Toka Shenjte, e ardhmja e të krishterëve është tek arsimi
R.SH. / Vatikan
Kamioni i ndihmës së parë i vitit 2026, të cilin Patriarkana Latine e Jeruzalemit ia dërgoi popullsisë së rraskapitur të Gazës, mbërriti së fundmi në Rrip. Bombardimet u qetësuan, por afërsisht dy milionë njerëz janë pastrehë, pa shërbime kryesore dhe jetojnë në një pëllëmbë pothuajse të përgjysmuar për shkak të kufijve të vendosur nga armëpushimi i 10 tetorit. Atë Davide Meli, kancelar i Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, që ndihmoi në koordinimin e ndihmës në Gaza që nga fillimi i luftës, pasi Kisha Latine është një nga institucionet e pakta që kanë lejën të hyjnë në Rrip e të dërgojë ndihma gjatë çdo dy javëve.
Duhet t'i japim Gazës të ardhmen
Ndërhyrja e parë e Patriarkatit Latin, në një përpjekje për të ndaluar emergjencën në fazat fillestare të konfliktit, ishte dërgimi i 2,000 tonelatave me nevojat kryesore, si fruta, perime e vitamina, mungesa e të cilave rrezikonte të shkaktonte probleme serioze shëndetësore, veçanërisht për fëmijët. "Këto mallra tani janë në treg dhe kostot e transportit po ulen", shpjegon Atë Meli, "ndërsa tani nevojiten tenda dhe batanije". Edhe tre muaj pas armëpushimit, situata sigurisht që nuk është paqësore dhe faza e dytë nuk ka filluar ende, e as rindërtimi pasues. Nuk ka sisteme kanalizimesh, as energji elektrike, vendet e punës janë shkatërruar, e me ta dhe shkollat. "Para luftës, në Gazë kishte pesë shkolla të krishtera", shpjegon Atë Meli, dy prej të cilave drejtoheshin nga Patriarkana. Tani funksionon vetëm një, në Famullinë e Familjes Shenjte në Gaza, ku 160 deri në 180 fëmijë, që jetojnë ndërmjet 400 refugjatëve në famulli, e ndjekin shkollën çdo ditë. "Investimi në arsim është rruga drejt së ardhmes. Ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë të ardhmen", përsëriti ai, duke theksuar se fusha e tretë e ndërhyrjes për ndihmë është kujdesi shëndetësor. "Spitali anglikan ka nevojë edhe për garzë", përsëriti, "e tashti kanceri nuk mund të diagnostikohet më në kohë".
Sfidat e Komunitetit të Jerusalemit
Patriarkana Latine e Jeruzalemit zhvillon edhe programe të shumta mbështetëse për bashkësinë e krishterë të Jeruzalemit, që numëron mbi 6,000 vetë. Atë Rami Asakrieh, famullitar i Kishës së Shëlbuesit në Qytetin e Shenjtë, u foli për këtë shtegtarëve, duke paraqitur edhe disa anëtarë të famullisë së tij. "Familjet po jetojnë kohë të vështira për shkak të luftës, madje edhe më të vështira se gjatë pandemisë COVID-19", theksoi ai. "Të jetosh në Jerusalem është shumë më shtrenjt sesa në qytetet e tjera, ku jetojnë të krishterët. Qiraja arrin deri në 1,800 € në muaj dhe mund të arrijë deri në 70% të të ardhurave. Përveç kësaj, çmimet e larta të ushqimit, shpesh i lënë familjet pa nevojat themelore si mishi dhe kostoja e shkollimit". Për të mbrojtur e për të ruajtur identitetin e tyre, shpjegoi Atë Rami, bashkësia synon të ndjekë shkollat e krishtera, të cilat janë më të shtrenjta sesa shkollat publike hebraike. Për këtë arsye, Kujdestaria e Tokës Shenjte dhe Patriarkana, ofrojnë strehim të kontrolluar me qira.
Të krishterët e rrezikojnë zhdukjen gjatë 30 vjetësh
"Të kesh shtëpinë tënde është ëndërr, e kjo i vonon martesat", shpjegon Dima Kalak, nga departamenti shoqëror i Patriarkanës së Jeruzalemit. Në kontekstin e një deficiti demokratik - lindën 18 fëmijë - e vdiqën 34 persona në vitin 2025 - bashkësia e krishterë në Jerusalem rrezikon të zhduket brenda 30 vjetësh, paralajmëron Usama Salman, i cili, me qendrën e tij të studimit "komunitar", po përgatit studime sektoriale dhe po përpiqet të kuptojë se si t'i adresojë sfidat e ardhshme.
Çelësi, përsërit ai, është arsimi.
“Duhet të përgatisim një brez, që di ta mbrojë identitetin e krishterë - thekson ai - sepse të rinjtë që nuk e njohin historinë e tyre, nuk do të jenë kurrë në gjendje ta dëshmojnë para të tjerëve”.