Nëna që i dha trup Fjalës së Zotit
R.SH. / Vatikan
Në bashkëpunim me Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, për ta jetuar kohën e Krishtlindjes, Vatican News ofron çdo javë një kryevepër nga koleksionet papnore, shoqëruar me fjalët e Papëve.
Përshkrimet e Lindjes që po ju paraqesim në Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, janë miniaturë e krijuar nga artisti spanjoll, aktiv në Napoli, në fillim të shekullit të 16-të, i njohur si Mjeshtri i Retalbo di Bolea.
Një kopje shembullore luksi
Miniatura është e vendosur në hapjen e një Breviari, shkruar me shkrim gotik mbi pergamenë, realizuar me mjeshtëri të shkëlqyer. Kodiku është kopje luksoze, e prodhuar në Napoli me porosi të Kryeipeshkvit Giovanni Maria Poderico për Mbretin Ferdinand Katoliku. Përveç stemës dhe emblemave aragoneze, paraqet disa nga portretet e tij, madje edhe emrin e tij shkruar me shkronja të arta brenda uratëve e thirrjeve drejtuar Zotit.
Skenat më domethënëse nga jeta e Krishtit
Tejet i lartë niveli cilësor i aparatit ilustrativ të dorëshkrimit: përbëhet nga pesë miniatura në fillim, me dy faqe, të rregulluara në pjesët kryesore të tekstit, që përfaqësojnë disa nga skenat më domethënëse nga jeta e Krishtit. E plotësojnë dekorimet elegante e shumëngjyrëshe, të pasuruara me gurë të çmuar dhe motive bimore.
Kundrimi dhe lutja
Imazhet e Mjeshtrit të Retalbo di Bolea janë piktura të vërteta, realizuar mbi pergamenë. Lindja e Krishtit zbulon aftësinë e piktorit për të depërtuar në aspektet më intime të jetës së Krishtit, duke e pasqyruar historinë biblike në pamje shumë evokuese, të afta të nxisin tek lexuesi kundrimin e lutjen.
Fjalët e Leonit XIV
Motra e vëllezër, nëse lutja e krishterë është thellësisht mariane, kjo ndodh sepse në Marinë e Nazaretit shohim njërën prej nesh që jep jetë. Zoti e bëri të frytshme dhe erdhi tek ne me tiparet e saj, ashtu si çdo fëmijë i ngjan nënës. Ajo është Nëna e Zotit dhe jona. "Shpresa jonë", themi në lutjen “Të falemi Mbretëreshë”. Ajo i ngjan Birit, e Biri i ngjan asaj. E ne i ngjajmë kësaj Nëne që i dha fytyrë, trup dhe zë Fjalës së Zotit. I ngjajmë sepse mund ta lindim Fjalën e Zotit këtu poshtë, duke e shndërruar britmën që dëgjojmë në një lindje. Jezusi dëshiron të lindë përsëri: mund t'i japim korp e zë. Ja lindja që pret krijimi.
(Leoni XIV – Audienca e Jubileut, 20 dhjetor 2025)