2021.08.06 Trasfigurazione del Signore

E diela e dytë e Kreshmëve, viti ‘A’ .

«Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu!» (Mt 17,1-9)

R.SH. - Vatikan

Nga Ungjilli sipas Mateut (Mt 17,1-9)

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shnditshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”
  

Çdo vit, të dielën e dytë të Kreshmëve, lajmi i mirë është Shndërrimi i Jezusit, sikurse rrëfehet në tre Ungjijtë sinoptikë, një ngjarje që e kremtojmë si një mister të madh, në mënyrë që ta përjetojmë në jetën tonë.

Në betejën e përditshme për t’i shkuar mbrapa Jezusit duke mbajtur kryqin tonë (krh. Mt 16,24), kemi nevojë për ndonjë çast kur mund të themi: «Është mirë për ne të jemi këtu pranë teje, Jezus, Zoti ynë!»; çaste kur drita e "Zotit-me-ne" (Mt 1,23) bëhet e dukshme, kur besimi ynë vërtetohet nga zëri i Hyjit që dëgjojmë në zemrat tona e që thotë: "Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!" Këto janë çaste të rralla të një pranie të pakapshme, por shumë të nevojshme për ne...

Ne jemi, në të vërtetë, si Pjetri dhe dishepujt që ishin me Jezusin, por që kuptonin pak nga lavdia e tij e vërtetë, fuqia e tij e vërtetë, uria e tij e vërtetë. Nuk është rastësi që djalli – sikurse medituam të dielën që shkoi – e tundoi Jezusin duke i thënë: «Nëse je Biri i Hyjit... sundo botën!» (krahaso Mt 4,3, 6), sepse edhe Pjetri, pak para Shndërrimit, kur dëgjoi Jezusin që i paralajmëroi për Mundimet e Tij si të domosdoshme, iu përgjigj: «Nëse ti je Biri i Hyjit, kjo nuk mund të të ndodhë kurrë!» (krhs Mt 16,22).

Pjetri, i vetmi që kishte rrëfyer besimin e vërtetë në Jezusin – "Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë" (Mt 16:16) – në të vërtetë nuk mund ta pranonte pikërisht këtë, që Jezusi, si Biri i një Hyji që është dashuri, të mos bëhej sundimtar, por të jepte jetën e tij, pa u mbrojtur, dhe të gjente vdekjen duke rënë viktimë e të fuqishmëve të kësaj bote.

Por ja, Hyji vjen të takohet me Pjetrin dhe me ne, "për të na treguar se Mundimet që Jezusi duhej të vuante ishin lavdia e tij, lavdia e Ngjalljes", siç thotë paralutja e liturgjisë së sotme.

Po, Biri i Hyjit, i cili gëzonte natyrën e Hyjin dhe, kur erdhi në botë, mori natyrën e njeriut, të skllavit (krh. Fil 2:6-7), tani për një çast – dhe për aq sa mund të shihnin tre dishepujt –  merr prap natyrën e Hyjit. Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, dëshmitarë të Shndërrimit të Jezusit, u duhet ta kujtojnë këtë ngjarje kur më vonë do të dëshmojnë shpërfytyrimin e Jezusit në orën e Mundimeve, në kopshtin e Gjetsemanit (krh. Mt 26,36-46).

Por a dimë ne si ta presim këtë zbulesë të Hyjit rreth Jezusit? A dimë si ta dallojmë lavdinë e vërtetë të Jezusit dhe, si pasojë, lavdinë e dishepullit?

Le ta dëgjojmë me kujdes këtë lajm të mirë sipas Mateut.

Jezusi, me tre dishepuj të zgjedhur prej tij, ngjitet në një mal të lartë, vendin e shfaqjes së Hyjit. Këtu, ai e tregoi veten si Moisiu, të cilit Hyji i kishte folur në mal (krh. Dal 24:9-18), duke i dhënë gjithashtu një pamje të shndërruar (krh. Dal 34,29). Në mal, «fytyra e Jezusit ndriti si dielli», duke reflektuar lavdinë hyjnore që e rrethonte si Birin e përjetshëm të Hyjit, dhe pranë tij u shfaqën Moisiu dhe Elia, domethënë ligji dhe profetët, duke përmbushur profecinë e Malakisë (krh. Mal 3,22-24).

Ja pra, këtu shfaqen profetët e Zotit, dhe vetë Zoti ndërmjet këtyre dyve. Ai që po vinte, sipas Malakisë këtu ishte profeti eskatologjik për të cilin Hyji kishte kërkuar: “Dëgjojeni!” (krh. Ligji i Përtërirë 18,5). Tani, zëri i Hyjit rrëfen se pikërisht ndërmjet Moisiut dhe Elisë, gjendet Jezusi, Biri i tij i dashur dhe i vetëm. Ky është rrëfimi përfundimtar i Hyjit për ne (krh. Gjn 1,18). Jezusi është ai që duhet të dëgjojmë! Dhe lavdia e tij pasqyrohet tek ne nëse e mbajmë shikimin tonë të ngulur tek ai: kështu edhe ne do të shndërrohemi nga lavdia në lavdi, falë fuqisë së Zotit, që është Shpirti i Shenjtë (krh. 2 Kor 3,18).

Po shkojmë drejt Pashkëve dhe sigurisht kryqi që kemi përqafuar dhe po mbajmë duke ecur pas Jezusit duket i madh, i rëndë dhe, mbi të gjitha, i padrejtë. Nuk vërejmë në të gjë tjetër veçse sprova, dështime, ligështi, ndoshta edhe turpërim. Ata që e “prarojnë” kryqin dhe e zbukurojnë me gurë të çmuar, vetëm ata mendojnë se mund ta largojnë «shkandullin» dhe «marrëzinë» që përfaqëson kryqi i Krishtit (krh. 1 Kor 1,22-25; Gal 5,11), dhe kështu e mbajnë dhe e shfaqin me mburrje që të mos tronditen apo të merren në pyetje nga të tjerët.

E pra, pikërisht dishepullit i kërkohet të vështrojë realitetin, të vërtetën e kryqit, të shquajë me sytë e besimit të vetmen lavdi për të cilën flet dhe që është kjo, se është në shërbim të të tjerëve, deri në atë pikë sa të japë jetën për të tjerët.

27 shkurt 2026, 15:47