Atë Ielpo: mbledhja e ndihmave për Tokën Shenjte, përgjigje paqësore, në një kohe të vështirë
R.SH. / Vatikan
Edhe këtë vit, në zemër të kohës së Kreshmëve dhe në prag të së Premtes së Madhe të Pashkëve, Kisha katolike universale përtërin një gjest të lashtë e thellësisht kishtar: mbledhjen e ndihmave për Tokën Shenjte. Nuk është thjesht mbledhje ofertash, por akt konkret bashkimi me të krishterët që jetojnë në vendet ku Ungjilli u mishërua.
Jep shpresë, e mbjell paqe
Me titullin "Jep shpresë, e mbjell paqe", nisma përfaqëson një shenjë konkrete bashkimi e shprese. "Ndërsa Java e Shenjtë e Pashkëve po afrohet", deklaroi në një videomesazh Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo, "zemra jonë e shikimet tona kthehen këtu, në tokën ku Biri i Hyjit dha jetën e tij 'deri në fund të fundit', e nga e cila lindi Kisha. Edhe sot, nga këto vende të shenjta, ne vazhdojmë të thithim nga burimi i Pashkëve kuptimin dhe shpresën e shërbesës sonë. Pa e fshehur faktin se po jetojmë në kohë të vështira".
Fra Ielpo kujton se "lufta, dhuna dhe pasiguria e prekën rëndë Gazën, Palestinën, Izraelin, Libanin dhe Sirinë. Të gjitha këtyre u shtohet mungesa e zgjatur e shtegtarëve e cila e rëndoi situatën ekonomike, tashmë në krizë të thellë". Në të vërtetë, "shumë familje të krishtera, të cilat jetuan falë shtegtimeve, sot luftojnë për të shpëtuar veten. Të rinjtë po përpiqen gjithnjë e më shumë ta imagjinojnë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre. Vetë shpresa duket e plagosur: në Betlehem, Jerusalem, Izraelin verior, si dhe në Liban e Siri. “Në këto rrethana, thekson ai, fjalët e Atit të Shenjtë jehojnë fuqishëm, qëkur na thirri në urgjencën e lutjes dhe të agjërimit për paqe, duke kërkuar me forcë t'i jepet fund konfliktit në Tokën Shenjte".
Një shenjë konkrete bashkimi
Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Ielpo shpjegon se "Mbledhja e ndihmave” - shkurt - “Lëmosha – a oferta Papnore për Tokën Shenjte” nuk është vetëm gjest solidariteti: është shenjë konkrete e bashkimit me Kishën e Jerusalemit. Falë saj, mund të mbështesim shkollat, famullitë, veprat bamirëse, projektet sociale dhe ndërhyrjet emergjente, duke e mbajtur gjallë praninë e krishterë në vendet e Shëlbimit. Sot, më shumë se kurrë, shton Atë Ielpo, jemi të thirrur të rindërtojmë: jo vetëm ndërtesat, por edhe marrëdhëniet, fenë dhe shpresën. E kjo vjen mbi të gjitha nga arsimi, nga të rinjtë, nga familjet, nga vendet ku mund të lindë kultura e takimit dhe e paqes". Prej këndej, ftesa për të mos e harruar Tokën Shenjte.
"Na kujtoni në lutje dhe na mbështesni me bujarinë tuaj. Afërsia juaj është për ne shenjë e çmuar vëllazërie dhe shprese".
Sigurimi i ardhmërisë, për bashkësitë e krishtera
Mbështetje e Tokës së Shenjtë do të thotë ruajtje e kujtesës së gjallë të Mishërimit dhe të Ngjalljes së Krishtit, por edhe sigurim i ardhmërisë për bashkësitë e krishtera që vazhdojnë, ndërmjet një mijë vështirësish, të jenë shenjë paqeje dhe dialogu në zemër të Lindjes së Mesme. Prandaj, gjesti i dhurimit a i ofertës, i kryer shpesh në heshtjen e një kremtimi liturgjik, mund të bëhet akt bashkëpërgjegjësie misionare. Dhurimi do të thotë pjesëmarrje në kujdesin për vendet shenjte dhe në dëshminë e krishterë, atje, ku nisi gjithçka...