale, me përmasa pesë metra e gjysmë. 

Zoja Mari, në lutje me duar të lartuara," shpjegon historiani, "është një nga llojet ikonografike më të vjetra dhe më të rëndësishme që e përshkruajnë Virgjërën Mari, e përhapur në artin bizantin, veçanërisht në Kostandinopojë. Në Bizant, Zoja Bekuar përshkruhej si mbrojtësja e qytetit. Pasi rrethimi i Kostandinopojës nga avarët në vitin 626 u zmbraps, qyteti nisi ta quaj veten "qytet i Nënës së Zotit" (greqisht: Theotokoupolis), pasi besohej se ishte mbrojtur nga ndërhyrja hyjnore e Virgjërës".

Katedralja e Shën Sofisë

Hordienko shpjegon se, në lidhje me tempullin kushtuar Urtisë Hyjnore, në Bizant kishte disa Kisha të Shën Sofisë, por kryesore ishte ajo e Kostandinopojës: "Perandori Justinian, i cili ndërtoi Katedralen e Shën Sofisë, të shuguruar në vitin 537, shkriu në të idenë e Tempullit të Solomonit, me atë të krishterë. Kështu, nga njëra anë, çdo tempull i krishterë është i plotë, ndryshe nga tradita hebraike. Por tempulli i Shën Sofisë mishëron idenë e një shteti të shenjtë ideal:  shtet i vetëm, monolit, e për këtë arsye, edhe tempulli i Shën Sofisë. Kjo ide u soll në Kiev nga ndërtuesit dhe shoqëruesit e Anës, gruas bizantine të Volodimirit të Madh, duke i dhënë kështu jetë Katedrales së Shën Sofisë në Kiev, me pamjen qendrore të "Orantës"- “Lutëses”.

Qytetet mesjetare në Ukrainë

Studiuesi mesjetar ukrainas thekson se deri në ardhjen e krishterimit, me Volodimirin e Madh, nuk kishte qendra vërtet të mëdha popullsie në pjesën qendrore të Ukrainës së sotme (sigurisht, jugu kishte qytete). Kishte vende të fortifikuara, poste, ku mblidheshin haraçet dhe ku njerëzit strehoheshin gjatë sulmeve. "Njerëzit jetonin kryesisht në hapësira, kështu që nuk kishte qytete të vërteta. Për qytetarët e Kievit, në fillim të shekullit të 11-të, ndërtimi i Shën Sofisë me "Orantën" dhe krijimi i qytetit, përfaqësonte diçka të jashtëzakonshme. Ishte qyteti i parë, i vërtetë. E jo vetëm qytet: përfytyrojeni madhësinë e tij! Vetëm për pesëdhjetë vjet, do të strehonte rreth 50,000 njerëz. Për njerëzit, kjo përfaqësonte një ndryshim rrënjësor në mënyrën e këndvështrimit të botës: jo vetëm që ndryshoi mënyra e jetesës, por edhe i gjithë vizioni i tyre për universin. Hapësira mori pamjen e një rendi të ri. Është shumë e rëndësishme të theksohet se qyteti mesjetar në Ukrainë ishte gjithmonë i krishterë. Periferitë dhe fshatrat do të kristianizoheshin vetëm deri në mesin e shekullit të 14-të. Por kushdo që donte të jetonte në qytet e të kishte lidhje me oborrin princor, duhej të ishte i krishterë. Kështu, u duk një hapësirë ​​e organizuar, e mbrojtur nga mure imponuese; e, në qendër të kësaj hapësire, ishte edhe një herë Zoja Bekuar "Oranta"“Zoja në lutje”

Mbishkrimi grek

Sipër figurës të Nënës së Zotit është një mbishkrim në greqisht. Këto janë fjalët e vargut të gjashtë të Psalmit të 45-të, që në italisht do të thotë "Zoti është në mes të saj, e ajo nuk do të tronditet; Zoti do ta ndihmojë atë në mëngjes". Dmytro Hordienko pohon se kjo frazë përmban një lojë fjalësh që tingëllon mirë në greqisht e në latinisht, ku fjalët "Madonna", "qytet" dhe "kishë" janë femërore. "Prandaj, 'Zoti në mes të saj' tregon se Virgjëra Mari është ajo që u bë tempulli i parë i Jezu Krishtit, që e mirëpriti Zotin. Ishte nëpërmjet saj që Zoti ia shfaqi Birin e Perëndisë botës. Nga ana tjetër, 'ajo' është Kisha si bashkësi; pamja e qytetit është gjithashtu e rëndësishme. Fjala greke është femërore, gjë që për fat të keq nuk përkthehet në gjuhën ukrainase, ku është asnjanëse. Prandaj, mbishkrimi 'Zoti në mes të saj' do të thotë gjithashtu 'Zoti në mes të qytetit'".

Ikona e Zojës Mari në lutje “Oranta”
Ikona e Zojës Mari në lutje “Oranta”

Origjina biblike e "Lutëses"

Historiani shpjegon se figura e "Orantës" (“Zoja në lutje”), që fjalë për fjalë do të thotë "ajo që lutet", ka origjinë biblike. E kujton Librin e Daljes (17,8-13), ku rrëfehet episodi në të cilin Moisiu i priu popullit të Izraelit drejt Dheut të Premtuar dhe ku u zhvillua beteja kundër Amalekitëve. Moisiu i lartoi duart në lutje drejtuar Zotit – e ky është edhe qëndrimi i Zojës Mari në lutje. Për sa kohë që lutej, izraelitët fituan; kur, të lodhur, Moisiu i uli duart, ata nisën të humbisnin. Pastaj ushtarët ia mbështetën duart, në mënyrë që ai të mund të vazhdonte të lutej dhe populli të fitonte. "Kështu, Oranta e Kievit mbetet përgjithmonë në qëndrim lutjeje ndaj Zotit, me Krishtin, në kupolën qendrore; prandaj, ajo i lutet Zotit për popullin e tij dhe për qytetin e tij. Ky aspekt frymëzoi emrin "Muri i Pathyeshëm", i cili hyri në imagjinatën popullore. Kjo dëshmohet nga legjenda, sipas së cilës, gjatë sulmit mongol kundër qytetit, në vitin 1240, tatarët goditën prezbiterin e Katedrales së Shën Sofisë së Kievit, me kullat e rrethimit, por 'Oranta' rezistoi. Megjithëse, në realitet, ata me shumë gjasa goditën prezbiterin e Kishës së të Dhjetave, e cila u shkatërrua.

Një figurë, që i bën ball luftës 

Dmytro Hordienko tregon se, në janar të vitit 1918, gjatë sulmit kundër Kievit, trupat bolshevike ruse bombarduan qytetin, duke dëmtuar, ndërmjet ndërtesave të tjera historike, Katedralen e Shën Sofisë e, posaçërisht, figurën e Zojës Mari. "Megjithatë, Zoja rezistoi. Katedralja pësoi dëme edhe një vit më parë, më 10 qershor 2025, gjatë njërit prej bombardimeve të Kievit: disa suva u shkëputën nga korniza mbi presbiter. Por 'Oranta' rezistoi përsëri." Mozaiku i Zojës në lutje, thekson historiani, është një kryevepër që e ruajti integritetin e tij në vend, tipar i rrallë ndërmjet veprave historike evropiane, të cilat shpesh u zhvendosën në baza të reja. "Paleta e saj e ngjyrave përfshin afërsisht 170 nuanca, me një mbizotërim të artë, të përdorur si në sfond, ashtu edhe në figurën e Zojës. Loja e ngjyrave është interesante: ari duket si i artë, por edhe pak i kuqërremtë. Manteli i Nënës së Zotit, tradicionalisht i kuq, është pikturuar me ar, ndërsa kitoni i saj blu simbolizon pafajësinë dhe virgjërinë e këpucët e  kuqe janë shenjë e mbretërisë. Mozaiku u krijua në një sipërfaqe të lakuar me tri rreze, në mënyrë që figura e "Lutëses" - “Asaj që lutet” të duket plot harmoni nga çdo kënd i Katedrales”.

Mozaiku dhe arti bizantin

Hordienko është i bindur se mozaiku u krijua nga artistë bizantinë. "Kjo është kryesisht e dukshme nga përbërja kimike e qelqit: qelqi u derdh mbi një fletë të hollë ari, me minerale të ndryshme të shtuara për të marrë nuanca. Së dyti, është përsosmëria e këndit të instalimit: bizantinët e morën në konsideratë këndin e reflektimit të dritës, kështu që copat e qelqit u vendosën në kënde specifike. Duhet të ketë qenë një mjeshtër jashtëzakonisht i aftë, pasi mozaiku duhej të përfundonte para se të thahej llaçi. Drejtori shkencor i Kompleksit Kombëtar të Sofisë në Kiev kalon pothuajse çdo ditë në Katedrale, megjithatë - thekson ai - është e pamundur të mësohesh me kryevepra si mozaikët e Shën Sofisë: ato vazhdojnë të magjepsin. "Për mua, Oranta është gurrë force shpirtërore, frymëzimi dhe ngushëllimi. Kur lind një dilemë e brendshme ose një ngërç shkencor, kur forca ime dështon - dhe, në kushtet tona, puna është shumë e vështirë - unë vij te Oranta. E kjo figurë e fuqishme, Mbretëresha e fortë e Qiellit, duket se thotë: ‘Mos dysho, beso. Unë do të të mbroj".

Nëna, që rri zgjuar mbi popullin

Një mesazh i madh shprese është më i nevojshëm se kurrë në këtë dimër dramatik. Për shkak të bombardimit të infrastrukturës kritike në kryeqytet dhe qytete të tjera, dhe temperaturave të ulëta të dimrit, miliona njerëz në Ukrainë ishin pa ngrohje e pa energji elektrike për javë e muaj. Në kohën kur u regjistrua intervista jonë telefonike, Hordienko vuante nga pneumonia bilaterale. "Kjo është pasoja natyrore e faktit që shtëpia ime ka vetëm 8 gradë temperaturë" - thotë ai duke buzëqeshur. E shton se, si shumë ukrainas, ka punuar pa ndërprerje për më shumë se tre vjet, duke mos marrë kurrë pushime, sepse ndien përgjegjësi për të dhënë kontributin e tij në një vend, që lufton. E ndërsa populli ukrainas bën gjithçka  mundet, duke ofruar forcën, e shpesh edhe jetën e tij për t'u mbrojtur nga agresioni rus, Nëna Mari i mbikëqyr ata me duart e lartuara drejt Qiellit, drejt Zotit, Murit të Pathyeshëm, si dëshmitare mijëvjeçare e historisë dhe e kulturës ukrainase.

27 shkurt 2026, 15:36