Imzot Skomarovskyj: ukrainasit nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa ardhjen e paqes
R.SH. - Vatikan
Mesazh paqeje, që vjen në një kontekst konflikti të zgjatur. Nëse kjo "luftë nuk do të ekzistonte ose do të ishte larg nesh, besoj se leximi dhe perceptimi i këtij mesazhi do të ishte i ndryshëm". Megjithatë, Papa "tregon një drejtim për t'u ndjekur", atë të "një paqeje të plotë, të bazuar në fe e vëllazëri". Kryeipeshkvi imyot Vitaly Skomarovsky, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve të Ritit Latin në Ukrainë, foli për mediat e Vatikanit lidhur me përmbajtjen e mesazhit të Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes, më 1 janar. Deklaroi se, pavarësisht tmerreve që nuk kursejnë as fëmijët, mesazhi i Papës mbart edhe shpresën sipas së cilës "e mira do të fitojë gjithmonë në fund, dhe për këtë ia vlen të luftosh".
Shkëlqesia Juaj, çfarë mendimesh ju frymëzuan fjalët e Leonit XIV?
Më 1 janar e gjithë Kisha Katolike lutet për paqe. E nuk është rastësi që kjo ditë bie në fund të tetëditshes së Krishtlindjes, sepse Jezusi është Princi i Paqes dhe sjell paqe, atje ku paqe nuk ka. Para së gjithash Ati i Shenjtë e shkroi këtë mesazh në një kohë shumë të vështirë sepse, siç e kujton, duke cituar fjalët e paraardhësit, një lloj Lufte III Botërore e copëzuar vijon të zhvillohet edhe sot, kur ka shumë luftëra dhe konflikte në botë. Megjithatë, do të doja të theksoja se Papa Leoni shkruan si bari, si prift, si autoritet moral. Në të vërtetë, tashmë ka shumë zëra: politikanët flasin për paqen në mënyrën e tyre. Ati i Shenjtë, megjithatë, nuk donte që zëri i Zotit të mungonte në këtë kor.
Sipas mendimit tim, kur lexojmë këtë mesazh, nuk duhet harruar se nuk është tekst politik, por tekst baritor: është fjala e atij që dëgjon zërin e Zotit dhe dëshiron ta transmetojë atë, t'ua çojë njerëzve. Papa flet, për shembull, për paqe të paarmatosur, duke saktësuar se kjo paqe është paqja e Jezusit të ringjallur. Paqe e mundur është kur, të gjithë së bashku, e mirëpresim Jezusin e ngjallur. Paqja e paarmatosur lind aty ku mbretëron besimi dhe dashuria ndërmjet njerëzve, e kjo thuhet shumë qartë. Kur të gjitha këto mungojnë, atëherë e ashtuquajtura paqe politike bazohet në një ekuilibër armësh dhe logjikash të tjera të ngjashme. Megjithatë, duhet të kuptojmë se kjo është paqe e brishtë, siç na kujton vetë Papa.
Në botën e sotme, mbretërojnë marrëdhëniet irracionale ndërmjet popujve - për të përdorur fjalët e tij. Ne e shohim dhe e ndiejmë: premtimet dhe fjalët e politikanëve shpesh nuk kanë vlerë, e drejta ndërkombëtare shkelet dhe i gjithë sistemi i së drejtës ndërkombëtare, i ndërtuar me një përpjekje të tillë, me kalimin e kohës kompromentohet nga agresioni i Rusisë. Nuk e di a do të jetë në gjendje bota ta ndreqë, sepse është një precedent që me siguri do të ketë pasoja afatgjata. Sidomos pasi, me armatimet aktuale, askush nuk mund të ofrojë garanci të vërteta, sepse, siç e shohim, njerëz të ndryshëm mund ta marrion në dorë pushtetin, ndonjëherë edhe ata që nuk e respektojnë jetën dhe janë të papërgjegjshëm.
Gjithashtu duhet të kujtojmë se ne, si ukrainas, e lexojmë këtë mesazh në një situatë lufte, ndërsa mbrojmë atdheun tonë. Është perspektivë e ndryshme nëse, për shembull, kjo luftë nuk do të ekzistonte, ose do të ishte larg nesh. Atëhere besoj se leximi dhe perceptimi i këtij mesazhi do të ishte ndryshe. Së dyti, Papa tregon një drejtim për t'u ndjekur. Edhe nëse lufta vazhdon e situata është e vështirë, na fton të mos e harrojmë rrugën drejt paqes së vërtetë.
Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për njerëz si Shën Françesku, të cilët mund të mishërojnë fjalët e Zotit kushtuar paqes - paqe të plotë, e bazuar në fe e në vëllazëri ndërmjet njerëzve. Së fundmi, një gjë që vura re në mesazh: Papa vëren se sot fjalët dhe mendimet janë shndërruar në armë, realitet i ri, veçanërisht në luftërat e informacionit që po dëshmojmë. Prandaj, po jetojmë në kohë shumë të vështira, por, sipas mendimit tim, ky mesazh sjell edhe shpresë: e mira gjithmonë do të fitojë në fund, ndaj ia vlen të luftohet për të.
A është e mundur të kultivohet kjo paqe zemre, paqja që vjen nga Krishti i ringjallur, edhe në mes të luftës?
Në mesazhin e tij, Leoni XIV flet edhe për fëmijët, duke theksuar se "është pikërisht mendimi për fëmijët tanë, e madje edhe për të brishtët, që na i shporon zemrat". Unë besoj se këto fjalë vlejnë njësoj edhe për fëmijët ukrainas.
Pikërisht kështu është, sepse fëmijët nuk janë fajtorë për vuajtjet që jetojnë, megjithatë vuajnë jashtëzakonisht. Fëmijët që humbasin prindërit e tyre gjatë luftës: këto humbje i prekin thellësisht dhe do të kenë pasoja të qëndrueshme. Fatkeqësisht, duhet të pranojmë edhe se e keqja e mëkati ekzistojnë në botë. Ne shohim, se pavarësisht vuajtjeve të fëmijëve të pafajshëm, ka zemra aq të ngurtësuara saqë nuk tronditen aspak nga ajo që po ndodh. Ndoshta kjo është arsyeja pse Nëna e Zotit na fton të lutemi për kthimin e mëkatarëve, mëkati i të cilëve fshihet pikërisht në këtë zemër të ngurtë, e cila, edhe përballë vuajtjeve të mëdha në Ukrainë, nuk e ndal luftën. E ukrainasit, siç e kemi thënë shumë herë, nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa fundin e kësaj lufte dhe kthimin e paqes dhe të qetësisë.