Vëlla Matthew: Krishtlindjet në Ukrainë, ku drita do të triumfojë mbi terrinat
R.SH. / Vatikan
"Për ne, ju jeni shenjë e shpresës së paqes, që të gjithë e kemi në zemrat tona". Kështu i priti Vëllau Matthew 15,000 të rinjtë e Bashkësisë së Taizé-së të cilët, nga 28 dhjetori e deri më 1 janar, u mblodhën në kryeqytetin francez, Paris për takimin tradicional evropian të fundvitit. "Me praninë e tyre - shpjegoi Eprori në intervistën me median e Vatikanit - të rinjtë ukrainas dëshmojnë dëshirën për të jetuar në paqe dhe për të qenë pjesë e familjes evropiane. Shprehin edhe dëshirën për të bashkëvepruar me të rinj të tjerë, diçka që ndoshta, tani për tani, nuk është aq e lehtë për t'u bërë në vendin e tyre". Ndërmjet të rinjve të pranishëm ishin shumë katolikë grekë, së bashku me katolikë ortodoksë dhe të ritit latin. Të gjithë të rinjtë sollën dëshminë e atyre që e jetojnë çdo ditë realitetin e ashpër të luftës, të atyre që kanë ikur nga konflikti, e të atyre që jetojnë në Evropë si emigrantë, larg vendit të tyre.
Para Krishtlindjes, Eprori i bashkësisë së Taizé-së Vëllau Matthew kishte udhëtuar edhe në Ukrainë, duke vizituar pjesën perëndimore të vendit, e edhe Zaporizhian në juglindje, në kufi me vijën e frontit. Reflektimet e lindura gjatë këtij udhëtimi u përfshinë në meditimet që prifti ndau me të rinjtë evropianë gjatë takimit të tyre në Paris. "Në Ukrainë, në Lviv, Ternopil dhe Zaporizhia" - kujtoi në predikimin e tij të mërkurën, më 31 dhjetor, "takova shumë njerëz të guximshëm që qanin, por që shpesh, falë fesë së tyre, u ringjallën si Maria Magdalenë, për t'u përhapur të tjerëve lajmin e mirë që jeta është më e fortë se vdekja. Ata janë shenjat më të gjalla se drita që festojmë gjatë këtyre ditëve të Krishtlindjes shkëlqen vërtet në errësirë dhe se errësira nuk mundi ta shuaj".
Vëlla Matthew, pse vendosët të vizitonit Ukrainën pavarësisht nga kërcënimi i luftës? Si e shpreh ky vendim thirrjen e Bashkësisë të Taizésë?
Ideja për të shkuar erdhi mjaft spontanisht; mbajmë mend se disa vëllezër vizituan Ukrainën muajt e fundit. Isha këtu, në Paris, për shugurimin e ipeshkvit Ihor Rantsya, i cili tani është Ipeshkëv i Heparkisë Greko-Katolike Ukrainase të Shën Volodimirit të Madh të Parisit. Disa ipeshkvij ishin atje, duke përfshirë Maksym Ryabukha, Eksarkun Greko-Katolik të Donetskut, i cili tani jeton në Zaporizhzhia. Papritmas mendova: meqenëse kaq shumë të rinj ukrainas vijnë në Taizé, duhet të japim një shenjë të vogël solidariteti. Kështu që, pasi bëmë verifikimet e nevojshme, vendosëm të largoheshim dhe në mbrëmjen e 21 dhjetorit isha në aeroplan për në Krakov. Të nesërmen shkuam në Ternopil, e më pas zbritëm në Zaporizhzhia. Nuk u shqetësova kurrë, pavarësisht situatës së rrezikshme. Kjo, edhe sepse duhet të jemi gati të shprehim solidaritet. Gjithashtu e dija se miqtë tanë nuk do të na vinin kurrë në rrezik. Bashkësia jonë u themelua gjatë një konflikti nga Vëllai Roger, i cili u largua nga Zvicra për në Francë në fillim të Luftës II Botërore. Mbërriti pastaj në Taizé, zonë ku pati shumë vuajtje, edhe pse e gjithë kjo ishte pjesë e përvojës themeluese të komunitetit tonë. E, për mua, kjo është pyetja e madhe sot: a jemi të thirrur për të qenë të pranishëm në këto situata lufte, ku ka çarje në familjen njerëzore?
Cila është rëndësia e pranisë së të rinjve ukrainas në takimin e Taizé-së në Paris? Çka mund të ndajnë ata me të rinj të tjerë e çka mund të nxjerrin nga kjo përvojë?
Me praninë e tyre, shprehin dëshirën për paqe dhe për të qenë pjesë e familjes evropiane. Shprehin edhe dëshirën për të bashkëvepruar me të rinj të tjerë, diçka që ndoshta tani nuk është aq e lehtë për t'u bërë në Ukrainë. Shpresoj se ata do të marrin forcë të re për të vazhduar jetën e tyre të përditshme, në këto situata shumë të vështira. Shoh tek ukrainasit - e mendoj se kemi diçka për të mësuar prej tyre - një lloj këmbënguljeje përmes shpresës, e kjo u jep forcën për ta duruar situatën aktuale.
Ju vizituat Zaporizhien, një nga qytetet më të rrezikshme, shumë afër vijës së frontit. Si ndikoi kjo përvojë në përshpirtërinë tuaj?
Ishte shumë e rëndësishme të ishe atje në ato ditë. Papritmas e kuptova çfarë do të thotë kur pohojmë se me lindjen e Jezusit drita erdhi në botë, drita që shkëlqen në errësirën, e cila nuk e ka pushtuar. Për mua, kjo ishte shumë e rëndësishme dhe dëshmohet nga ajo që përjetojnë të rinjtë, por edhe të krishterët e rritur e shoqëria në tërësi: se drita është e pranishme dhe shkëlqen në errësirë. Feja jonë na tregon se errësira nuk do ta ketë fjalën e fundit!