2023.03.07   padre Luigj Pali (Paliq) ofm, martire della Chiesa albanese

Fundi i jetës së Atë Paliqit – fillim i Lumnisë së Shenjtit

Vrasja e Atë Luigj Paliqit, rrëfyer prej Atë Klement Mirajt nga Peja, e lumnimi.

R.SH. / Vatikan

Çastet e fundit të jetës të Atë Luigji Paliqit

...Të hënën, më 3 mars 1913, Atë Paliqi , françeskan, mori një thirrje nga guvernatori malazez për të shkuar në Gjakovë. Të martën fjeti në Pejë tek Atë Klementi, ndërsa të mërkurën, më 5 mars, i shoqëruar nga një xhandar shkoi në Gjakovë, ku u dorëzua tek autoritetet. Xhandari që e shoqëronte dëgjoi se Atë Paliqi do të merrej në pyetje. Mund të hamendësohet se çka ndodhi gjatë kësaj marrjeje në pyetje. Atë Luigji u mor në paraburgim dhe u rrah në mënyrë të përsëritur dhe mizorisht ndërmjet së mërkurës në mbrëmje dhe mëngjesit të së premtes. Shqiptarët e arrestuar aso kohe në Gjakovë i thanë Atë Klementit se i dëgjuan qartë goditjet dhe rënkimet e priftit fatkeq. Duhet ditur se fajin kryesor e pati një polic malazez, një farë Çukiq, kushëri i zëvendës guvernatorit të Gjakovës me të njëjtin emër.

Të premten në mëngjes, klerikun e mjerë e lidhën me rreth 90 të burgosur shqiptarë dhe e dërguan zbathur në Pejë nën përcjellje (1 oficer, rreth 40 ushtarë). Të burgosurit ishin të lidhur në çifte, Atë Luigji, i cili kishte vështirësi të mbante hapin me shokët e tij për shkak të abuzimit që kishte duruar – kafka dhe fytyra e tij e fryrë ishin dëshmi e qartë e kësaj – u përjashtua prej një ushtarit nga rreshti me shkopinj tërbimi, siç thonë shumë dëshmitarë okularë. Rreth 1 orë e gjysmë larg Gjakovës, afër fshatit Janosh, Atë Paliqi u lidh, u zhvesh në këmishë dhe u vra anash rruge nga ushtarët e eskortës me 5 të shtëna pushke (jo siç është thënë më parë nga një komitaxhi). Atë Paliqi, i cili menjëherë dyshoi se çfarë e priste, teksa po e zhvishnin u tha shokëve të tij fjalët e fundit përshëndetëse.

Kur Atë Klement Miraj mësoi për vrasjen e shokut të tij, shkoi menjëherë për të marrë informacion nga zëvendësguvernatori i Pejës (guvernatori Plamenac ishte në Gjakovë për të organizuar operacionin e çarmatimit). Aty iu lexua një dokument ku thuhej se Atë Paliqi kishte nxitur popullatën kundër qeverisë dhe i kishte këshilluar që të mos dorëzonin armët sepse së shpejti do të vinte Austro-Hungaria dhe se tek ai ishin gjetur edhe dokumente komprometuese. Zyrtari shtoi se Atë Paliqi ishte dënuar dhe do të ekzekutohej publikisht në Pejë. Është për të ardhur keq që u qëllua gjatë rrugës duke tentuar të arratisej, sepse duhej të ishte nxjerrë në gjyq në Pejë dhe ndoshta do të kishin mundur të gjenin prova për bashkëpunëtorët e tij (një referencë për dyshimet ndaj priftërinjve katolikë që gëzojnë mbrojtjen tonë).

Më pas Atë Klementi kërkoi leje për ta varrosur trupin në Pejë ...por kur shkoi në ndërtesën e qeverisë për të marrë lejen me shkrim për transportin e trupit, iu refuzua leja...

Prandaj Atë Klementi u kthye në Pejë pa guxuar ta merrte trupin me vete.

Atë Klementi ishte plotësisht i bindur për pafajësinë e Atë Paliqit. ..

Tani fajtorët duket se nuk ndiheshin më aq të sigurt: Atë Klementi kujton fjalët e një oficeri malazez, që tha: “Mjerë ne, çfarë shqetësimi do të kemi për vrasjen e priftit, Austro-Hungaria do të kërkojë ekzekutimin e të gjithë fajtorëve”.

Një dënim shembullor i fajtorëve do të ishte në fakt mjeti më efektiv për të parandaluar prestigjin e pushtetit mbrojtës.

At Klementi është i bindur se rrethanat e krimit mund të bëhen të qarta nëse dëshmitarët mund të mbrohen në mënyrë të sigurt nga persekutimi i mëvonshëm i malazezëve....

Ky, përshkrimi bërë nga Atë Klementi – fundit të Atë Paliqit miku i tij i ngushtë, që do të vritej në rrugë (Marrë nga Arkivi i Austrisë në Vjenë, Prizren, më 19 mars 1913 Nr. 20)

E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri”. 

Katolikët e Kosovës nisën ta kujtojnë si Shenjt atë prift, shembullor gjatë jetës së tij, e fama e tij si martir u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin, derisa u lartua në nderimet e altarit!

(Marrë nga Arkivi i Austrisë në VjenëPrizren, më 19 mars 1913 Nr. 20)

Në rasën e kryevjetorit poeti, Atë Gjergj Fishta e kujtoi kështu në një nga poezitë e tij tejet të ndjerëme këte vjershë përkujton vrasjen mizore të këtij dëshmori, tue lypë prej Hyjit, qi të gjikojë mbi dhunë të bame Shqypnisë. Kjo u botue në “H.i D.”, marc 1914:

1. Barbarët… e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kend me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.

2. I vorfni pa prind mbetun,
Qi kjan, per bukë i mjeri,
Te ky shujtën pat gjetun;
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fshâ
E át e mâmë iu bâ.

3. Pse pra me e mbytë?…Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kursari,
Qi s’njeh se shk’âsht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n?…

4. Por, po; per shka të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Qi ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqypnin dote t’lirueme,
E Fén s’ndrrote t’bekueme.

5. E per ket punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Qi mshrirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me tê të ngratit
Zemrën shporoi ai Fratit.

6. U rrzue sherbtori i Zotit
—Heu! Si nuk plasi djerri!
E syt per t’gjatë të motit
Ndermjet anmiqve i erri:
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.

7. O Perëndi i amshuem,
A thue tu’ i vue kjé trollin
Ndo’i rruzlli mâ t’lumnueshëm
Qi per nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija Jote?

8. Qe shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët âsht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak âsht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha!

9. As gjaku, pra i Meshtarëvet
As gurt e letervet t’ue
S’mund reshkan mshrirë Shqyptarëvet
Nuk mujtkan mnin me t’ zgjue?
E fatin e Shqypnís
E lankan n’dorë t’shkjenís?…

10. O e mjera, moj e mjera
Shqypni, se keq ké ngelun!
Se mirë, moj ty t’thau vera,
Qysh se shkjau âsht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.

11. T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue
T’kanë damun copa-copa,
Si t’ishe pa zot lshue,
E shk’âsht mâ fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’Mdha.

12. O Zot! O Zot! Mostjetër
Per ketë pleqni trathtare,
Qi europa, rrênce e vjetër,
Bani mbi tokë shqyptare
Deh! Ti mos len qi niri
Kshtû t’a dhunojë pa hiri.

13. Veç m’ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse nierit fjalët e besën
Fort mirë sot po i a njohim;
Ai syt s’i prír kurr njeti,
veç ku mund t’grryejë per veti.

14. Prandej o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né
E bân qi puna t’kthiellet,
Si âsht mirë për Atme e Fé;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.

Nga At Gjergj Fishta: “Mrizi i Zànavet, Shkoder 1941/RV

28 shkurt 2026, 15:12