Pakistan, rriten agresionet kundër të krishterëve gjatë periudhës së Krishtlindjes
R.SH. - Vatikan
Feja e të krishterëve në Pakistan mbetet e palëkundur, ndërkohë që komunitetet gjenden duke luftuar nën peshën e frikës dhe padrejtësisë. Besimtarët kremtuan Krishtlindjen, një moment që mbushi Kishat dhe shtëpitë me gëzim, shpresë dhe premtim për paqe për vitin e ri. Megjithatë, në javët e fundit, komuniteti i krishterë në këtë vend me shumicë dërrmuese islame ka pësuar një valë të dhimbshme dhune, qa pati në shënjestër veçanërisht gratë, por jo vetëm.
Sulme të tmerrshme kundër të miturve
Indinjatë dhe tronditje ka shkaktuar vrasja e një pastori protestant presbiterian, e kryer nga një vrasës me pagesë më 5 dhjetor, para syve të vajzës së tij, për të ndaluar aktivitetin e tij të predikimit të Ungjillit. Në ditët në vijim, lista e rasteve të dhunës përfshiu Saira-n, një vajzë të krishterë 14-vjeçare, e rrëmbyer dhe e përdhunuar nga një grup burrash, dhe të voglën Shumaila Masih, 6 vjeçe, e sulmuar në një shkollë. Një ulërimë rrëqethëse u ngrit pastaj nga komuniteti i Sheikhupura-s, qytet në provincën e Punjab-it, ku Najma, një fëmijë i krishterë 12-vjeçar, u rrëmbye, u konvertua me forcë në Islam, u abuzua brutalisht dhe më pas u braktis në rrugë.
"Kemi konstatuar një seri sulmesh të tmerrshme kundër të miturave të krishtera", shpjegon për të përditshmen e Selisë së Shenjtë L’Osservatore Romano Atë Lazar Aslam: "Disa episode denoncohen dhe dalin në dritë, por shumë të tjerë mbeten të fshehur sepse familjet jetojnë nën kërcënimin e vdekjes dhe turpit të madh shoqëror”.
Një Krishtlindje në frikë
Në Beluçistan, Laiba Patras, një punëtore shtëpie e krishterë 20-vjeçare, i rezistoi një tentative dhune seksuale nga punëdhënësi i saj, por në vend që të merrte drejtësi, ajo po përballet me një akuzë të shpikur për vjedhje. Një tjetër grua e krishterë, Aqsa, u akuzua pasi kundërshtoi një burrë që donte të martohej me të.
"Raste të tilla, shumë të përhapura, tregojnë shkeljen e të drejtave themelore të pakicave dhe dështimin e sistemit që duhet t'i mbrojë ato. Si mundën besimtarët e krishterë në Pakistan ta jetonin me plotësi dhe gëzim shpirtin e Krishtlindjes nëse vajzat e tyre ishin në rrezik, barinjët e tyre shpirtëror vriteshin dhe dinjiteti i tyre nëpërkëmbej?", pyet Atë Lazari. Megjithatë, ai vëren se "edhe në këtë klimë frike, komuniteti i besimtarëve të krishterë nuk mbyllet në heshtje apo dëshpërim. Përkundrazi, kultivojmë një angazhim më të thellë për të ndërtuar paqen, një unitet më të fortë dhe një mision të përtërirë". Shpresa nuk fiket: "Të njëjtat plagë që kërkojnë drejtësi — thotë Atë Aslam — përforcojnë besimin tonë, na thërrasin të forcojmë jetën shpirtërore, vëllazërinë dhe misionin e paqes në komb".
Një apel për të ndalur dhunën
Si frat françeskan, Atë Lazar Aslam tregon për asamblenë e përgjithshme të Rojtarisë Françeskane “Mariam Siddeeqa” të kapuçinëve në Pakistan, fokusuar në temën "Të jetojmë karizmën tonë", ku "kujtuam se mesazhi i shën Françeskut të Asizit duhet jetuar këtu në rrugë, pranë të varfërve dhe me guximin për t'i thënë të vërtetën pushtetit. Ftojmë qeverinë pakistaneze të mbrojë pakicat fetare dhe të zbatojë drejtësinë pa paragjykime".
Me këtë objektiv do të punojë Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Pakicave, i miratuar nga Parlamenti i Islamabadit dhjetorin e kaluar, i cili do të krijohet konkretisht brenda një kohe të shkurtër. Ky organizëm do të mund të garantojë mbrojtje më të madhe të të drejtave themelore. Miratimi vjen pas vendimit historik të Gjykatës Supreme të vitit 2014, që urdhëroi politikën të krijonte një komision të posaçëm pas sulmeve kundër Kishave. Të krishterët në Pakistan "falënderojnë organizatat e shoqërisë civile që, gjatë gjithë këtyre viteve, kanë vazhduar të kërkojnë zbatimin e tij", vëren Atë Aslam. "Jemi të bindur se puna e tij do të mund të kontribuojë në ndalimin e dhunës dhe hapjen e një stine drite për Pakistanin", përfundon ai.