Kërko

Protestuesit në Karakas, Venezuelë (ANSA) Protestuesit në Karakas, Venezuelë (ANSA)

Venezuela, ipeshkvijtë: të lutemi për të mirën e Vendit, për unitet e paqe

Në dritën e ngjarjeve që po zhvillohen në vend, ipeshkvijtë i dërgojnë një mesazh popullit, duke iu lutur Zotit t'u japë "të gjithë venezuelianëve qetësi, mençuri dhe forcë" e duke shprehur solidaritetin me "të plagosurit" dhe "familjet e atyre që vdiqën". Ipeshkvijtë e ftojnë popullsinë "ta jetojë më intensivisht shpresën" dhe të lutet për paqen.

R.SH. / Vatikan

"Të këmbëngulim në lutje për unitet": ky është mesazhi i mbështetjes e i afërsisë që Konferenca Ipeshkvnore e Venezuelës i drejton popullit të Zotit përmes kanaleve të saj në mediat sociale. "Në dritën e ngjarjeve që po vërtetohen sot në vendin tonë, i kërkojmë Zotit t'u japë të gjithë venezuelianëve qetësi, mençuri dhe forcë", shkruajnë ipeshkvijtë pas sulmit të SHBA-së në Karakas, me urdhër të Presidenti Donald Trump, për të kapur Presidentin Maduro dhe gruan e tij dhe për t'i akuzuar e për t’i gjykuar për trafik droge e terrorizëm.

Lutje për paqe në zemra e në shoqëri

Ipeshkvijtë shprehin solidaritetin me "të plagosurit" dhe "familjet e atyre që vdiqën" dhe e ftojnë popullsinë "të jetojë më intensivisht me shpresë e lutje të zjarrtë për paqen" në "zemra dhe në shoqëri".

"Refuzojmë çdo formë dhune", shtojnë ipeshkvijtë, që inkurajojnë "takimin" dhe "mbështetjen reciproke”, duke shpresuar "se vendimet që u morën do të jenë gjithmonë për të mirën e popullit”. Së fundi i luten Zojës së Coromotos ta shoqërojë shtegtimin e të gjithëve.

04 janar 2026, 14:42