2026.01.14 Scuola armeno cattolica Harboyan - Santa Croce

Çelësi i fjalëve të Kishës: shteti dhe bashkësitë fetare

Koncili II i Vatikanit i dha një hov të ri angazhimit të Kishës për lirinë fetare, sanksionuar nga Deklarata “Dignitatis humanae” si e drejtë civile e mbështetur në dinjitetin njerëzor. Shteti dhe Kisha, të pavarur dhe autonomë, janë të thirrur të respektojnë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Liria fetare duhet të njihet juridikisht, pa diskriminime, brenda kufijve të rendit moral dhe të paqes publike. Kisha kërkon lirinë e kultit, të shprehjes dhe të organizimit

R.SH. - Vatikan

Pasi folëm për bashkësinë politike, për rolin e saj në shoqërinë së cilës i shërben, si edhe për rolin politik të shoqërisë civile, sot, do të përqendrohemi në marrëdhëniet e Kishës Katolike me bashkësinë politike e me shtetin, gjithnjë, duke u bazuar në parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Koncili II i Vatikanit i dha një hov të ri impenjimit të Kishës Katolike në nxitjen e lirisë fetare. Në nëntitullin e saj, Deklarata “Dignitatis humanae” saktëson se ka për qëllim të shpallë “të drejtën e personit dhe të bashkësive për lirinë shoqërore e civile në fushën fetare”. Me qëllim që kjo liri, e dashur nga Hyji dhe e gdhendur në natyrën njerëzore, të mund të ushtrohet, të mos pengohet, sepse “e vërteta nuk imponohet veçse në sajë të vetë së vërtetës” (Dekl. Dignitatis humanae, 1). Dinjiteti i njeriut dhe natyra e kërkimit të Hyjit presupozojnë që të gjithë njerëzit të mos përballen me asnjë shtrëngim në fushën fetare (Dekl. Dignitatis humanae, 2). Shoqëria dhe shteti nuk duhet ta shtrëngojnë personin të veprojë kundër ndërgjegjes së vet, as ta pengojnë që të veprojë sipas saj (Dekl. Dignitatis humanae, 3). 

E drejta për liri fetare

Liria e ndërgjegjes dhe e fesë “ka të bëjë me njeriun si individ e si anëtar i shoqërisë” (Katekizmi i Kishës Katolike, 2015): e drejta për liri fetare duhet të njihet nga normat juridike dhe të sanksionohet si e drejtë civile, megjithatë nuk është e pakufizuar. Kufijtë e drejtë të ushtrimit të lirisë fetare duhet të përcaktohen për çdo situatë shoqërore me maturi politike, sipas kërkesave të së mirës së përbashkët, si edhe të ratifikohen nga autoriteti civil nëpërmjet normave juridike, sipas rendit moral objektiv: këto norma janë të domosdoshme, sepse i kërkon “mbrojtja e frytshme e të drejtave të gjithë qytetarëve dhe bashkekzistenca e tyre paqësore, kujdesi i duhur për atë paqe të ndershme publike, që është bashkëjetesë e rregulluar dhe e orientuar nga drejtësia e vërtetë, si edhe i kërkon ruajtja e moralit publik” (Dekl. Dignitatis humanae, 6).

Për shkak të lidhjeve të saj historike dhe kulturore me kombin, një bashkësi fetare mund të arrijë njohjen e veçantë nga shteti: kjo njohje nuk duhet në asnjë mënyrë të krijojë diskriminim për grupet e tjera fetare, thekson Deklarata konciliare Dignitatis humanae. Vizioni i marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe organizmave fetarë, i nxitur nga Koncili II i Vatikanit, u përgjigjet kërkesave të shtetit juridik dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Kisha është shumë e vetëdijshme që ky vizion nuk pranohet nga të gjithë: e drejta për liri fetare, për fat të keq, “dhunohet nga shumë shtete, deri në atë pikë sa edhe katekizmi bëhet krim, për të cilin merren masa ndëshkimore”, siç vë në dukje Papa shenjt Gjon Pali II në Nxitjen Apostolike Catechesi tradendae (14).

Autonomia dhe pavarësia e Kishës Katolike nga shteti

Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën baritore Gaudium et spes (76) nënvizon se Kisha dhe bashkësia politike kanë natyrë të ndryshme si në strukturën e tyre, ashtu edhe në qëllimin, që duan të arrijnë. Pikërisht në të shkruhet: “Secila në fushën e vet, bashkësia politike dhe Kisha janë autonome dhe të pavarura nga njëra-tjetra”. Kisha organizohet me forma, që kanë për qëllim plotësimin e kërkesave shpirtërore të besimtarëve të vet, ndërsa bashkësitë e ndryshme politike krijojnë marrëdhënie dhe institucione në shërbim të gjithçkaje, që përbën të mirën e përbashkët tokësore.

Detyra për të respektuar lirinë fetare i dikton bashkësisë politike që t’i garantojë Kishës hapësirën e nevojshme të veprimit. Nga ana tjetër, “Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka titull për të shprehur parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjidhje institucionale apo kushtetutore” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 47). Gjithashtu, nuk e ka për detyrë të shprehet mbi programet politike, përveç rasteve kur ato kanë të bëjnë me sferën fetare dhe morale.

Bashkëpunimi

Autonomia e ndërsjellë e Kishës dhe e bashkësisë politike nuk e përjashton bashkëpunimin e tyre: të dyja, edhe pse me titull të ndryshëm, janë në shërbim të thirrjes personale dhe shoqërore të po atyre njerëzve. Kisha dhe bashkësia politike, në fakt, shprehen me forma organizative, që nuk janë qëllime në vetvete, por veprojnë në shërbim të njeriut, për t’i mundësuar atij ushtrimin e plotë të të drejtave, që kanë të bëjnë me dinjitetin e tij si qytetar dhe i krishterë, si edhe për ta ndihmuar të përmbushë si duhet detyrat përkatëse. Kisha dhe bashkësia politike e realizojnë më mirë shërbimin e tyre nëse bashkëpunojnë, duke marrë parasysh rrethanat e vendit dhe të kohës, nënvizohet gjithnjë në Gaudium et spes (76).

Kisha ka të drejtë t’i njihet juridikisht identiteti. Pikërisht sepse misioni i saj përqafon krejt realitetin njerëzor, Kisha kërkon lirinë që të shprehë gjykimin e vet moral për këtë realitet, sa herë që i duhet të mbrojë të drejtat themelore të njeriut, ose të kujdeset për shpëtimin e shpirtrave (Katekizmi i Kishës Katolike, 2246).

Kjo është arsyeja pse ajo ngul këmbë në lirinë e shprehjes, të mësimit, të ungjillëzimit; në lirinë e kultit publik; në lirinë për t’u organizuar dhe për normat e saj të brendshme; në lirinë e zgjedhjes, të edukimit, të emërimit dhe të transferimit të mbarështuesve të vet; në lirinë për të ndërtuar struktura fetare; në lirinë për të blerë dhe për të zotëruar prona të përshtatshme për veprimtarinë e vet; në lirinë për t’u organizuar në shoqata për qëllime jo vetëm fetare, por edhe edukative, kulturore, shëndetësore dhe bamirëse (Gjon Pali II, Letër për krerët e shteteve nënshkruese të Aktit përfundimtar të Helsinkit (1º shtator 1980), 4).

Me qëllim që të parandalojë apo të fashisë konflikte të mundshme ndërmjet Kishës dhe bashkësisë politike, përvoja juridike e Kishës dhe e shtetit ka gjetur forma të qëndrueshme dhe mjete të përshtatshme për të garantuar marrëdhënie të harmonishme. Kjo përvojë është pikë referimi thelbësore për të gjitha rastet në të cilat shteti pretendon të hyjë padrejtësisht në fushën e veprimit të Kishës, duke e penguar atë në zhvillimin e veprimtarisë së lirë deri në përndjekjen haptazi, por vlen edhe e kundërta, kur organizatat kishtare nuk veprojnë korrektësisht në marrëdhëniet me shtetin.

26 shkurt 2026, 09:31