Qytetarët amerikanë i bëjnë homazh Alex Pretti-t në një vend përkujtimor në Minneapolis, Minnesota (2026 Getty Images) Qytetarët amerikanë i bëjnë homazh Alex Pretti-t në një vend përkujtimor në Minneapolis, Minnesota (2026 Getty Images)

Minneapolis, ipeshkvijtë e SHBA-së bëjnë thirrje të respektohet jeta

Pas vrasjes së një protestuesi tjetër, e dyta që nga fillimi i vitit, kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve të SHBA-së bëri thirrje për ndërtimin e paqes mbi respektin ndaj të tjerëve. «Ne të gjithë duhet të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë për të rivendosur paqen e Zotit», qe thirrja e arqipeshkvit të qytetit Saint Paul dhe Minneapolis.

R.Sh. Vatikan

Emri i viktimës ishte Alex Pretti, ai ishte 37 vjeç dhe punonte si infermier në repartin e terapisë intensive. Ai është shtetasi i dytë amerikan që vritet në Minneapolis që nga fillimi i vitit 2026 prej autoriteteve federale, që u dërguan atje nga Shtëpia e Bardhë për të «luftuar emigracionin e paligjshëm».

Rrjedha e ngjarjeve

Incidenti ndodhi të shtunën në mëngjes në qendër të qytetit dhe u kap në disa video të shpërndara në mediat sociale. Pamjet tregojnë Prettin duke filmuar agjentët federalë përpara se të përballej me disa burra me uniformë. Sipas versionit fillestar të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Pretti «bëri qëndresë me dhunë» duke i detyruar oficerët të qëllonin «për t’u mbrojtur» Megjithatë, një video analizë e gazetës «The Wall Street Journal» tregon një oficer që merr armën e Prettit dhe, pa kaluar vetëm pak sekonda dëgjohen të shtëna të shumta. Pretti vdiq menjëherë. Ai është qytetari i dytë i vrarë në Minneapolis nga agjentët federalë që nga fillimi i vitit, pas vdekjes më 7 janar të Renee Good, edhe kjo 37 vjeç, e cila u qëllua nga një polic gjatë një operacioni të ngjashëm me këtë ku vdiq Alex Pretti.

Ndërhyrja e Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump dha mendimin e tij për këtë çështje në një intervistë telefonike me «The Wall Street Journal», pa pranuar të komentojë nëse oficeri veproi saktë por duke deklaruar se administrata po e shqyrton incidentin. Megjithatë, Trump kritikoi Prettin për pjesëmarrje me armë në një protestë, duke pretenduar se ishte «një pistoletë shumë e fuqishme, me dy karikatorë të mbushur me municione». Presidenti amerikan vlerësoi veprimet e forcave federale, por la të kuptohej se agjentët federalë mund të tërhiqen nga zona e Minneapolis në të ardhmen, pa përcaktuar një afat kohor.

Thirrje nga bota katolike

Thirrje për lutje dhe qetësi po vijnë nga bota katolike. Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së, Paul S. Coakley, duke kujtuar ftesën e Papa Leonit XIV për të shpallur dhe për ta jetuar Ungjillin në çdo mjedis, theksoi se «paqja ndërtohet mbi respektin për njerëzit» dhe bëri thirrje për «qetësi, moderim dhe respekt për jetën njerëzore në Minneapolis dhe në të gjitha vendet ku paqja kërcënohet», duke i nxitur autoritetet publike të veprojnë «në shërbim të së mirës së përbashkët». Arqipeshkvi i Shën Palit dhe i Minneapolis-it, imzot Bernard A. Hebda bëri ​​një deklaratë duke deklaruar se «humbja e një jete tjetër duhet të na shtyjë të gjithëve të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë për të rivendosur paqen e Zotit» dhe se paqja nuk mund të arrihet «deri atëherë kur do të jemi në gjendje të çlirojmë zemrat tona nga urrejtja dhe paragjykimet», duke kujtuar se kjo vlen «po aq shumë për fqinjët tanë pa dokumente, sa edhe për zyrtarët tanë të zgjedhur dhe burrat e gratë përgjegjës për zbatimin e ligjeve tona». Në Bazilikën e Shën Marisë në Minneapolis, dyert mbetën të hapura për Meshat e së Dielës dhe një Meshë u kremtua «për shpirtin e Alex Pretti-t». Në njoftimin e vet, famullitari dhe rektori i kishës, At Daniel Griffith, foli për një pikëllim që të këput shpirtin në një klimë që është «kohë frike dhe ankthi», veçanërisht për «vëllezërit dhe motrat tona emigrantë».

Përplasja midis autoriteteve shtetërore dhe federale

Vdekja e Prettit ka ngritur kështu nivelin e një konflikti që ka të paktën dy aspekte. E para është midis autoriteteve shtetërore dhe federale, të përfaqësuara nga Agjencia për Përforcimin e Doganave dhe kundër Emigracionit, që njihet ndryshe me siglën ICE dhe Patrullës Kufitare, nga ana tjetër. Në Minneapolis, ashtu si në qytete të tjera në të gjithë vendin, autoritetet vendore dhe shtetërore kanë denoncuar mungesën e bashkërendimit dhe përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve. Kjo gjë u duk kur, pas të shtënave të së shtunës, agjentët federalë i kërkuan policisë së qytetit të Minneapolis të largohej nga vendi i ngjarjes, duke i penguar kështu hetuesit të hynin në vendngjarje për orë të tëra, pavarësisht se kishte një urdhër gjykate. Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison shprehu shqetësimin e tij për humbjen e mundshme të provave, ndërsa një gjyqtar federal urdhëroi administratën amerikane të mos shkatërrojë ose të ndryshojë asnjë provë të dobishme për hetimin.

Akuzat e demokratëve

Lloji i dytë i konfliktit në Minnesota është politik. Ish-presidenti Barack Obama e quajti vdekjen e Prettit «një tragjedi që pikëllon dhe thirrje që të gjithë amerikanët të zgjohen». Pastaj, ish-presidenti Obama, denoncoi përdorimin e taktikave kërcënuese dhe mos verifikimin si duhet të ngjarjes.

Edhe ish-presidenti, Bill Clinton, akuzoi administratën Trump se i gënjeu qytetarët në lidhje me të shtënat në Minneapolis dhe i përshkroi «skenat si të tmerrshme» e që nuk duhej të kishin ndodhur kurrë. Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kërcënuan se do të bllokojnë fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, duke hapur rrugën për një mbyllje të pjesshme të mundshme të qeverisë federale nëse nuk krijohen mekanizma mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje për veprimet e policisë së emigracionit ICE.

26 janar 2026, 17:10