VESCO-Card.-Jean-Paul-O.P.__11364_07122024.jpg

Algjeria, kard. Vesco: Papa shtegtar në një tokë-urë ndërmjet Evropës dhe Afrikës

Kryeipeshkvi i Algjerit komenton udhëtimin e Leonit XIV në vendin e Afrikës së Veriut nga 13 deri më 15 prill. Vizitë, në gjurmët e Shën Augustinit, në një vend të botës, që është porta hyrëse për në kontinentin afrikan e ku Kisha e vogël, ashtu si populli algjerian, është e qëndrueshme. "Deti Mesdhe, Mare Nostrum, nuk u mendua të ishte kufi. Megjithatë, sot është kufi, e është gjithashtu edhe qefin".

R.SH. / Vatikan

I emëruar Kryeipeshkëv i Algjerit nga Papa Françesku, në vitin 2021, pasi kaloi nëntë vjet në krye të Dioqezës së Oranit, kardinali Jean-Paul Vesco do të mirëpresë Leonin XIV më 13 prill, gjatë etapës së parë të udhëtimit të tij papnor në kontinentin afrikan. Kardinali dominikan shpreh gëzimin e tij për këtë vizitë, në një vend që vuajti prej kohësh. Vizitë me përmbajtje të fortë simbolike, në gjurmët e Shën Augustinit, por edhe në një vend martirësh, si Imzot Pierre Claverie dhe murgjit e Tibhirines.

Shkëlqesi, si e pritët lajmin për vizitën e ardhshme të Papës?

Lajm i shumëpritur! Dëshironim prej kohe të vinte Papa. E kishim ftuar disa herë Françeskun, ndërsa Papa Leoni pranoi menjëherë. Gjë e bukur që një nga udhëtimet e para, u përfshinë menjëherë në axhendën e tij. Mendoj se është shenjë e madhe hapjeje nga ana e Papës, për autoritetet e për të gjithë. Ne kemi nevojë për të. Pas Turqisë, vend mysliman, e Libanit, vend me shumicë të madhe myslimane, ja edhe vendi i tretë: Algjeria. Kjo thotë shumë për papninë e Leonit XIV. Flet e tregon se, në këtë drejtim, ai vërtet i përshtatet dinamikës së paraardhësit të tij, Françeskut, e edhe të gjithë paraardhësve. Besoj se do të thotë diçka të bukur për Kishën. Ishte e njëjta gjë për Papën Benedikti,  e e njëjta gjë edhe për Gjon Palin II.

Udhëtimi ka kuptim të fortë simbolik, sepse Papa Leoni do të vizitojë vendet e Ipeshkvit të Ipponës...

Do të jetë kjo çështja qendrore. Është fjala për një udhëtim të thjeshtë. Bashkësia e krishterë është e vogël, por Papa do të ndjekë gjurmët e Shën Augustinit. Ka ardhur dy herë si epror i përgjithshëm i Urdhrit Agustinian, por këtë herë do ta bëjë këtë si Papë. Kush mund ta kishte imagjinuar në vitin 430 - ndërsa Shën Augustini ishte i sëmurë dhe më vonë vdiq, e vandalët ishin atje - se qyteti i Ipponës do të pushtohej dhe do të plaçkitej, dhe se gjashtëmbëdhjetë shekuj më vonë një Papë i frymëzuar prej tij do të vinte në këtë qytet, tani Annaba... Është burim shprese afatgjatë. Pastaj janë edhe 19 të lumtë e Algjerisë. Leoni XIV u zgjodh në ditën e festës së tyre liturgjike: ia theksova këtë kur i thashë se po e prisnim në Algjeri. Në mesazhin e tij të 1 janarit për Ditën Botërore të Paqes, ai citoi një frazë nga Christian de Chergé, prior i murgjve të Tibhirinës: "O Zot, çarmatose atë, më çarmatos mua, na çarmatos ne". Ai e përsëriti këtë frazë. Ka kuptim edhe kjo, sepse Algjeria është vend në udhëkryq, në vija të çara, siç thoshte Imzot Pierre Claverie.

Algjeria është edhe pikë takimi ndërmjet Veriut e Jugut. Aty gjindemi, ndërmjet Veriut dhe Jugut, me të gjitha çështjet që lidhen me migrimin. Jemi ndërmjet botës perëndimore e botës arabo-muslimane. Është pika e kontaktit. Jemi në portat e Afrikës. Dhe është e mrekullueshme që kjo fazë hap udhëtimin e parë drejt Afrikës. Afrika e Veriut është portë për të gjithë kontinentin. Do të ketë një takim me bashkësinë e krishterë dhe miqtë e saj në Notre-Dame d'Afrique. Prej andej filluan Etërit e Bardhë dhe Motrat e Bardha. E prej andej filloi edhe ungjillizimi në Afrikë. Do të ketë shumë simbole të thjeshta, dhe pastaj do të jetë i thjeshtë një takim njerëzor,  takim vëllazërie. Është shenjë njohjeje e Kishës sonë, Kishë që dëshiron të jetë në kontakt me popullin algjerian, të krishterët dhe myslimanët.  Besoj se ky udhëtim do të jetë nën shenjën e vëllazërisë. 

Ju flisni për vazhdimësi me papnitë e mëparshme... Në Algjeri, jemi ende në Mesdhe dhe e dimë se Papa Françesku i kushtoi vëmendje të madhe këtij rajoni. A e ndjek edhe Leoni XIV të njëjtën linjë?

Po, absolutisht. Ky është me të vërtetë pellgu i Mesdheut. Duke vazhduar përgjatë kësaj rruge, diçka do të ndodhë... Ky qytetërim mesdhetar është thesar. Deti Mesdhe, Mare Nostrum, nuk është bërë për të qenë kufi; megjithatë sot është kufi, e është edhe qefin. Nuk u mendua të ishte! Kudo në Mesdhe, shihni të njëjtën faunë, të njëjtën florë, të njëjtat kultura. Po kështu, pavarësisht nëse jeni mysliman apo i krishterë, ekziston e njëjta formë e përshpirtërisë popullore, e religjiozitetit popullor. Sapo lëvizni pak në veri, jug, lindje ose perëndim, gjithçka ndryshon shumë shpejt në hapësirën e disa dhjetëra kilometrave. E vetë Mesdheu përbën një tërësi. Kulturë e ëmbël, që përzihet me të tjerat. E pastaj, udhëtimi tjetër, në Principatën e Monakos, do të jetë përsëri në Mesdhe. Pas Afrikës, Papa do të udhëtojë për në Madrid dhe Barcelonë, ku do të ketë edhe një takim me ipeshkvijtë e Mesdheut. Edhe në këtë pikë, Leoni ecën mbi gjurmët e Papës Françesku.

Kisha në Algjeri është edhe Kishë martirësh, që e pagoi me gjak dëshirën për ta vazhduar shpalljen e Ungjillit. A mund të gjejë ende vend dialogu ndërfetar në këto rrethana?

Është dialog jete. Kemi nevojë për dialog ndërfetar. Bota ka etje për dialog jete, që njerëzit të takohen. Dallimi fetar mund të jetë vetëm vlerë e shtuar. Dhe nëse duhet të jetë pengesë, ka vetëm rëndësinë që i japim. Sot, Kisha jonë e ka paguar me gjak dëshirën e saj për të mbetur me popullsinë, tek e cila u dërgua kur ishte në vështirësi. E ky popull algjerian u martirizua. Ishte gjatë asaj dekade të errët, gjatë luftës çlirimtare. Popull i martirizuar, por edhe i fortë. Edhe Kisha jonë është e njëjtë; ka duruar sprova e është rezistente. Vdiqën 19 vetë. E lumnimi i këtyre 19 vetëve ishte dëshmia e një Kishe që mbeti besnike dhe duroi rreziqe të mëdha. Kjo është arsyeja pse dëshmia e tyre jeton edhe sot!

Të qëndrojmë të bashkuar në këtë provë, të jemi të bashkuar. Është  dëshmi e bukur për sot, e jam jashtëzakonisht krenar.

28 shkurt 2026, 13:16