Barcelonë, të rinjtë në lutje për paqen në Kamerun
R.SH. - Vatikan
Në një nga vendet simbol të krishterimit bashkëkohor, Bazilika e Sagrada Família në Barcelonë u shndërrua, të dielën e 22 shkurtit, në një udhëkryq feje, angazhimi rinor dhe lutjeje universale. Për edicionin e saj të dhjetë, nisma “Sent la Creu” (“Ndjeje Kryqin”) mblodhi rreth shenjës së lashtë të krishterë një reflektim mbi kuptimin e kryqit sot, me një vështrim të veçantë drejt Kamerunit, vend i shënuar nga konfliktet dhe brishtësitë njerëzore. Pas kryqeve të Lampeduzës (2017), Mosulit (2018), Kamboxhias (2019), Bangassou-t (2020), Venezuelës (2021), Filipineve (2022), Ukrainës (2023), Tokës Shenjtë (2024) dhe Sirisë (2025), në Barcelonë mbërriti kryqi i Kamerunit.
Të mos harrohen komunitetet e krishtera
E organizuar nga Sekretariati dioqezan për të rinjtë i kryedioqezës së Barcelonës, në kremtimin, udhëhequr nga ipeshkvi i Yagoua-s, imzot Barthélémy Yaouda Hourgo, morën pjesë me qindra të rinj të gatshëm për të bashkëndarë një liturgji lutjeje, dëshmie dhe reflektimi mbi vlerën e sakrificës, shpresës dhe paqes. Në qendër të takimit, përveç vetë Kryqit, u vendos thirrja për të mos harruar komunitetet e krishtera që jetojnë në kontekste konflikti dhe persekutimi, duke mishëruar në mënyrë konkrete thirrjen për solidaritet të krishterë. "Këtë vit - nënvizuan organizatorët - kremtojmë dhjetëvjetorin e këtij eventi me praninë e ipeshkvit Yaouda Hourgo, i cili nuk ka frikë të denoncojë një regjim shtypës dhe është i gatshëm të japë jetën për Ungjillin. Që nga viti 2008, prelati udhëheq dioqezën në një kontekst të shënuar nga varfëria, pasiguria dhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut. Ai është dalluar për angazhimin e tij pastoral, veprimin social në favor të më të cenuarve dhe pozicionin e tij të prerë përballë sfidave politike dhe sociale të vendit".
Angazhimi ndaj vlerave ungjillore
Prania e ipeshkvit kamerunas ofroi një pikë takimi mes vuajtjes dhe shpresës. Roli i tij në kremtim, së bashku me atë të kardinalit kryeipeshkëv të Barcelonës, Juan José Omella Omella, ripohuan dimensionin universal të Kishës dhe të Kryqit të krishterë si mjet bashkimi mes popujve, duke dëshmuar se si feja mund të bëhet urë mes vuajtjeve lokale dhe një vëllazërie më të gjerë.
Për të rinjtë katalanas, “Sent la Creu”, që përfshihet në liturgjinë më të gjerë të Kreshmës, është një moment reflektimi të thellë, i aftë për të përtërirë angazhimin personal dhe komunitar ndaj vlerave ungjillore. Në shumë dëshmi, kryqi nuk u pa vetëm si simbol vuajtjeje, por si thirrje për të marrë përsipër përgjegjësi konkrete për paqen, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor. “Sent la Creu” 2026 është një ftesë për ta perceptuar kryqin si një “vend” ku përkojnë kujtesa, vuajtja, angazhimi për paqen dhe shpresa e ngjalljes: një shenjë e amshuar që vazhdon t’i flasë zemrës së gjeneratave të reja.
Çdo vit, në fakt, në fillim të Kreshmës, Sekretariati për baritoren rinore të kryedioqezës katalanase organizon një vegjëli lutjeje përpara një kryqi që vjen nga një vend i plagosur nga varfëria, padrejtësia ose lufta. "Sent la Creu" 2026, edhe këtë herë, ishte fryt i bashkëpunimit me shoqatën Ayuda a la Iglesia Necesitada (Ndihmë për Kishën që Vuan).