Kërko

Festa Zojës së Lurdit në Sapës dhe Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve

Në festën Zojës së Lurdit, më 11 shkurt, në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, bashkuar me Papa Leoni XIV dhe me mbarë Kishën Katolike, është kujtuar Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve, udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, Atë Mariano Tarantino

R.SH. / Vatikan

Në  festën Zojës së Lurdit, më 11 shkurt, në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, bashkuar me Papa Leoni XIV dhe me mbarë Kishën Katolike, është kujtuar Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve, udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, Atë Mariano Tarantino. Nga Vau-Dejës njoftimi Violeta Marashit:

Violeta Marashi

FESTA E ZOJËS SË LURDIT NË SAPË

Në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës në Vau-Dejës, bashkuar me Papa Leoni XIV dhe me mbarë Kishën Katolike është kujtuar Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve, në festën Zojës së Lurdit. Festa liturgjike e kësaj dite u kremtua me Meshën e Shenjtë të udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, Atë Mariano Tarantino, në bashkëcelebrim me meshtarë të tjerë, ku morën pjesë shumë besimtarë që shtegtuan drejt katedrales. Të ftuar të veçantë ishin të sëmurët nga të gjitha famullitë e dioqezës sonë, të cilët, të shoqëruar nga meshtarët, motrat përgjegjëse në famulli, dhe nga të afërmit e tyre, kanë bashkëndarë lutjet e tyre me besimtarët e tjerë, duke i kërkuar Zotit ndihmë për t’i lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet e trupit.

Në fillim të kremtimit, Atë Mariano iu është drejtuar në veçanti të sëmurëve, duke ju uruar mirëseardhjen në këtë ditë dedikuar pikërisht atyre. Ndërsa gjatë homelisë ai theksoi rolin e Zojës në jetën e secilit prej nesh dhe kuptojmë se si Zoti e ka përmbushur premtimin e tij duke na ngushëlluar porsi nëna që ngushëllon fëmijën e saj. Ne kemi parë gjithë ato premtime që Zoti na i ka dhënë përmes Zojës së Lurdit që është shfaqur. Kemi parë vërtetë se si bari i njomë u përtërinë eshtrat e shumë njerëzve të sëmurë që kanë shtegtuar drejt këtij vendi të shenjtë ku kanë kërkuar shërimin e sëmundjeve të tyre. Pikërisht aty në atë vend të bekuar përtërihen vazhdimisht jo vetëm shëndeti por forcat edhe zemrat tona. Janë lumë njerëzish që prej shumë vitesh shtegtojnë me karrocat e tyre dhe tek këmbët e Zojës që iu shfaq Benardetës, kërkojnë hiret dhe bekimet e saj.

Siç na tregon dhe historia e shfaqjes së Zojës, ku vetë Zoja i premtoi vajzës Benardetë se aty do gjejë një gurrë uji që do t’i freskojë. Dhe sot e kësaj dite kjo gurrë uji vazhdon të rrjedhë dhe të freskojë zemrat e njerëzve që i luten tek këmbët e Zojës duke kërkuar mrekulli për sëmundjet e tyre.

Duke përfunduar, Atë Mariano u ndal edhe tek dëshmitë e mijëra njerëzve që kanë gjetë shërim tek Zoja e Bekuar Nëna jonë e Papërlyer. Edhe në lutjet që u drejtuan gjatë meshës, përveçse u lutën për shëndetin e të sëmurëve, një lutje e veçantë u drejtua Zojës që u shfaq si Nënë e dashur dhe ngushëlluese e të sëmurëve dhe të vuajturve duke i kërkuar ti besojmë zemrës amnore të Zojës ipeshkvin tonë të dashur Mons Simonin, të cilin Zoti e thirri pranë vetes. Dhe gjatë ofertores u sollën edhe kujtimet si shenjë e shërbimit të bariut dhe përkushtimit të tij ndaj kësaj grigje, kryesisht varfërve dhe të sëmurëve që aq shumë i deshi gjatë gjithë jetës së tij.

Në fund të meshës, Administratori Dioqezan iu dha bekimin të gjithë të pranishëmve që Zoti të derdhë mbi ta vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës. Pas meshës, Caritasi Dioqezan i Sapës ofroi një drekë vëllazërore për të gjithë të sëmurët.

nga Violeta Marashi

12 shkurt 2026, 16:25