Kërko

2026.02.20  Vangelo della I Domenica di Quaresima A - le tentazioni di Gesù

E diela e parë e Kreshmëve

Jezusi e dëbon kështu djallin, autor i së ligës dhe i tundimit, dhe e bën këtë duke u përshkuar ndër njerëzit, që të ndjejë dhembshuri “të durojë me ne ligështitë tona” (Heb 4,15). Kështu lexojmë edhe në jetën e Shën Antonit, abat, atit të murgjve. I rraskapitur nga lufta fitimtare kundër tundimeve, ai e sheh Zotin në një rreze drite dhe e pyet: “Ku ishe? Pse nuk u shfaqe që në fillim për t’u dhënë fund vuajtjeve të mia?” Ndërsa Ati i përgjigjet: “Anton, isha këtu duke u munduar me ty”

R.Sh. Vatikan

Nga Ungjilli sipas Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”  Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!” Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.” Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djallë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

Periudha e Kreshmëve është një kohë sprove, lufte, qëndrese kundër tundimeve që na rrethojnë; është një udhëtim nëpër shkretëtirë që na çon drejt dhuratës së Zotit, drejt një takimi me të. Prandaj, të dielën e parë të kësaj periudhe liturgjike, vërejmë sa i vërtetë është tundimi që kalon çdo qenie njerëzore, që sprovoi vetë Jezusi, edhe ai një "bir i Adamit" (Luka 3,38). Në mënyrë domethënëse, Letra drejtuar Hebrenjve na zbulon se "vetë Jezusi u sprovua (pepeirasménos) në çdo aspekt ashtu si edhe ne, por pa bërë mëkat" (Heb 4,15). Prandaj, ai i mposhti tundimet, por nuk mund t’u shmangej, sepse në natyrën e tij njerëzore, të vërtetë dhe konkrete, edhe ai kishte brishtësinë, dobësinë e "mishit" (sárx).

Ungjijtë nuk ngurrojnë të na paraqesin një Jezus të tunduar nga djalli, nga kundërshtari i tij, një fuqi që e çon njeriun drejt së keqes, domethënë, kundër vullnetit të Zotit. Kjo gjë i ndodhi Jezusit në shkretëtirë, menjëherë pas pagëzimit të tij. Pastaj i ndodhi shumë herë të tjera gjatë misionit të tij dhe së fundmi në kryq.

Ungjilli i Markut dëshmon se, pasi Jezusi u zhyt në Jordan nga Gjon Pagëzori, "Fill pastaj Shpirti Shenjtë e shtrëngoi të shkojë në shkreti. Në shkreti qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit" (Mk 1,12-13): i tunduar vazhdimisht prej tij!

Bazuar në këtë dëshmi, Mateu dhe Luka (krhs Luka 4:1-13) kërkojnë të na japin një përshkrim, një rrëfim të asaj që ndodhi, një skenë të ngjarjeve të përjetuara nga Jezusi nga brenda – mund të themi në thellësinë e zemrës së tij dhe për këtë arsye të ndërgjegjes së tij – të sprovave që nuk kursyen personin, trupin dhe shpirtin e tij.

Sipas Mateut dhe Lukës, tundimet mund të përmblidhen në tri çaste, tri sulme nga djalli. Me dituritë që marrim nga shkencat njerëzore, sot ne dimë t'i interpretojmë këto tri sprova si qëndresë kundër tri epsheve themelore që kemi brenda nesh: libido amandi, libido dominandi dhe libido possidendi, që shqip janë: dëshira e ngashnjimit; e zotërimit dhe e sundimit. Këto janë tundimet të cilave u nënshtrohet i gjithë njerëzimi, siç e shpreh mirë libri i Zanafillës kur thotë se qenia njerëzore "vërejti se pema" që nuk duhej ngrënë "ishte e mirë për ta ngrënë, dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen" (Zan 3,6).

Kur ne, njerëzit, hyjmë në marrëdhënie me realitetet e kësaj bote, ndiejmë forca, nevoja dhe dëshira që çlirohen brenda nesh dhe që, nëse nuk kontrollohen, na pengojnë të njohim praninë e të tjerëve dhe të Hyjit, burimin e çdo dhurate.

Edhe Jezusi, njeri si ne – dhe nuk duhet të shkandullohemi nga kjo, as të dyshojmë nëse ai është apo jo Biri i Hyjit, Fjala e bërë mish (krh. Gjn 1,14) – nuk ishte i përjashtuar nga tundimet. Ai nuk iu shmang, por i duroi, duke u përballur me to dhe duke e mposhtur kështu djallin me vullnetin e tij dhe fuqinë e fjalës së Hyjit.

Le të mos harrojmë se rrëfimi i Mateut përmend edhe popullin e Izraelit i cili, duke dalë nga Deti i Kuq, udhëton nëpër shkretëtirë, dhe tundohet tri herë (krhs Dalja 16; 17; 32) por ky popull dorëzohet e bie në mëkat.

Jezusi, i mbushur me Shpirtin Shenjtë (krhs Mt 3,16), udhëhiqet nga i njëjti Shpirt në shkretëtirë, dhe tundimi shfaqet kur e mundon uria pas dyzet ditësh agjërimi: "Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të bëhen bukë".

Nëse ai është vërtet Biri i Hyjit, sikurse tha zëri nga qielli kur Jezusi u pagëzua (krhs Mt 3:17), atëherë, tunduesi i propozon që Jezusi të dalë nga natyra e tij njerëzore që ka marrë dhe të ngihet me bukë, por jo si çdo njeri tjetër që siguron ushqim përmes mundit dhe punës, por thjesht duke përdorur fuqinë e Tij.

Nuk është rastësi që tundimi i zanafillës, dhe për këtë arsye i hershëm, ka të bëjë me të ngrënit, me gojën. Në këtë pikë, u tunduan dhe ranë në mëkat burri dhe gruaja (krh. Zan 3, 1-7), sepse këtu, është në lojë dashuria egoiste për veten, philautía. Shndërrimi si me magji i gurëve në bukë për t'i shpëtuar urisë është një ëndërr e qenies të plotfuqishëm: njeriu i uritur tundohet të mos i njohë më të tjerët, nuk mendon të ndajë kafshatën me tjetrin, nuk e mendon më solidaritetin, bashkimin. Të ekzistosh për veten, ky është tundimi themelor që çon në anashkalimin e të tjerëve dhe në mosnjohjen e dhuratës së Zotit.

Ky tundim i parë mund të interpretohet edhe në fushën politike. Jezusi tundohet të shndërrojë gurët në bukë për të kryer një akt të mrekullueshëm në sytë e njerëzimit: nëse ai është Shpëtimtari, ai do të jetë në gjendje të shuajë rrënjësisht dhe menjëherë urinë botërore dhe do të njihet dhe shpallet çlirimtar. Nuk është rastësi që diku tjetër turma do të jetë e gatshme ta bëjë mbret nëse ai u siguron atyre bukë (krhs. Gjoni 6,11-15, 26). Vlen të kujtojmë, në këtë drejtim, interpretimin e këtij tundimi nga Fjodor Dostojevski tek libri "Legjenda e inkuizitorit të madh": "A i shihni këto gurë në shkretëtirën e zhveshur dhe të djegur? Shndërrojini në bukë dhe njerëzimi do t'ju ndjekë si një tufë e bindur dhe mirënjohëse."

Jo, Jezusi është Biri i Hyjit i cili, duke u bërë njeri, e zhveshi veten nga aftësitë e tij hyjnore dhe i mbeti gjithmonë besnik kësaj gjendjeje. Prandaj, ai nuk e kryen mrekullinë, por i përgjigjet djallit: “Shkrimi shenjt thotë: ‘se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojës së Zotit’ (Ligji i Përtërirë 8,3).”

Në këtë mënyrë, Jezusi pohon se uria për bukë është e padiskutueshme, por uria për fjalën e Hyjit është edhe më jetësore, më thelbësore sesa plotësimi i nevojës për ushqim. Ja dëshmia e besimit të Jezusit në fjalën e Hyjit, e bindjes së tij të palëkundur ndaj Atit, e qendresës së tij kundër tundimit deri në fitore.

Tundimi i dytë vijon: “Djalli e çoi në majë të tempullit” në Jeruzalem, qytetin e shenjtë ku ngjiten dhe mblidhen të gjithë bijtë e Izraelit. Jezusi është në fillim të misionit të tij: cila gjë mund t’i shërbejë më mirë sesa një shenjë, një mrekulli, një dalje në pah para të gjithëve? Nëse ai hidhet nga lartësitë e tempullit dhe, si Biri i Hyjit, mbështetet mrekullisht nga engjëjt, atëherë identiteti i tij do t'u imponohet të gjithëve dhe ai do të shpallet si Mesia. Le të tregojë se kush është, le të tregojë se është Zot në mes të popullit të vet, sepse kjo është pyetja e jobesimtarëve gjatë shekujve: "A është Zoti ndër ne apo jo?" (Dal. 17,7).

Ky tundim që Jezusi ndjen se po shfaqet brenda tij do të ngacmohet shumë herë nga dëgjuesit e tij: "Na trego një shenjë nga qielli dhe ne do të besojmë!" (krhs. Mt 12:38; 16:1; 24:3). Këtu nxjerr kryet aludimi se ai është Mesia sipas imagjinatës dhe mendimit të njerëzve, por Jezusi zgjodhi të ishte Mesia i kundërt: i dobët, i varfër, i poshtëruar, i refuzuar; një Mesi shërbëtor, jo një sundimtar i fuqishëm!

Në tempull, vendin e fesë, ndodh tundimi përfundimtar: nëse Jezusi është Biri i Zotit, atëherë ai nuk do të vdesë, nuk do të preket prej saj. Për ta bërë këtë tundim të dukshëm, djalli citon Shkrimin Shenjtë (krhs. Ps 91,11-12), por duke e shtrembëruar atë dhe duke e shfrytëzuar kundër Zotit. Premtimi i mbrojtjes i shpallur nga Zoti besimtarit në psalm duhet të realizohet si një epifani e fuqisë së Mesisë, si përjashtim nga vuajtja dhe vdekja, si fuqi e pakufi.

Por Jezusi, i cili erdhi për të dhënë jetën e tij nga dashuria për të gjithë ne njerëzit (krh. Mt 20:28), i cili erdhi në varfëri dhe në përulësinë e një shërbëtori të Zotit, nuk mund ta pranojë këtë sugjerim, i cili do ta shpërfytyronte imazhin e Zotit. Kështu, duke kujtuar fjalën e Zotit, Jezusi i përplas djallit në fytyrë fjalët: "është shkruar, nuk do ta vësh në sprovë Zotin, Hyjin tënd" (Ligji i Përtërirë 6:16). Jezusi pranon të vihet në sprovë. Për sa kohë që është midis nesh, Jezusi dëshiron të mbetet shumë njerëzor, pa fuqi hyjnore, dhe për këtë arsye do t'i mbetet besnik Atit deri në fund, duke mos iu dorëzuar kurrë tundimit për të mohuar ose zbutur gjendjen e tij njerëzore, që është e përbashkët me ne, për të ekzistuar me ne, për të njohur dobësinë tonë dhe për t’ia paraqitur Atit si të tijën.

Më në fund vjen tundimi i tretë dhe i fundit: sapo libido dominandi, dëshira për sundim mposhtet, hyn në lojë libido possidendi – dëshira për zotëruar sende. Këtë herë Jezusi çohet nga djalli në një mal të lartë, nga i cili sodit rruzullin dhe gjithçka që përmban, të gjitha pasuritë e tij, mbretëritë në duart e sundimtarëve të kësaj bote, lavdinë me të cilën mburren.

Jezusi është vërtet një Mbret, Mbreti i Judenjve, ai është Mesia, Mbreti i shuguruar, kreu i popullit të tij, prandaj pasuria dhe lavdia i takojnë edhe atij. Ai mund t'i zotërojë ato, por me një kusht: duhet të adhurojë djallin, princin e kësaj bote. I takon Jezusit të zgjedhë: ose të bëhet shërbëtor i djallit ose të mbetet shërbëtor i Zotit. Nga njëra anë, nder, pushtet, lavdi, pasuri; nga ana tjetër, varfëri, shërbim, përulësi. Në Ungjillin sipas Lukës, djalli e plotëson këtë tundim me një fjalë tjetër: "Mua më është dhënë e gjithë pasuria e kësaj bote dhe unë ia jap kujt të dua" (krhs. Luka 4:6). Po, ai që mban pasuritë e kësaj bote është djalli, dhe për këtë arsye kushdo që grumbullon pasuri, madje edhe për qëllime të mira, dhe nuk arrin t’i ndajë ato me të tjerët, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, është mbarështues i djallit!

Ky refuzim i Jezusit përmbledh supozimin e varfërisë si logjikë poshtërimi, përulësie: “Ai që ishte i pasur u bë i varfër për hirin tonë” (krh. 2 Korintasve 8:9), “i cili edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit” (krh. Fil 2,6-7).

Ne e dimë se çfarë mund të thoshte Jezusi pikërisht pasi përjetoi këtë tundim: “Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Mt 6:24). Kjo është arsyeja pse fjala e Hyjit që përmend Jezusi, është një urdhër themelor dhe përfundimtar: “Adhuroni Zotin, Hyjin tuaj, dhe vetëm atij t’i shërbeni” (Ligj 6,13). Në këtë mënyrë, Jezusi na lë edhe një rrugë për të ndjekur kur tundohemi. Kur lind tundimi, nuk duhet të hyjmë në dialog me Satanin, nuk duhet të ngurrojmë e t’i vëmë vesh joshjes, ndoshta duke u mbështetur në forcën tonë. Jo, thjesht duhet t’i drejtohemi fjalës së Zotit, të thërrasim Zotin, të mos i nënshtrohemi asnjë dialogu me të keqen, por ta largojmë tunduesin me forcën e Zotit.

Jezusi e dëbon kështu djallin (“Largohu, djall!”), autor i së ligës dhe i tundimit, dhe e bën këtë duke u përshkuar ndër njerëzit, që të ndjejë dhembshuri “të durojë me ne (simpatêsai) ligështitë tona” (Heb 4,15). Kështu lexojmë edhe në jetën e Shën Antonit, abat, atit të murgjve. I rraskapitur nga lufta fitimtare kundër tundimeve, ai e sheh Zotin në një rreze drite dhe e pyet: “Ku ishe? Pse nuk u shfaqe që në fillim për t’u dhënë fund vuajtjeve të mia?” Ndërsa Ati i përgjigjet: “Anton, isha këtu duke u munduar me ty”.

nga  Enzo Bianchi

 

21 shkurt 2026, 10:12