Kërko

Il Papa proclama san Newman "Dottore della Chiesa"

225 vjet nga datëlindja e kard. John H. Newman. Nga i konvertuar në doktor i Kishës Romake

Kthimi i tij në fé, nga Kisha Anglikane në Kishën Katolike pati bërë bujë, jo vetëm në Angli. Sot, John Henry Newman konsiderohet si urë lidhëse midis konfesioneve të ndryshme fetare dhe kohët e fundit u shpall Doktor i Kishës së Romës.

R.Sh. Vatikan

Edhe besimtarët kanë vështirësi me Kishën e tyre dhe John Henry Newman nuk bënte përjashtim. Teologu anglez përshkoi një udhë të trazuar besimi, duke u kaluar nga Kisha Anglikane në Kishën Katolike dhe konsiderohet si reformues i teologjisë. Mendimi i tij pati një ndikim të thellë në jetën intelektuale të Anglisë dhe Evropës në shek. XIX dhe XX. Jeta e tij e gjatë dhe shpesh e vështirë e bëri atë të ndjeshëm ndaj pyetjeve dhe problemeve të kohës së tij.

Newman u lind në Londër 225 vjet më parë, më 21 shkurt 1801. Në moshën 15 vjeç, ai ndjeu thellë në zemër praninë e Zotit, gjë që do të përshkonte tërë jetën e tij. Nga viti 1817, Newman nisi të studiojë teologji në Oksford dhe u bë klerik anglikan. Mbërriti të bëhej predikues universitar në vitin 1831. Studimi i tij rreth etërve të Kishës e shtyu Newmanin dhe disa kolegë të kërkonin reformim të Kishës Anglikane. Kur këto plane dështuan, ai u konvertua në katolicizëm në vitin 1845 pas një beteje serioze, sepse kishte zhgënjyer shumë, të afërmit dhe miqtë e tij. Për atë periudhë, ai u pat shprehur kështu: "Të jetosh do të thotë të ndryshosh, dhe të jesh i përsosur do të thotë të kesh ndryshuar shpesh".

Periudha e tij e jetës si katolik qe e mbushur plot me keqkuptime, intriga dhe poshtërime. Kështu, pati kundërshtime të ipeshkvijve për themelimin e një universiteti katolik në Dublin. Pasuan, më vonë, shpifje publike kundër klerit katolik dhe  atij vetë, në veçanti. Të gjitha këto pengesa edhe mund ta kishin lodhur sikur të mos kishte pasur fé të gjallë në Zotin. Nëse mund të themi se u pat kthyer në këshilltar shpirtëror fort të kërkuar gjatë viteve të jetës anglikane, periudha e vështirësive që pasoi e bëri mjeshtër të jetës shpirtërore, siç dëshmohet nga "Meditimet dhe Lutjet" e tij dhe 31 vëllimet e "Letrave dhe Ditarëve" të tij.

John Henry Newman ishte teologu i zemrës. Kjo u ndie nga shumë njerëz që e takuan. Kur Newman u emërua kardinal nga Papë Leoni XIII në 1879, zgjodhi si moto një shprehje që karakterizoi tërë jetën e tij: "Cor ad cor loquitur" që shqip do të thotë «Zemra i flet zemrës», sepse ai ishte mësuar që në moshë të vogël të bënte atë që zemra i thoshte të bënte. Newman ndërroi jetë më 11 gusht 1890, në Edgbaston, Birmingham. Aftësia e tij për të tërhequr njerëzit si klerik katolik u shfaq dukshëm në salikimet e tij. Rreth 20.000 vetë nga të gjitha fushat e jetës thuhet se u rreshtuan rrugëve për t'i bërë nderimet e fundit 89-vjeçarit. Midis tyre ishin shumë njerëz të varfër që donin ta falënderonin të ndjerin për ndihmën dhe mbështetjen e tij të shumëfishtë.

Një gazetë shkroi kështu në atë kohë: "Për asnjë fisnik, asnjë princ, asnjë prift apo tregtar që ka ecur ndonjëherë në rrugët e Birminghamit nuk është vajtuar aq sa për këtë kardinal". Dhe kështu, edhe pas vdekjes së tij, ky klerik, tepër i përgatitur nga ana akademike, u nderua dhe u respektua. Veprat e tij teologjike janë më shumë se 80 vëllime. Ai konsiderohet si teologu më i rëndësishëm modern i Anglisë Katolike, quhet Augustini i kohëve moderne.

G. Wheeler, atëherë ipeshkëv i qytetit Leeds, pati shkruar: "Ata prej nesh që morën pjesë në Koncilin e Dytë të Vatikanit menduan se Newman jo vetëm që ishte i pranishëm, por se krejt fryma e Koncilit përshkohej nga mendimet e tij".

Papa Benedikti XVI e shpalli «të Lum» Newmanin në Birmingham në vitin 2010. Nëntë vjet më vonë, ai u Shenjtërua nga Papë Françesku. Sot, John Henry Newman konsiderohet si "urë ndërmjet anglikanëve dhe katolikëve".

Nëntorin e kaluar, ai u shpall pajtor i arsimit katolik dhe Doktor i Kishës Universale nga Papa Leoni XIV. Ipeshkvijtë katolikë në Angli e kishin paraqitur kërkesën me pëlqimin dhe mbështetjen e Kishës Anglikane. Vetëm 37 vetë para tij kanë marrë titullin e rrallë të nderit, "ecclesiae universalis doctor" – "Doktor i Kishës Universale".

11 shkurt 2026, 13:05