Nga Brigjet e Jordanit, lutje për paqe

Rreth tre mijë besimtarë të ardhur nga e gjithë Jordania, përfunduan sot shtegtimin e 26-të vjetor në vendin e Pagëzimit të Jezusit, pranë Jerikos. Urimi i Vikarit Patriarkal, Imzot Iyad Twal: "Viti në vijim dëshmoftë me të vërtetë paqe të qëndrueshme, të drejtë dhe globale".

R.SH. / Vatikan

Lutje për Jeruzalemin, për popullin e Gazës dhe për të gjithë Tokën Shenjte u lartuan nga pika më e ulët e tokës, por që për besimtarët e krishterë është më pranë qiellit. Në Jordani, në bregun lindor të lumit Jordan, disa kilometra nga Jerihoni, ku Jezusi u pagëzua nga Gjon Pagëzuesi, Kisha e shuguruar në vitin 2025 mirëpriti afërsisht tre mijë besimtarë nga mbarë Mbretëria Hashemite, të cilët bënë shtegtimin e 26-të vjetor në vendin e Pagëzimit, vend me rëndësi të thellë shpirtërore dhe kombëtare.

Bekimi me ujërat e Jordanit

Imzot Iyad Twal, Vikar Patriarkal në Jordani, e kryesoi Meshën duke i bekuar besimtarët me ujë nga Jordania, e duke shpjeguar se pagëzimi nuk është rit i thjeshtë, i jashtëm, por fillim i një udhëtimi feje, që të çon në  përvojë të thellë shpirtërore. Më pas bëri thirrje për angazhim të vazhdueshëm ndaj vlerave të vërteta shpirtërore, duke theksuar edhe atë, që e quajti rreziku i madh: të jesh pranë Zotit, por i paaftë për ta parë Atë, siç ishte rasti me Herodin, skribët dhe kryepriftërinjtë.

Paqe në Gazë e në mbarë Palestinën

Kërkimi për paqe dhe pajtim ushtoi në lutjet e të pranishmëve, vetëm pak kilometra larg Palestinës dhe Gazës, tokë e dërmuar nga konflikti dhe shkatërrimi, nga jetët dhe vendet, por që sot, siç vuri në dukje Ipeshkvi Twal gjatë një konference për shtyp, po fillon të jetojë një kohë qetësie. E tashmja fillon të njohë çaste paqësore, "vendosmëri të vërtetë për të rindërtuar një jetë të re, me shpresën se ky vit mund të dëshmojë paqe të qëndrueshme, të drejtë dhe globale, e me urimin që edhe shtegtarët të mund të kthehen në Tokën Shenjte, te numrat e konsiderueshëm të së kaluarës, për t'u "bekuar nga ujërat e Jordanit". Imzot Twal më pas vuri në dukje se shtegtimi, një vit pas shugurimit të Kishës, është mundësi për të forcuar lidhjet shpirtërore të besimtarëve.

Kisha e Pagëzimit të Jezusit

Në Meshë morën pjesë, të shoqëruar me himne fetare lindore mahnitëse, përfaqësues të Kishave Katolike Melkite Greke, Maronite, Kaldease, Siriane dhe Armene. Bashkëkremtoi edhe Nunci Apostolik, Kryeipeshkvi imzot Giovanni Dal Toso. Kisha e Pagëzimit të Jezusit, në Al-Maghtas, e njohur si Betania përtej Jordanit, vend i themeluar nga prania e tri kishave bizantine, nga dëshmia e shtegtarëve, referencat biblike dhe gjetjet arkeologjike, është një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme. Një vit më parë u shugurua me një kremtim, ku morën pjesë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin dhe Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa.

09 janar 2026, 16:29