Kërko

Kardinali Dominique Joseph Mathieu Kardinali Dominique Joseph Mathieu

Kard. Dominique J. Mathieu: T’i japim mundësi paqes së vërtetë

Në pragun e Ditës Botërore të Paqes, të cilën Kisha Katolike e kremtoi më 1 janar të çdo viti, publikojmë disa reflektime nga Kryeipeshkvi-Kardinal i Teheran-Isfahanit kard. Mathieu mbi urgjencën për ta thirrur paqen si dhuratë nga Zoti e për të rigjetur shtigjet e bashkëjetesës e të pajtimit, në një botë të pushtuar përsëri nga retorika luftënxitëse dhe e zhytur në rërën lëvizëse të garës së riarmatimeve.

R.SH. Vatikan

Shtimi i retorikës luftënxitëse dhe gara e armatimeve, në emër të një kërkimi të supozuar për paqe, po i shqetësojnë thellësisht ndërgjegjet. Në një botë të akuzuar për gjenocid, etnocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe shkelje të vazhdueshme ose frikësim të institucioneve ndërkombëtare të ngarkuara me ruajtjen e drejtësisë dhe të paqes ndërmjet kombeve dhe tundimi për të sunduar me forcë, duket se mbizotërojnë mbi drejtësinë dhe të mirën e përbashkët. A duhet atëherë të përfundojmë me mendimin se konflikti dhe lufta janë gjendje natyrore e njerëzimit? Apo jemi të thirrur të rizbulojmë thirrjen paqësore të gdhendur në zemër të krijimit? Përballë logjikës së një fuqie hegjemonike globale unipolare dhe emocionale dhe përfaqësuesve të saj rajonalë, që kërkojnë rikolonizim me forcë - në vend të dialogut, shumë kombe dëshirojnë një multipolaritet të vërtetë, të bazuar në respektin e anasjelltë dhe sovranitetin e popujve.

Burra e gra me vullnet të mirë në të gjithë botën dëshirojnë jo vetëm mungesën e luftës, por edhe ndërtimin e paqes së vërtetë dhe të qëndrueshme, të rrënjosur në drejtësi, në vërtetësi e në mëshirë. Paqja e imponuar nga frika ose shtrëngimi, nuk është paqe e vërtetë, por falsifikim, i bazuar mbi padrejtësinë, që lind mosbesim e përçarje. Ndërsa paqja e vërtetë ndërtohet përmes dialogut dhe respektit për sovranitetin e palëve të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në frymën e fqinjësisë së mirë.

Paqja kërkon bashkim të vërtetë, të bazuar në kërkim të së vërtetës përmes dialogut - fjalë që i lejojnë kundërshtarët të takohen - dhe përfshin një proces shndërrimi përmes veprave të faljes dhe angazhimit për drejtësi sociale. Paqja e vërtetë, deklaroi Papa Leoni XIV gjatë Jubileut të përshpirtërisë mariane, "nuk është frenim, por vëllazërim; nuk është ultimatum, por dialog. Nuk do të vijë si fryt i fitores mbi armikun, por si rezultat i farëve të drejtësisë dhe faljes guximtare". Feja e krishterë na kujton se vetë Krishti, përballë dhunës, refuzoi të përgjigjej me forcë: "Fute shpatën tënde përsëri në mill" (Mt 26,52).

Paqja e Tij nuk është as e brishtë, as e shkurtër, por e amshuar dhe e frytshme, sepse vjen nga Zoti. Të fuqishmit e botës ndonjëherë i ndërtojnë perandoritë e tyre mbi pasurinë dhe frikën. Megjithatë, siç e denoncoi profeti Osea: "Ata mbollën erën" (Osea 8,7). Duke u mbështetur në pasurinë e tyre dhe ndihmën e kombeve pagane, bënë traktate të pamatura me Asirinë në vend që t'i besonin Zotit (shih Osea 8,9). Ata harrojnë se çdo paqe e qëndrueshme nuk bazohet tek armët, por tek besimi në Zotin.

Paqja lind nga një zemër e përvujtë, që e zgjedh shërbimin mbi sundimin. Jezusi nuk e mohon realitetin e dhunës që e rrethon; e pranon, por nuk përgjigjet me forcë. Na kujton se do të përballemi me kundërshtime, madje edhe në mesin tonë. Paqja e vërtetë që ai na e mëson nuk ka frikë nga akuzat, sepse qëndron në Shpirtin e Zotin brenda nesh. Nuk është paqja e përkohshme e shpallur nga profetët e rremë, por paqja që zgjat përgjithmonë e jetës, e sjellë nga Mesia. Krishti i bën thirrje çdo besimtari ta jetojë fenë e vet, duke hedhur poshtë dhunën dhe duke dashur në mënyrë aktive. Të bëhesh artizan i paqes dhe t'i japësh shans paqes së vërtetë, do të thotë t’i shndërrosh armët tona të brendshme - zemërimin, pakënaqësinë, frikën - në mjete paqeje e pajtimi, duke i bërë zemrat tona fusha mëshire, ku drejtësia dhe bamirësia përqafohen për të mirën e përbashkët.

Duke i lavdëruar veprimtarët e paqes, Papa Leoni XIV thotë: "Guxim, ecni përpara, ju që ndërtoni kushtet për të ardhmen e paqes, drejtësisë e faljes; jini të butë e të vendosur, mos u dorëzoni". Asnjë ideologji, asnjë arsye Shteti, asnjë fe nuk mund ta justifikojë  vrasjen ose urrejtjen. Dita Botërore e Paqes na gjetët të bashkuar në lutje dhe veprim, të vendosur për t'i bërë zemrat tona strehë vëllazërie, ku drejtësia dhe bamirësia përqafohen.

( nga Kardinali Dominique Joseph Mathieu, OFM Konv., agjencia Fides, 31/12/2025)

02 janar 2026, 15:29