Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Pax Christi Austria: Thirrja Profetike e Papës për të shpresuar te fundi i Luftës

Teologu Wolfgang Palaver, kryetar i degës austriake të organizatës ndërkombëtare «Pax Christi Austria», komentoi për mediat e Vatikanit, mesazhin e Papës Leoni XIV për Ditën Botërore të Paqes të datës 1 janar 2026. Tek ky mesazh, teologu Palaver vëren një nxitje të fortë «për të punuar për një botë më të drejtë», qëllim ky që nuk duhet të mbahet si utopik: «Krishti i Ringjallur ngadhnjen mbi fatalizmin dhe na mëson se është e mundur të jetohet edhe pa dhunë».

R.Sh. Vatikan

aqja nuk është utopi, por lypset një guxim i caktuar për të shpresuar, madje edhe kundër çdo shprese, se do të bëhet realitet. Kjo është arsyeja pse mesazhi i Papa Leonit XIV për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, kremtuar më 1 janar 2026, «është profetik, ngaqë nuk na lejon të ndikohemi nga provat se shpresa mungon gjithkund dhe nuk e turit paqen drejt utopisë». Kështu e interpreton tekstin papnor Wolfgang Palaver, president i «Pax Christi Austria» dhe profesor nderi i Doktrinës Sociale të Krishterë në Universitetin e Innsbruck-ut: si një qëndrim të qartë kundër kapitullimit dhe politikës globale ku sundon gjithnjë e më shumë logjika e forcës.

Paqja e Krishtit të Ngjallur

 Thelbi i mesazhit është formula e shqiptuar tashmë nga Leoni XIV në mbrëmjen e zgjedhjes së tij në fronin papnor dhe tani e zhvilluar më në hollësi: «Kjo është paqja e Krishtit të ringjallur, një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përvuajtur dhe këmbëngulëse. Ajo vjen nga Hyji, Hyji që na do të gjithëve pa kushte.» Në komentin e tij, Palaver thekson rëndësinë teologjike dhe etike të kësaj paqeje: «Me theksin te një “paqe e paarmatosur”, Papa i referohet qartë mesazhit ungjillor të Jezusit për të mos ushtruar dhunë, ndërsa kur flet për një “paqe çarmatosëse”, Ati i Shenjtë tregon mënyra konkrete për t'iu shmangur dhunës.» Në një mesazh për Ditën Botërore të Paqes, «si ekspert në etikën e paqes, të them të drejtën, nuk mund të prisja më shumë», shton teologu austriak.

Kur feja justifikon luftën është blasfemi

Papa Leoni vijon më tej me denoncimin e përdorimit të fesë për të shfajsuar luftën dhe nacionalizmin. Është veçanërisht i mprehtë ky denoncim, duke e quajtur pa mëdyshje një «formë blasfemie që errëson Emrin e Shenjtë të Zotit». Palaver pajtohet plotësisht me këtë pohim të Papës: «Duke hedhur poshtë nacionalizmin e motivuar nga feja dhe abuzimin e emrit të Zotit për të justifikuar dhunën, Papa me të drejtë përkufizon detyrën kryesore të bashkësive fetare në forcimin e paqes».  Në këtë kuptim, dialogu ekumenik dhe ndërfetar mbeten mjete të domosdoshme, veçanërisht pas sulmeve që kanë si shkak fenë.

Të ruajmë në kujtesë plagët e luftërave të mëdha botërore

Një tjetër pikë kyçe në mesazhin e paqes të Papa Leonit ka të bëjë me rolin e mediave dhe institucioneve arsimore. Kështu, teologu Palaver i bën jehonë paralajmërimit të Ipeshkvit të Romës që të mos braktiset «kultura e kujtesës», e cila duhet të ruajë një vetëdije të gjallë për shkatërrimin e dy luftërave botërore. Leoni XIV gjithashtu na sjell ndërmend shprehjen e Papa Françeskut për një «luftë të tretë botërore që zhvillohet pjesë-pjesë» dhe përmend rritjen dramatike të shpenzimeve ushtarake globale. «Po qe se këtu shtojmë pastaj edhe shifrat marramendëse të riarmatosjes,» nënvizon Palaver, «bëhet e qartë se jemi në një vorbull të rrezikshme dhune».

Sipas tij, «përcjellja me kthjelltësi e kësaj gjendje është detyra kryesore e mediave dhe e institucioneve arsimore.» Por as kjo nuk mjafton. «Të kufizohesh thjesht te përshkrimi i rrezikut prodhon një fatalizëm të pashpresë që të çon drejt e në humnerë,» arsyeton presidenti i organizatës «Pax Christi Austria». Këtu, hyn në lojë dimensioni teologjik i mesazhit: «Ne kemi nevojë për dritën që na ka dhënë Krishti i Ngjallur dhe që na siguron se paqja është e mundur».

Pa lënë mënjanë një vështrim realist ndaj botës, thotë Palaver, «paqja duhet të bëhet një “parim” i mënyrës sonë të kundrimit të realitetit.» siç thotë fjalë për fjalë Papa. Vetëm nga ky këndvështrim mund të lindë një shpresë e aftë t’i prijë angazhimit konkret për paqen.

Një inkurajim për të gjithë veprimtarët e paqes

Teologu Palaver është i mendimit se muajt e parë të papnisë së Leonit XIV e shfaqën qartë këtë drejtim. Papa, shprehet ai në fund të këtij komentimi, është bërë për organizatën Pax Christi-n «nxitje dhe mbështetje», dhe mesazhi i tij për Ditën Botërore të Paqes dhuron «fuqi dhe motivim për të vazhduar punën për një botë më të drejtë dhe paqësore». Kjo është rruga e ndërmarrë tetëdhjetë vjet më parë nga vetë lëvizja «Pax Christi», e cila lindi nga pajtimi midis francezëve dhe gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sot është e pranishme në çdo kontinent.

02 janar 2026, 10:20