Kërko

Kardinali Bo në Mianmar (Kardinali Charles Maung Bo i Mianmarit) Kardinali Bo në Mianmar (Kardinali Charles Maung Bo i Mianmarit)

Kardinali Bo: respekti dhe bashkëpunimi, rrugët e vetme të paqes

Në mesazhin e tij me rastin e Krishtlindjes, kryeipeshkvi i Yangonit thekson paradoksin e garës së armatimit të diktuar nga frika e luftës, kërkon së bashku me Papën Leoni XIV shfuqizimin e armatimeve dhe fton “të çarmatosim zemrat tona”.

R.SH. – Vatikan

“Megjithëse shpresa tronditet nga lufta, terrorizmi dhe pabarazia, paqja mbetet një nevojë e pamohueshme e njerëzimit”, kështu shprehet kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangonit në Mianmar, në mesazhin e tij të fundit të Krishtlindjes. Kardinali Bo thekson gjithashtu se në këtë periudhë kur njerëzit i urojnë njëri-tjetrit “paqja qoftë me ty”, ky urim i ka rrënjët në paqen e ofruar nga Jezusi Foshnje

Një paqe pa armë
“Paqja e Krishtit të Ngjallur është një paqe pa armë”, ka theksuar kardinali Bo duke reflektuar mbi konfliktin në vendin e tij dhe mbi luftërat që përfshijnë botën. Kryeipeshkvi i Yangonit ka kujtuar gjithashtu se në kohën e Tij, Jezusi solli një transformim politik dhe shoqëror pa dhunë, duke i nxitur të krishterët “ta dëshmojnë këtë udhë fisnike dhe duke i ftuar të gjithë të refuzojnë mizorinë”.

Rreziku i frikës
Megjithatë, ndërsa të gjithë e duan dhe e dëshirojnë paqen, kardinali Bo ka pohuar se në këtë botë me pasiguri në rritje, frika shtohet jo vetëm te individët, por edhe te kombet e tëra. “Paqja duket e largët. Njerëzit përgatiten për luftë në emër të paqes. Qeveritë akuzohen për dobësi nëse nuk i përgjigjen dhunës me dhunë”. Si pasojë, vëren ai, pothuajse të gjitha kombet vazhdojnë të grumbullojnë armë.

Sipas vlerësimeve të fundit – thuhet më tej në mesazh – vetëm në vitin 2024 shpenzimet ushtarake globale kanë arritur në 2.718 miliardë dollarë amerikanë, një zgjedhje që konsiderohet “e pashmangshme”. Mendohet gjithashtu se rrënjët e konflikteve lidhen me shkeljen e të drejtave, por në vend të kësaj mbizotërojnë frika dhe sundimi; si rrjedhojë, njerëzit – ka vërejtur kardinali Bo – jetojnë në një ankth të vazhdueshëm, të bindur se lufta mund të shpërthejë në çdo çast.

Alternativat ndaj armatimit
“Për sa kohë që frika do të mbizotërojë, armët do të vazhdojnë të shumohen. Sot, në vend që të grumbullojnë armë, kombet duhet të zgjedhin respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin si rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme”. Për këtë arsye, thekson kardinali Bo, Papa Leoni kërkon shfuqizimin e plotë të armëve: “Por ky apel shkon edhe më thellë: ne jemi të ftuar gjithashtu të çarmatosim armët në zemrat tona”. Duke nënvizuar se paqja “duhet së pari të zërë rrënjë në zemrat tona”, kardinali Bo u ka kujtuar besimtarëve se “edhe feja ka një rol vendimtar në ndërtimin e paqes” dhe ka dënuar faktin se bota, konfliktet politike, ndarjet etnike dhe terrorizmi ndonjëherë e keqpërdorin vetë fenë.

Rrugë thelbësore drejt paqes

“Të gjithë ne kemi përgjegjësinë të parandalojmë keqpërdorimin e emrit të Zotit”, ka pohuar kardinali Bo; “lutja, praktika shpirtërore dhe dialogu ndërfetar” janë “rrugë fisnike dhe thelbësore drejt paqes”. Kryeipeshkvi i Yangonit ka theksuar më tej se çdo bashkësi fetare është e thirrur ta ndërtojë paqen përmes dialogut, drejtësisë dhe faljes, dhe “kurrë përmes urrejtjes”. “Paqja nuk duhet të shfaqet vetëm me fjalë, por dëshmohet me veprime”. “Urrejtja dhe dhuna”, ka vërejtur ai, “lindin nga dobësia njerëzore, por falja dhe mëshira janë forcat që rindërtojnë njerëzimin”. “Zoti i bekoftë të gjithë ata që luftojnë për paqen në Mianmar me çdo mjet të mundshëm”.

Thirrjet e Papës Leoni XIV për paqen dhe për Mianmarin

Me rastin e Ditës Botërore Misionare, Ati i Shenjtë Leoni XIV ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Mianmar dhe ka kërkuar paqe në atë vend dhe në të gjitha zonat e konfliktit në botë. Kisha ka kremtuar Ditën Botërore të Paqes më 1 janar 2026. Mesazhi i parë i Papës Leoni XIV për këtë rast është i përqendruar plotësisht në nevojën për një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse” në mbarë botën.

04 janar 2026, 13:14