Kërko

Manifestim në Armeni Manifestim në Armeni

Çelësi i fjalëve të Kishës: shoqëria civile

Kisha mendon se shoqëria civile realizon të mirën e përbashkët e demokracinë së bashku me shtetin, mbi bazën e parimeve të solidaritetit, subsidiaritetit dhe drejtësisë. Bashkësia politike është në shërbim të shoqërisë civile dhe, në analizë të fundit, në shërbim të personave dhe të grupeve, që e përbëjnë

R.SH. - Vatikan

Në një sistem demokratik, politika nuk është thjesht një mekanizëm institucional për të qeverisur vendin. Në Doktrinën e saj Shoqërore, së cilës ia kemi kushtuar këtë cikël emisionesh, Kisha Katolike nënvizon se bashkësia politike është krijuar për të qenë në shërbim të shoqërisë civile, prej së cilës ajo rrjedh. Pikërisht, vizionit të Kishës për këtë shoqëri, ia kushtojmë emisionin e sotëm. Për të kuptuar se për çfarë po flasim, duhet të sqarojmë fillimisht konceptin e shoqërisë civile, me të cilën nënkuptohen të gjithë qytetarët, organizatat, shoqatat, sindikatat dhe lëvizjet, që veprojnë në mënyrë të pavarur nga shteti dhe institucionet politike për të ndjekur qëllime të përbashkëta, për të mbrojtur interesat kolektive, ose për të promovuar vlerat. Ajo përfshin sektorin e tretë, vullnetarët dhe familjet, duke shërbyer si forum për pjesëmarrjen aktive dhe mbikëqyrjen e demokracisë.

Vlera e shoqërisë civile

Në dallimin ndërmjet bashkësisë politike dhe shoqërisë civile, Kisha ndihmon sidomos me botëkuptimin e vet për njeriun, konceptuar si qenie autonome, e cila vihet në marrëdhënie me të tjerët dhe me Transhendenten. Ky vizion është kundërshtuar gjithnjë si nga ideologjitë politike individualiste, ashtu edhe nga ato totalitare, që priren ta përfshijnë shoqërinë civile në sferën e shtetit. Ndërsa Kisha mendon se shoqëria civile realizon të mirën e përbashkët e demokracinë së bashku me shtetin, mbi bazën e parimeve të solidaritetit, subsidiaritetit dhe drejtësisë.

Shoqëria civile është një tërësi marrëdhëniesh dhe burimesh, kulturore dhe shoqërore, relativisht autonome nga sfera politike dhe ekonomike: “Qëllimi i shoqërisë civile është universal, pasi ka të bëjë me të mirën e përbashkët, në të cilën çdo shtetas ka të drejtë të ketë pjesën, që i takon” (Leoni XIII, enc. Rerum novarum, 134). Ajo ka aftësi për të krijuar projekte të orientuara drejt favorizimit të një bashkëjetese shoqërore më të lirë dhe më të drejtë, ku grupe të ndryshme bashkohen, duke u mobilizuar për të diskutuar dhe për të shprehur synimet e veta, për t’u bërë ballë nevojave themelore e për të mbrojtur interesa të ligjshme.

Përparësia e shoqërisë civile

Bashkësia politike dhe shoqëria civile, edhe pse të lidhura dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra, nuk janë të barabarta në hierarkinë e qëllimeve, na mëson Kisha. Bashkësia politike është në shërbim të shoqërisë civile dhe, në analizë të fundit, në shërbim të personave dhe të grupeve, që e përbëjnë (Katekizmi i Kishës Katolike, 1910). Shoqëria civile, pra, nuk mund të konsiderohet shtojcë apo variabël i bashkësisë politike: madje, ajo ka epërsi ndaj saj, pasi ekzistenca e bashkësisë politike e gjen justifikimin pikërisht në shoqërinë civile, së cilës duhet t’i shërbejë.

Shteti duhet të sigurojë një kornizë juridike të përshtatshme për ushtrimin e lirë të veprimtarive të subjekteve shoqërore dhe të jetë i gatshëm për të ndërhyrë kur është e nevojshme, duke respektuar parimin e subsidiaritetit, për të orientuar kah e mira e përbashkët dialektikën ndërmjet grupimeve të lira, që veprojnë në jetën demokratike. Shoqëria civile – paralajmëron Kisha - është e përbërë nga elemente të ndërlikuara dhe të shumëllojshme, jo pa probleme e kontradikta: është edhe vendi i ndeshjeve ndërmjet interesave të ndryshme, me rrezikun se më i forti mund të mbizotërojë mbi më të pambrojturin.

Zbatimi i parimit të subsidiaritetit

Prandaj, magjisteri papnor nënvizon gjithnjë se bashkësia politike duhet t’i rregullojë marrëdhëniet e veta me shoqërinë civile sipas parimit të subsidiaritetit, pra, të ndërhyjë vetëm kur është e nevojshme (Piu XI, enc. Quadragesimo anno, 203): është themelore – nënvizon Papa Piu XI - që zhvillimi i jetës demokratike të marrë fill në indin shoqëror. Veprimtaritë e shoqërisë civile, sidomos shërbimi vullnetar dhe bashkëpunimi në rrethin privat-shoqëror, përkufizuar në mënyrë përmbledhëse si “sektori i tretë” për ta dalluar nga sfera e shtetit dhe e tregut, janë mënyrat më të përshtatshme për të zhvilluar përmasën shoqërore të njeriut, që në këto veprimtari mund të gjejë hapësirë për t’u shprehur katërcipërisht. Kisha këshillon shtimin e nismave shoqërore përtej sferës shtetërore, pasi ato krijojnë hapësira të reja për veprimin e drejtpërdrejtë të shtetasve në jetën demokratike, duke integruar funksionet e shtetit. Kjo ndihmon pozitivisht edhe në ushtrimin e të drejtave të njeriut, duke e pasuruar nga pikëpamja cilësore jetën demokratike.

Për të kundërshtuar logjikën e konfliktit dhe të konkurrencës pa kufi, që sot duket mbizotëruese, Kisha propozon bashkëpunimim, edhe në format e veta më pak të strukturuara. Marrëdhëniet që vendosen në një klimë bashkëveprimi dhe solidare i kapërcejnë dallimet ideologjike, duke i shtyrë njerëzit të kërkojnë çka i bashkon e jo çka i ndan.

Shumë përvoja të shërbimit vullnetar përbëjnë një shembull tjetër me vlerë të madhe, që na shtyn ta konsiderojmë shoqërinë civile si vendi ku gjithmonë është i mundshëm rindërtimi i një etike publike të përqendruar në solidaritetin, në bashkëpunimin konkret e në dialogun vëllazëror. Kisha u bën thirrje të gjithëve t’i shikojnë me besim mundësitë, që shfaqen në këtë mënyrë dhe t’ia kushtojnë punën e tyre personale së mirës së bashkësisë në përgjithësi dhe, në veçanti, asaj të më të dobëtve dhe të më nevojtarëve. Siç thoshte Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën Centesimus annus (49), kjo është një nga mënyrat për të rrënjosur parimin e “subjektivitetit të shoqërisë”, siç e quante ai, pra, atë parim sipas të cilit shoqëria, edhe pse është e përbërë nga persona të ndryshëm, është subjekt me të drejta, që dallohen nga ato të secilit. Shoqëria si e tillë ka autonominë e vet dhe vepron si e tërë, pavarësisht nga individët që e përbëjnë.

19 shkurt 2026, 09:41