Kërko

Bota lutet për Venezuelën Bota lutet për Venezuelën

"Lutuni për Venezuelën", thirrja e një misionari francez

Atë Georges Engel, meshtar fidei donum, misionar në Venezuelë, flet për orët e fundit të pasigurisë në vend, pas rënies së Nicolas Maduros gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane. Prifti misionar është aktualisht në Spanjë

R.SH. / Vatikan

I  takuar në Madrid, ku ishte bllokuar që nga nëntori i kaluar e kur duhej të nisej për në Venezuelë, Atë Georges Engel nuk e fshehu shqetësimin e tij pasi Shtetet e Bashkuara kryen sulme kundër Karakasit dhe kapën presidentin, Nicolas Maduro. "Deri vonë, shumë nga njerëzit e njohur në Venezuelë, me të cilët jam në kontakt të përditshëm, e ndjenin se diçka do të ndodhte", tregon Atë Georges, misionar në vend për rreth njëzet vjet, ndërsa më parë famullitar i Notre-Dame de l'Assomption, në Karakas.

Tregimi i venezuelanëve

"Nuk po jetonin në ankth të tepërt - shpjegon prifti - sepse ishin të informuar pak për shkak të mungesës së informacionit falas, e pak edhe për shkak të censurës së rrjeteve kryesore sociale në Venezuelë. Ata që, përmes mjeteve të tjera, kishin informacionin e duhur sepse ishin në kontakt me Shtetet e Bashkuara ose Evropën, e prisnin me padurim këtë çast" - shpjegon prifti. Nëse operacioni amerikan, i ardhur pas muaj kërcënimesh nga Washingtoni, u mirëprit prej shumë venezuelianëve që jetonin në mërgim, ai tërhoqi një mori kritikash nga bashkësia ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësimin "sepse ligji ndërkombëtar nuk ishte respektuar", duke e kritikuar si "precedent të rrezikshëm". Franca dhe Italia sqaruan se regjimet nuk mund të ndryshohen nga jashtë. Spanja, nga ana e saj, ofroi ndërmjetësimin.

Frikë nga dhuna

Atë Georges Engel pati frikë se, në një vend të varfër e shumë të polarizuar, mund të shpërthente një valë e re dhune. "Në këtë situatë të vështirë, ka të ngjarë të ketë përplasje me ata që deri tani përfituan nga privilegje të mëdha qeveritare; po mendoj në veçanti për brigadat revolucionare krijuar nga ish-Presidenti Chávez. Këto grupe do të kenë vështirësi të mëdha në përballimin e këtyre ndryshimeve të pashmangshme në situatën e tyre".

Ndërsa ushtria kontrollon vendin dhe burimet e tij, meshtari është veçanërisht i shqetësuar për colectivos. Të frymëzuar nga revolucioni kubanez, këto grupe janë krahu i armatosur i regjimit në lagjet e klasës punëtore,  drejtpërdrejt nën autoritetin e Ministrit të Brendshëm Diosdado Cabello. "Grupet janë agjentë radikalë të revolucionit bolivarian dhe kanë pushtet absolut ndër lagje, shpjegon Atë Engel. Disa orë pas kapjes së Presidentit Maduro nga forcat amerikane, këto banda motoçiklistësh organizuan një demonstratë në qendër të Karakasit, jo shumë larg pallatit presidencial”.

Roli i Kishës katolike

Ndërsa e ardhmja e vendit duket e pasigurt, Atë Engel rikthehet te kontributi që mund të ofrojë Kisha në këtë fazë të re. "Kisha Katolike në Venezuelë ka qenë gjithmonë në anën e të vegjëlve dhe të varfërve vendas - kujton ai - dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm në një vend të  prekur për shumë vite nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni". Për priftin fidei donum, Kisha Venezuelane thirret kështu "të shpallë faljen dhe mëshirën me energji dhe forcë edhe më të madhe". "Në këtë situatë, e cila për popullin venezuelian do të jetë padyshim shumë e vështirë ekonomikisht, Kisha do të duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për të ndihmuar shumë të varfër, të sëmurë e fëmijë të vendit", shpjegon Ati Engel. "Gjithmonë e ka bërë këtë dhe do të vazhdojë ta bëjë. Lutuni për Venezuelën" - përfundon meshtari, duke shpresuar të kthehet në vendin e tij të misionit sa më shpejt të jetë e mundur.

Që nga nëntori, fluturimet nga Evropa janë pezulluar, pasi Trump dërgoi një flotilje ushtarake në Karaibe.

I pyetur nëntorin e kaluar, Papa Leoni XIV i nxiti si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Venezuelën, të angazhohen në dialog dhe në de-escalation, domethënë, në procesin e rënies së konfliktit .

05 janar 2026, 17:16