Kërko

Tekste legjislative: «Ligji Themelor», historia e një projekti konciliar dhe sinodal

Një vepër e gjatë që «hedh dritë mbi të gjithë legjislacionin e Kishës në fuqi sot». Kështu e paraqiti imzot Juan Ignacio Arrieta, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Tekstet Legjislative, vëllimin «Lex Ecclesiae Fundamentalis», në shqip: «Ligji themelor i Kishës» në një intervistë për mediat e Vatikanit. Libri, i cili doli në dritë kohët e fundit, është redaktuar nga i njëjti dikaster i Selisë së Shenjtë dhe është botuar nga Shtëpia botuese e Vatikanit.

R.Sh. Vatikan

«Lex Ecclesiae Fundamentalis» që doli në dritë kohët e fundit, është një vepër e konsiderueshme prej mbi 1.300 faqesh, e cila përmbledh pjesën thelbësore të punës përgatitore disavjeçare të «Ligjit Themelor të Kishës». Në këtë vëllim janë bashkuar studimet e studiuesve më kompetentë të së drejtës kanonike të kohës, kontribute shkencore këto që synojnë përfshirjen e doktrinës së Koncilit të Dytë të Vatikanit në sistemin normativ të Kishës. Kështu paraqitet vëllimi «Lex Ecclesiae Fundamentalis», redaktuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Tekstet Legjislative dhe botuar nga Shtëpia botuese e Vatikanit.

Libri përmbledh mbledhjet plenare të Grupit të Studimit të Ligjit, takimet e punës të këshilltarëve që kontribuan për projektin, të gjithë vargun e skemave dhe raportet përmbledhëse të përpjekjes mbresëlënëse gjithëpërfshirëse të konsultimit. Te kjo e fundit morën pjesë të gjithë ipeshkvijtë katolikë, fakultetet e së drejtës kanonike dhe ekspertë të shumtë nga e gjithë bota.

Ndarë në shtatë kapituj, vëllimi hapet me një hyrje nga prefekti i tashëm i dikasterit, kryeipeshkvi imzot Filippo Iannone dhe sekretari, ipeshkvi imzot Juan Ignacio Arrieta. Më pas vijon një parathënie e imtësishme shkruar nga profesor Daniel Cenalmor Palanca, docent i së Drejtës Kushtetuese Kanonike në Universitetin e Navarrës, Spanjë. Vëllimi përfundon me një shtojcë dokumentare. Vijojnë pastaj disa dokumente të bashkëlidhura si edhe një tregues i hollësishëm. Në intervistën dhënë mjeteve të komunikimit të Vatikanit, imzot Arrieta përshkruan aspektet themelore të kësaj vepre të porsabotuar.

Cilat ishin shkaqet që nxitën botimin e këtij vëllimi?

Qëllimi ishte që të bëhej lehtësisht e arritshëm për të gjitha palët e interesuara kjo vepër që e ka angazhuar për më shumë se njëzet vjet këtë Dikaster (sipas emërtimeve të ndryshme që ka pasur historikisht). Mijëra njerëz në mbarë botën morën pjesë në përgatitjen e projektit «Ligji themelor», në mënyra të ndryshme dhe të fushave të ndryshme si: barinj të grigjës, ekspertë në të drejtën kanonike dhe shkencat teologjike. Kjo punë, e cila përbën bazën e reflektimit juridik dhe teologjik rreth doktrinës së Koncilit të Dytë të Vatikanit, është përfshirë në legjislacionin kanonik të tashëm. Deri më tani, ky material ishte bërë publik vetëm në një masë shumë të kufizuar dhe ishte thelbësore të paraqitej në një mënyrë të rregullt dhe sistematike, pasi hedh dritë mbi të gjithë legjislacionin e Kishës që është tashti në fuqi.

Libri ndjek hap pas hapi historinë e ndërlikuar dhe shumëplanëshe të hartimit të «Ligjit Themelor të Kishës» (LEF). Cilat ishin fazat kryesore të këtij udhëtimi të gjatë, që zgjati pothuajse njëzet vjet (1964-1981)?

Mund të flasim për tri periudha. Në periudhën fillestare, e cila filloi menjëherë pas Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe zgjati deri në vitin 1971, u përgatitën projektet e para të Ligjit dhe u prodhuan katër tekste të njëpasnjëshme. Një periudhë e dytë zgjati deri në vitin 1976. Gjatë kësaj periudhe u krye një konsultim shumë i gjerë i teksteve të hartuara, u përfshinë të gjithë ipeshkvijtë, Komisioni Teologjik Ndërkombëtar dhe ekspertë të shumtë. Arkivat tona ruajnë më shumë se 1,500 përgjigje – individuale ose kolektive – nga të gjitha organet e konsultuara. Gjatë kësaj periudhe, Ligjit iu dha një identitet dallues. Nuk kishte për qëllim të përmbante deklarata doktrinare ose të përcaktonte thelbin e Kishës në norma, por thjesht të ishte një udhëzues autoritar interpretues që do të nxiste unitetin në zbatimin e dy kodeve, atij latin dhe atij lindor, të cilët ishin në përgatitje e sipër. Në fund, në një fazë të tretë, sasia e madhe e materialit që u mor, u ripunua dhe më pas u përpunua derisa dokumenti përfundimtar iu paraqit Papës Gjon Pali II në dhjetor 1981. Natyrisht, gjatë tri fazave, mendimet dhe komentet mbi tekstet u shumëfishuan, duke prodhuar kështu një sasi të madhe materialesh dhe burimesh të tjera.

Pali VI dhe Gjon Pali II ndoqën nga afër të gjithë procesin e hartimit të «Ligjit Themelor të Kishës». Cili ishte kontributi i tyre specifik?

Dokumentet tregojnë se ishte Shën Pali VI ai që nisi punën për «Ligjin Themelor të Kishës», pas sugjerimit të kardinalit Döpfner dhe profesorit Klaus Mörsdorf të Shkollës të së Drejtës Kanonike të Mynihut. Pali VI informohej rregullisht për përparimin e punës, edhe ngaqë ishte diçka themelore për rishikimin e legjislacionit kanonik dhe lindor në përgjithësi. Më pas, Shën Gjon Pali II deshi të vazhdonte projektin e paraardhësit të tij, brenda kontekstit të rishikimit të përgjithshëm të rendit kanonik.

Çfarë peshe pati Koncili i Dytë i Vatikanit dhe Sinodi i Ipeshkvijve në vendimin për hartimin e Ligjit Themelor?

Vendimi për përpunimin e «Ligjit Themelor» u bazua te mundësia për të harmonizuar dy kodet me një legjislacion të përbashkët si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin. Një legjislacion i përbashkët do të shërbente si bazë interpretuese për normat e secilit. Puna u bazua mbi dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, dhe rëndësia e gjithë kësaj është e dukshme, pasi ky ishte reflektimi i parë juridik mbi tekstet e asamblesë së Koncilit. Më pas, dy sinodet e ipeshkvijve, ai i vitit 1967 dhe 1971, dy etapa kyçe në zhvillimin e Ligjit, patën mundësinë të reflektonin dhe t'i jepnin mbështetje dashamirëse nismës për hartimin e këtij legjislacioni.

Pas dy dekadash pune, «Ligji Themelor i Kishës» (LEF) nuk u botua. Libri na përcjell disa hipoteza se pse u mor ky vendim. Cilat janë këto hipoteza?

Edhe pse në të nëntë skemat e hartimit të tekstit, u identifikua objektivi qendror i Ligjit – i cili ishte, unë këmbëngul në këtë pikë, të pajtonte dy legjislacionet latine dhe lindore – me kalimin e viteve, tema të ndryshme reflektimi erdhën nga anë të ndryshme, pikërisht sepse ishte një punë e kryer me një metodë shkencore dhe për këtë arsye vazhdimisht e angazhuar me të gjitha pikëpamjet, madje edhe ato kontradiktore. Në të vërtetë, dolën edhe mendime të kundërta në lidhje me ndikimin negativ që një ligj i tillë mund të kishte në fushën ekumenike, ose të tjerë që e panë botimin e këtij «Ligji Themelor» si një mënyrë për të kënaqur kushtetutshmërinë shekullare. Krejt në fund pastaj, Shën Gjon Pali II vendosi të përfshijë në të dy Kodet pjesë të mëdha tekstesh të «Ligjit Themelor» që në atë kohë nuk ishin parashikuar si përmbajtje në Kod. Këto përfshijnë, për shembull, pjesët që lidhen me të drejtat themelore të besimtarëve, rolin dhe funksionin e Papës së Romës dhe Kolegjit të Ipeshkvijve, e kështu me radhë. Kanune të tjera të «Ligjit Themelor» nuk u përfshinë në Kode sepse ato ishin trajtuar mjaftueshëm tashmë në të dy Kodet në një mënyrë të përputhshme. Megjithatë, çështjet e mbetura të të dy Kodeve u përpiluan në harmoni me reflektimin e përgjithshëm mbi tekstet përkatëse të Ligjit Themelor.

Pavarësisht se nuk u botua, pra, e gjithë puna që çoi në zhvillimin e «Ligjit Themelor» nuk qe e kotë, siç shpresonte Gjon Pali II në vitin 1981. A mund të themi, pra, se mënyra si u zhvillua «Ligji Themelor» krijoi një «metodë» të vërtetë në fushën legjislative?

Në të vërtetë, ky është pikërisht qëllimi i këtij botimi: të gjitha ata që janë të interesuar për një reflektim kishtar serioz, vërtet sinodal e që ka të bëjë me të gjithë legjislacionin kanonik, ta kenë të lehtë ta konsultojnë. Ishte pikërisht gjatë punës së Komisionit përgjegjës për hartimin e Ligjit Themelor – një Komision i madh dhe padyshim pluralist, i përbërë nga ekspertë nga organe të ndryshme kishtare dhe shkolla mendimi edhe më të larmishme – që u poqën kryesisht institucionet mbi të cilat bazohen tani si Kodet Latine ashtu edhe ato Lindore. Aty u gjet një mënyrë për të sjellë harmoni të përgjithshme në strukturën sakramentale të Kishës, ravijëzuar nga Koncili i Dytë i Vatikanit.

03 janar 2026, 12:42