Trupi i shën Françeskut për herë të parë i dukshëm për të gjithë
R. Sh. Vatikan
"Për herë të parë në histori, eshtrat e Shën Françeskut të Asizt do të shfaqen e do të jenë të dukshme për të gjithë. Ekspozimi i parë publik parë i eshtrave të tij është një mundësi e çmuar për të rizbuluar te Françesku «alter Christus» - Krishtin tjetër, siç e kanë quajtur, i cili na mëson rrugën e dashurisë, pajtimit, vëllazërisë dhe dhurimin e plotë të vetes për Zotin dhe të tjerët, si rrugë drejt një jete të përmbushur". Këto janë fjalët e fra Marco Moronit, frat i Kuvendit të Etërve të Vegjël, siç quhen ndryshe Etërit Françeskanë, kujdestar i Kuvendit të Shenjtë të Asizit që nga viti 2020.
Kështu, nga 22 shkurti deri më 22 mars 2026, me rastin e tetëqindvjetorit të vdekjes të së Vobektit të Asizit, siç quhet ndryshe shën Françesku, vit që u shpall vit i veçantë jubilar nga Papa Leoni XIV – eshtrat e shenjtorit që u sollën nga varri i tij në kriptë u vendosën te këmbët e altarit në Kishën e poshtme të Bazilikës së Shën Françeskut, në Asizi. Do të lihen këtu në pah për nderim nga besimtarët. Për të menaxhuar dyndjen e shtegtarëve nga e gjithë bota, është ngritur një sistem rezervimesh falas dhe i detyrueshëm. Mbi treqind mijë rezervime janë bërë tashmë.
Pse vendosët ta organizoni këtë shfaqje të eshtrave të shenjtit në tetëqindvjetorin e vdekjes së tij?
"Sepse i përgjigjet dëshirës së shumë njerëzve. Edhe me timen gjithashtu, dhe sepse besimi i krishterë nuk është fé abstrakte, por një përvojë që rrok trupin dhe lëndën. Është trup, dhe me trupin tonë ne zbulojmë se Zoti na do, dhe jetojmë dashurinë tonë për Zotin, vëllezërit dhe motrat tona dhe gjithë botën. Mbetjet mortore të Françeskut janë një dëshmi e heshtur, por që flasin plot për jetën e tij, të shpenzuar dhe të dhuruar për dashuri. Bashkimi me shenjtët forcohet nga kontakti i drejtpërdrejtë me trupat e atyre që na kanë paraprirë.
Një përvojë që e keni pasur tashmë…
"Po, isha i pranishëm kur u zhvillua inspektimi i eshtrave të tij në vitin 2015, pas ekzaminimit të vitit 1978 dhe inspektimit tjetër në vitin 1994. U zhvillua kur Bazilika ishte e mbyllur, në prani të të gjitha bashkësive françeskane të Asizit. Gjithçka ndodhi me thjeshtësi, në frymën e lutjes dhe nderimit. Ishte një gjë shumë e bukur ky takim i familjes françeskane rreth themeluesit. Ishte një mundësi për t’u bërë edhe më të vetëdijshëm – në prani të eshtrave të tij, të shënuara dhe të konsumuara nga mundi, sëmundja dhe koha. Hapja e varrit të tij dëshmoi shtatin e imtë të Françeskut. Ai ishte krenar për “vogëlsinë” e tij: jo aq shumë fizike, por më tepër përulësinë e tij, “minoritët”-in e tij, siç quhen ndryshe Etërit Françeskanë, duke e bërë veten shërbëtor të të gjithëve, duke shmangur çdo privilegj. Kjo vogëlsi përfaqësohet mirë nga eshtrat e tij. Dhe nëse kqyrja dhe nderimi i eshtrave na ka bërë mirë neve, pse të mos u bëjë kaq mirë shumë të tjerëve? Prandaj u mor vendimi për të organizuar këtë shfaqje publike të eshtrave të tij. Besoj se do të forcojë besimin e shumë njerëzve.
Në një shoqëri dhe një kulturë që duket se ka humbur njohjen me bazat e përvojës së krishterë, si mund ta propozojmë nderimin e eshtrave të një shenjtori në mënyrë që të jetë një përvojë e vërtetë besimi?
"Rreziku i rënies në hyjnizim është i mundur, ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Por mund të parandalohet duke paraqitur qartë rëndësinë shpirtërore dhe kishtare të këtij gjesti: siç synojmë të bëjmë me itineraret, materialet dhe përvojat e vizitave që ofron bashkësia jonë françeskane e kishtare. Këto gurrën e frymëzimit e kanë te fragmenti Ungjillor që karakterizon këtë shfaqje të eshtrave të shenjtit: "Nëse një kokërr gruri nuk bie në tokë dhe nuk vdes, ajo mbetet vetëm; por nëse vdes, jep shumë fryt", siç lexojmë te Gjoni 12,24. Një fragment që na flet për Jezusin. Dhe që rikthen horizontin e jetës së Françeskut, «alter Christus». Duke parë dhe nderuar trupin e tij, i cili i është nënshtruar vdekjes, ne jemi të thirrur ta mirëpresim dhe ta përvetësojmë këtë mesazh. Kjo është një jetë e plotë, autentike, e lumtur, një jetë e konsumuar dhe e dhënë për dashurinë e Zotit dhe vëllezërve dhe motrave tona. Një mesazh ndryshe nga ai i të tjerëve, në një shoqëri që në vend të kësaj ju thotë: jetë e lumtur është vetëm ajo që jetohet për veten, prandaj mos shpenzoni dhe mos konsumoni veten për të tjerët, kurseni veten, shikoni veten, kërkoni përfitimin tuaj.
Si do të zhvillohet vizita?
Le të fillojmë me "kur": jemi në tetëqindvjetorin e vdekjes së Françeskut. Por nëse e kujtojmë vdekjen e tij, e bëjmë për të kremtuar jetën e tij. Është për të njohur se si Françesku vazhdon të "japë fryt" tek të gjithë ata që ecin në gjurmët e tij. Duke folur përsëri për "kur", po them se ekspozita do të zhvillohet gjatë Kreshmëve, një kohë e frytshme për të mësuar si të vdesim nga dashuria për të tjerët, për t'u zhytur në misterin e "vdekjes trupore të motrës sonë" – siç e quante Shën Françesku vdekjen fizike – dhe për t'u hapur ndaj misterit të jetës së re te Pashkët e Jezu Krishtit. Përsa i përket pyejtes “si dhe qysh”: individët, familjet dhe grupet që parapëlqejnë një çast nderimi personal dhe të heshtur mund të ecin drejt eshtrave të Françeskut; përndryshe, mund të organizohen vizita në grup, të udhëhequra nga një frat që mirëpret shtegtarët dhe i shoqëron ata tek urna ku gjenden eshtrat e tij, dhe përfundon me një moment lutjeje dhe ripërtëritjeje të premtimeve të pagëzimit. Vizita do të shoqërohet gjithashtu edhe nga trashëgimia e jashtëzakonshme artistike e Kishës së poshtme të Bazilikës, e cila na ndihmon të riinterpretojmë figurën e Françeskut si një njeri i realizuar plotësisht në varfëri, bindje dhe dëlirësi - vlera që shkojnë kundër rrymës në shoqërinë e sotme - dhe si «alter Christus» që na thërret dhe na shoqëron në rrugën e konformitetit me Krishtin.
Viti 2023 shënoi tetëqindvjetorin e miratimit të Rregullës Françeskane dhe të Krishlindjes së kremtuar nga Shën Françesku në Greccio, viti 2024 përvjetorin e stigmatave; viti 2025 përvjetorin e Këngës së Krijesave dhe tani përvjetorin e vdekjes së tij. Çfarë gjurmësh kanë lënë ato te shtegtarët që vijnë në Asizi?
Nuk është e lehtë të përgjigjem. Në dy ose tre vitet e fundit në veçanti, vizitorët janë rritur ndjeshëm, nga Italia dhe nga e gjithë bota. Vetëm në vitin 2025, vlerësojmë se kemi mirëpritur mbi tre milionë njerëz. Megjithatë, është e pamundur të dimë se sa vijnë si turistë, të tërhequr nga arti dhe peizazhi, dhe sa si shtegtarë, të shtyrë nga besimi. Ajo që vërejmë është se shumë njerëz po rrëfehen pas shumë vitesh pasi kanë hyrë në Bazilikë, pa asnjë qëllim për ta bërë këtë. Shumë që vijnë në Asizi për të nderuar eshtrat e Carlo Acutis-it, pastaj vijnë te Françesku dhe anasjelltas. Dhe shumë, megjithëse nuk motivohen nga besimi, shtyhen nga etja për të kuptuar, një dëshirë për thelbësoren, e cila nuk gjen përgjigje në këtë shoqëri konsumizmi dhe teknologjike, që ngop pa i kënaqur. Unë besoj se qindvjetorët e viteve 2023 dhe 2024 u përjetuan dhe u vlerësuan mbi të gjitha nga ata që tashmë e njohin Françeskun, mesazhin e tij, përshpirtërinë e tij. Njëqindvjetori i Këngës së Këngëve ndoshta ka pasur një jehonë më të madhe: të flasësh për krijimin është më e rëndësishme për kulturën e kohës sonë, të ndjeshme ndaj çështjeve mjedisore. Sigurisht, ne gjithashtu duhet të rizbulojmë pjesën e fundit të Këngës së Këngëve, ku flitet për faljen, mëkatin, vdekjen...
Në vitin 2026, kremti i festës së Shën Françeskut do të jetë përsëri festë kombëtare në Itali. Ligji që e rivendosi atë si të tillë mori mbështetje pothuajse të njëzëshme nga e gjithë bota politike. Dhe shumë e shohin Françeskun si faktor jetësor dhe gjenerues i identitetit kombëtar italian. Si mund ta kuptojmë saktë - në një mënyrë françeskane, guxoj të them - një fjalë komplekse dhe delikate si "identiteti", veçanërisht kur elementët fetarë dhe jofetarë shkojnë bashkë?
Historia na mëson se sa shumë janë përpjekur ta tërheqin Françeskun nga vetja. Kështu, nëse sot kemi Françeskun «pacifist» ose «ekologjist», le të mos harrojmë se si në vitin 1926, regjimi fashist u përpoq të përfitonte nga 700-vjetori i vdekjes së tij duke e shkrirë Musolinin me Françeskun! Ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë kundër teprimeve të "fesë civile" dhe tundimeve të "ateistëve të devotshëm" dhe të tregojmë kujdes kur e shoqërojmë besimin me identitetin kombëtar. Do të përgjigjem duke u mbështetur tek ajo që kam mësuar nga teologjia biblike. Populli i Izraelit u zgjodh nga Zoti për të dëshmuar bekimin e Zotit për të gjithë popujt, jo për ta mbajtur atë ekskluzivisht për vete. Në mënyrë të ngjashme, Françesku është padyshim më italiani i shenjtorëve dhe më shenjtori i italianëve, siç ka shkruar Vincenzo Gioberti, dhe ka ndikuar thellësisht në historinë, kulturën dhe ndjeshmëritë e italianëve. Por lidhja me Françeskun, pajtorin qiellor të Italisë, është një dhuratë që populli italian është i thirrur ta ndajë me të gjithë. Dhe Françesku - siç na tregon historia e Kishës dhe dinamizmi i saj misionar - është një farë që ka lëshuar rrënjë në çdo kontinent, popull dhe kulturë. Françesku, me mesazhin e tij të paqes dhe vëllazërisë, është një shenjtor që u flet të gjithëve. Dhe askush nuk mund të thotë se është vetëm i tij.