Kërko

Il Ballo del Doge al Carnevale di Venezia 2026

Gëzimi e hareja e Karnevaleve, shpjeguar nga Joseph Ratzinger

Në një reflektim të botuar në vitin 1974, Joseph Ratzinger, i cili do të ishte Papa i ardhshëm Benedikti XVI, shpjegoi pse ky festim që i paraprin sezonit të Kreshmëve, është i lidhur me humanitetin e thellë të fesë së krishterë. E theksoi: "Ne të krishterët nuk luftojmë kundër, por në favor të gëzimit".

R.SH. / Vatikan

"A nuk jemi ndoshta pak skizofrenë në lidhje me Karnevalet? Nga njëra anë, themi me gatishmëri se Karnevalet kanë vendin e vet të merituar në tokat katolike, por nga ana tjetër, shmangim shqyrtimin e tyre shpirtëror dhe teologjik. A bën, pra, pjesë e atyre gjërave, që nuk mund të pranohen nga një perspektivë e krishterë, por nuk mund të parandalohen nga një perspektivë njerëzore? Atëherë do të ishte e ligjshme të pyesnim: në çfarë kuptimi krishterimi është vërtet njerëzor?". Kështu fillon reflektimi i Kardinalit të atëhershëm Joseph Ratzinger mbi Karnevalet, periudhë që i paraprin Kreshmëve dhe që lidhet disi me kalendarin liturgjik katolik. Reflektimi përmbahet në librin Speranza del grano di senape (Speranza del grano, Brescia: Queriniana, 1974).

"Zanafilla e Karnevaleve", shpjegonte Ratzinger, "është padyshim pagane: kulti i pjellorisë dhe evokimi i shpirtrave shkojnë dorë për dore. Kisha duhej të ngrihej kundër kësaj ideje dhe të fliste për ekzorcizëm, i cili dëbon demonët që i bëjnë njerëzit të dhunshëm dhe të palum. Por pas ekzorcizmit, doli diçka e re, krejtësisht e papritur: një qetësi e demonizuar: Karnavalet u lidhën me të Mërkurën e Përhime, si kohë gëzimi, para kohës së pendesës, si kohë auto-ironie e qetë, që e thotë me gëzim të vërtetën, e cila mund të lidhet shumë ngushtë me atë të predikuesit të pendesës. Kështu, pasi të zdemonizohet, Karnavali mund të na mësojnë, në frymën e predikuesit të Besëlidhjes së Vjetër: 'Ka një kohë për të qarë, e një kohë për të qeshur...' (K0 3,4).

Prandaj, vazhdoi ai, "edhe për të krishterin, nuk është gjithmonë kohë pendese në të njëjtën mënyrë. Ka edhe një kohë për të qeshur. Ekzorcizmi i krishterë i shkatërroi maskat demoniake, duke lëshuar të qeshura të sinqerta dhe të hapura. Ne të gjithë e dimë se karnevalet sot shpesh largohen nga kjo klimë dhe janë bërë, deri diku, biznes që shfrytëzon tundimet njerëzore. Regjisori është djalli - paraja - dhe aleatët e tij. Kjo është arsyeja pse ne të krishterët nuk luftojmë kundër, por për gëzimin. “Lufta kundër demonëve dhe e qeshura me ata që janë të gëzuar, lidhen ngushtë: i krishteri nuk duhet të jetë skizofrenik, sepse besimi i krishterë është vërtet njerëzor”.

Në një fjalim tjetër, të përfshirë në vëllimin “Kërkoni gjërat nga lart. Reflektime për të gjithë vitin” (Paoline), Benedikti XVI ndalet në origjinën e Karnevaleve, duke kërkuar lidhjen e tij me Krishterimin.

Ja reflektimi i tij: "Karnevalet sigurisht që nuk janë festë fetare. Megjithatë, nuk mund t’i konceptosh pa ta kalendarin festiv liturgjik. Prandaj, një reflektim mbi origjinën dhe kuptimin e tyre mund të jetë gjithashtu i dobishëm për ta kuptuar fenë. Karnevalet kanë shumë rrënjë: hebraike, pagane dhe të krishtera. Në kalendarin e festave hebraike, ato korrespondojnë përafërsisht me festën e Purimit, e cila përkujton shpëtimin e Izraelit nga persekutimi i afërt i hebrenjve në mbretërinë e Persisë.

Gëzimi i pakufizuar me të cilin kremtohet festa, ka për qëllim të shprehë ndjenjën e çlirimit që, në këtë ditë, nuk është thjesht kujtim, por  premtim: kushdo që është në duart e Zotit të Izraelit, është i lirë nga kurthet e armiqve të tij.

Në të njëjtën kohë, pas kësaj feste të shfrenuar dhe profane, e cila megjithatë kishte dhe ka ende vendin e saj në kalendarin fetar, qëndron ajo njohje e ritmit të kohës, e shprehur qartë në Librin e Kishtari a Koheletit. Jo çdo çast është kohë e duhur për gjithçka: njeriu ka nevojë për ritëm, e viti e siguron këtë ritëm, në krijimin dhe në historinë që paraqet feja gjatë gjithë vitit. Kështu kemi arritur në vitin liturgjik, i cili e udhëheq njerëzimin përmes gjithë historisë së shpëtimit në ritmin e krijimit, duke rregulluar e duke pastruar kështu kaosin dhe poterën e qenies sonë. Në këtë cikël krijimi dhe historie, nuk lihet pas dore asnjë aspekt njerëzor, dhe vetëm kështu shpëtohet gjithçka që është njerëzore, anët e errëta si ato të ndritshmet, ndjeshmëria si dhe shpirtërorja.

Çdo gjë gjen vendin e saj në tërësinë që i jep kuptim dhe e çliron nga izolimi. Prandaj, është marrëzi të dëshirosh ta zgjasësh Karnavalin, siç do ta donin biznesi dhe oraret: kjo kohë arbitrare bëhet mërzitje, sepse në të, njerëzimi bëhet thjesht krijuesi i vetvetes, i lënë vetëm dhe vërtet i braktisur. Koha nuk është më dhurata e shumëfishtë e krijimit dhe e historisë, por përbindëshi që përpin veten, ingranazhi bosh i së njëjtës përjetësi, që na bën të rrotullohemi në një rreth pa kuptim.

Por le të kthehemi te rrënjët e Karnevaleve. Krahas paraardhësve të tyre hebrenj, ka edhe paganë, pamjet e zymta dhe kërcënuese të të cilëve ende na shikojnë nga maskat e vendeve alpine dhe zvevo-gjermanike. Këtu, festoheshin ritet e dëbimit të dimrit dhe ekzorcizmit të fuqive demoniake. Në këtë pikë, mund të vërejmë diçka shumë domethënëse: maska ​​demoniake, në botën e krishterë, shndërrohet në maskaradë argëtuese; beteja jashtëzakonisht e rrezikshme me demonët, shndërrohet në gëzim para gravitetit të Kreshmëve. Në këtë maskaradë, ndodh ajo, që e gjejmë shpesh ndër psalme e profetë: tallen ata perëndi, nga të cilat nuk duhet të frikësohet kush e njeh Zotin e vërtetë.

Maskat e perëndive janë bërë spektakël argëtues, shprehin gëzimin e shfrenuar të atyre, që mund të gjejnë shkak për komicitet, gjë që dikur ishte e frikshme. Në këtë kuptim, çlirimi i krishterë është i pranishëm ndër Karnevale, është liria e një Zoti të vetëm, që e përsos lirinë e kujtuar nga festa hebraike e Purimit, e cila kujton shpëtimin e Izraelit!

17 shkurt 2026, 10:24