Çelësi i fjalëve të Kishës: sistemi demokratik
R.SH. – Vatikan
Në emisionin e sotëm, në vijim të ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, do të flasim për demokracinë, e cila është pasuri e çmuar, por e brishtë. Edhe kur vendoset – ndoshta, me përpjekje të mëdha – duhet ruajtur e mbrojtur, pasi nuk mjafton një sistem rregullash, ose një mekanizëm zgjedhor për t’i garantuar qëndrueshmërinë. Kisha Katolike e ka shprehur më së miri mendimin e saj për sistemin demokratik sidomos në enciklikën e Papës shenjt Gjon Pali II “Centesimus Annus”, e cila ofron një vlerësim të qartë dhe të hollësishëm të këtij sistemi, duke ia njohur vlerat, pa harruar rreziqet.
"Kisha e vlerëson sistemin e demokracisë", thuhet në enciklikë, sepse ai "siguron pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimet politike" dhe garanton mundësinë e zgjedhjes, mbikëqyrjes dhe zëvendësimit paqësor të qeveritarëve (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 46). Prandaj, demokracia vlerësohet si hapësirë për pjesëmarrje dhe përgjegjësi, por ajo nuk është absolute: është mjet, jo qëllim në vetvete.
Demokracia e vërtetë, nënvizon teksti, "është e mundur vetëm në një shtet të qeverisur nga sundimi i ligjit dhe me bazë një koncept të saktë mbi njeriun si person". Pa këto kushte, sistemi mbetet bosh nga brenda. Nuk mjafton respektimi formal i procedurave: demokracia lulëzon vetëm nëse ka një konsensus të konsiderueshëm mbi vlerat, që përbëjnë themelin e saj.
Vlerat janë shpirti i demokracisë
Pikërisht kjo është thelbësore, sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës: demokracia nuk mund të ngrihet mbi baza boshe. Ajo duhet të bazohet në dinjitetin e njeriut, në respektin për të drejtat e tij dhe në të mirën e përbashkët. Kur këto pika referimi mungojnë, kompromentohet vetë stabiliteti i sistemit.
Një nga rreziqet më serioze – theksohet në “Centesimus Annus” - është relativizmi etik, ideja se nuk ka një të vërtetë objektive të aftë të udhëheqë veprimin politik. Nëse gjithçka është opinion dhe çdo vlerë varet nga shumica e çastit, demokracia bëhet e manipulueshme. Enciklika paralajmëron hapur: "Nëse nuk ka një të vërtetë përfundimtare, që udhëheq dhe drejton veprimtarinë politike, atëherë idetë dhe besimet mund të shfrytëzohen lehtësisht për qëllime pushteti" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 46). Kisha e ngre zërin për një rrezik tejet të madh: "Një demokraci pa vlera shndërrohet lehtësisht në totalitarizëm të hapur, ose të mefshtë".
Pra, demokracia është "sistem", "mjet e jo qëllim në vetvete". Karakteri i saj moral nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë: varet nga qëllimet që ndjek dhe mjetet që përdor. Me fjalë të tjera, jo çdo gjë që vendoset nga shumica është thjesht për këtë arsye, e drejtë.
Sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve
Në nivelin institucional, Magjisteri papnor e kishtar e njeh vlefshmërinë e ndarjes së pushteteve, gurthemelin e sundimit të ligjit. "Është e preferueshme që çdo pushtet të balancohet nga pushtete të tjera", në mënyrë që të shmangen devijimet arbitrare. Në një shtet vërtet demokratik, "sovran është ligji, jo vullneti arbitrar i njerëzve” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 44).
Gjithashtu, autoriteti politik është përgjegjës para popullit. Zgjedhjet e lira dhe mundësia e zëvendësimit të përfaqësuesve janë mjete themelore të kontrollit popullor. Por marrëdhëniet ndërmjet të zgjedhurve dhe zgjedhësve nuk mund të reduktohen në delegimin pasiv të pushtetit, ose në një mandat të lidhur me interesa partiake.
Përfaqësuesit kanë për detyrë të kërkojnë çka i sjell dobi së mirës së përbashkët të shoqërisë në tërësi, jo vetëm grupeve të veçanta. Detyra e tyre është sinteza dhe ndërmjetësimi. T’u përgjigjesh qytetarëve nuk do të thotë të ndjekësh çdo tekë të opinionit publik, por të orientosh vendimet drejt asaj, që është e drejtë dhe e dobishme për të gjithë.
Përmasa morale e politikës
Cilësia e demokracisë varet edhe nga virtytet personale të atyre, që qeverisin. Autoriteti është i vërtetë kur përjetohet si shërbim. Durimi, thjeshtësia, moderimi, bamirësia dhe fryma e bashkëndarjes: këto janë virtytet, që e bëjnë pushtetin mjet për të mirën e përbashkët, jo për prestigj personal.
Ndër deformimet më serioze të sistemit demokratik është korrupsioni politik. Ai tradhton si moralin, ashtu edhe drejtësinë sociale, dëmton funksionimin e shtetit dhe minon besimin e qytetarëve. Kur institucionet bëhen terren tregtimi për favore dhe interesa të veçanta, vendimet publike favorizojnë vetëm ata, që kanë më shumë mjete për t'i ndikuar ato, në dëm të gjithë bashkësisë.
Edhe administrata publike ka si thirrje të vetën shërbimin publik. Shteti, "që ka për detyrë shërbimin ndaj qytetarëve, është kujdestar i së mirës së popullit" (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1998, 5). Burokracia e tepërt, funksionalizmi që s’merr parasysh njeriun dhe interesat private e shpërfytyrojnë këtë mision. Administrata nuk duhet të jetë një aparat i ftohtë dhe i distancuar, por një ndihmë konkrete dhe e përgjegjshme për popullin, mëson Kisha.
Pjesëmarrja dhe partitë
Demokracia kërkon mjete për të siguruar pjesëmarrjen e vërtetë. Partitë politike luajnë një rol thelbësor për këtë: ato duhet të interpretojnë aspiratat e shoqërisë civile dhe t'i orientojnë ato drejt së mirës së përbashkët, duke u ofruar qytetarëve mundësinë efektive për të ndikuar në vendimet publike. Për ta bërë këtë, ato duhet të jenë nga brenda demokratike dhe të afta për të bërë projekte të frytshme për vendin.
Krahas përfaqësimit në parti, ka hapësirë edhe për format e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, siç janë referendumet, të cilat u japin mundësi zgjedhësve të ndikojnë në vendimet më të rëndësishme. Përfaqësimi dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë nuk e përjashtojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën.
Informacioni, pluralizmi dhe e mira e përbashkët
Nuk ka demokraci pa informacion, vijon reflektimin e saj Doktrina Shoqërore e Kishës. Njohja e çështjeve, të dhënave dhe propozimeve është kusht i domosdoshëm për pjesëmarrjen e informuar. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të sigurohet pluralizmi i vërtetë i mjeteve të komunikimit.
Konglomeratet e editorëve (pra, e atyre që vendosin politikën e informacionit) dhe lidhjet e informacionit me pushtetin financiar dhe me veprimtarinë qeveritare paraqesin rrezik për ekuilibrin demokratik. Shoqëria ka të drejtë për një informacion "të bazuar në të vërtetën, lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin” (Koncili II i Vatikanit, Dekr. Inter mirifica, 11). Mediat nuk janë thjesht instrumente të tregut, ose të pushtetit: ato janë të thirrura për të ndërtuar bashkësinë njerëzore.
Përmasa etike ka të bëjë jo vetëm me përmbajtjen e mesazheve, por edhe me proceset e komunikimit dhe me strukturat, që rregullojnë qasjen në teknologji, e cila u duhet siguruar të gjithëve, që të mos vihemi para dilemës: "Kush do të jetë i pasur dhe kush do të jetë i varfër në informacion?" (Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore, Etika në komunikimet shoqërore (4 qershor 2000), 20). Parimi udhëheqës mbetet një: individi dhe bashkësia janë qëllimi dhe masa e përdorimit të medias. Dhe e mira e individëve nuk mund të ndahet nga e mira e përbashkët e bashkësive, të cilave u përkasin.
Kisha ka mësuar e vazhdon të mësojë se demokracia, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë shumë më tepër sesa një mekanizëm institucional. Ajo kërkon vlera të përbashkëta, institucione të balancuara, përfaqësues moralisht të përgjegjshëm, qytetarë të angazhuar dhe informacion të lirë dhe pluralist. Pa këto elemente, ka rrezik që mjeti demokratik të boshatiset nga përmbajtja e tij, duke u shndërruar në diçka krejtësisht të ndryshme nga sa premton.