Jeruzalem, ftesa e Atë Ielpo-s: "Të kthehemi si shtegtarë në Tokën e Shenjtë"
R.SH. - Vatikan
"Frika nuk mposhtet me fjalë, ajo mposhtet me dëshmi. Të shohësh që krishterimi nga e gjithë bota vjen në Tokën e Shenjtë për të vizituar vendet e shenjta, kjo gjeneron shpresë dhe përforcon arsyen për të ardhur këtu, jo për të parë një muze, por për të takuar një Kishë të gjallë". Këtë pohoi, pas mbylljes së Jubileut të Shpresës, Atë Francesco Ielpo, rojtar (kustod) i Tokës së Shenjtë, duke mirëpritur në selinë françeskane të qytetit të vjetër të Jeruzalemit një grup shtegtarësh të ardhur nga Roma dhe të udhëhequr nga Vepra Romake e Shtegtimeve (Opera Romana Pellegrinaggi). Gati tridhjetë persona, mes të cilëve priftërinj, përgjegjës dioqezanë dhe komunikues mediash, mbërritën në qytetin e shenjtë për të treguar se si kanë ndryshuar shtegtimet pas 7 tetorit 2023 dhe se sa e nevojshme është, tani më shumë se kurrë, të vizitohet toka e Jezusit.
Të ndalohet eksodi i të krishterëve
"Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar këtë tokë dhe këta popuj?": kjo është pyetja që gjatë këtyre muajve i është drejtuar më shpesh Atë Ielpo-s. Përgjigjja e parë, pas lutjes, pohon rojtari i Tokës së Shenjtë, është ajo "të kthehemi si shtegtarë të kësaj toke". Shtegtimi, në fakt, "është një nga burimet kryesore të mbështetjes ekonomike, kryesisht, por jo vetëm, të komunitetit të krishterë vendas (rreth pesëdhjetë mijë njerëz në Izrael dhe Palestinë, prej të cilëve rreth gjashtë mijë në Jeruzalem)". Rreziku konkret, pa këto të ardhura, është zbrazja progresive e Tokës së Shenjtë. "Jemi dëshmitarë të një fluksi migrator të familjeve të tëra, jo vetëm të krishtera, por edhe hebraike", nënvizon më tej Atë Ielpo. Shtegtimi, përveç kësaj, mund të jetë një burim shprese dhe të prodhojë iniciativa pozitive.
Sinjale të ndrojtura rimëkëmbjeje
Shtegtarët sjellin shpresë, rithekson Atë Ielpo, dhe në përfundim të Jubileut kjo do të thotë "mbi të gjitha të vish e të shohësh se, pavarësisht gjithçkaje, nuk jemi braktisur". "Ka pasur gjithmonë një Kishë që është kujtuar për ne, në mënyra dhe forma të ndryshme", pohon rojtari Tokës së Shenjtë. "Shtegtarë të shpresës do të thotë se ekziston gjithmonë një pikë nga e cila mund të rinisemi. Edhe në këtë errësirë". Disa sinjale të ndrojtura rimëkëmbjeje janë parë që këtë dhjetor. 100% e hoteleve në Betlehem ishin plot gjatë ditëve të Krishtlindjes dhe mbetën rreth nivelit 70% deri ditët e fundit. Përveç kësaj, autoritetet izraelite kanë akorduar 25 mijë leje 40-ditore për palestinezët që të vizitojnë Izraelin, dhe për shumë prej tyre kjo ishte hera e parë në Jeruzalem.
Nuk e pranojmë rritjen e antisemitizmit
"Pas 7 tetorit 2023", megjithatë, "asgjë nuk është si më parë, nuk mund të imagjinojmë një kthim si më parë; nuk do të ketë dhe as nuk do të ishte korrekte të ishte kështu. Kjo tokë ka ndryshuar, dhe kjo do të ndryshojë edhe shtegtimet dhe llojin e shtegtarit që vjen", pohon Atë Francesco Ielpo. "Kush vjen, vjen me shumë pyetje dhe i motivuar nga një ndjenjë feje". Në këtë kuptim, edhe ata që shoqërojnë grupet do të duhet të jenë të aftë ta ndihmojnë shtegtarin "të mos mbajë anë", që nuk do të thotë neutralitet, "por të mos polarizohet në një mënyrë që nuk krijon besim mes popujve, duke rritur distancën mes tyre. Një gjë është të denoncohesh nga një padrejtësi, një gjë tjetër është të barazosh një popullsi të tërë me padrejtësinë".
"Nuk mund të pranojmë që antisemitizmi të rritet për shkak të zgjedhjeve politike", pohoi rojtari i Tokës së Shenjtë, duke treguar se si, një ditë pas atentatit të Hamasit, shumë nxënës myslimanë të shkollës multireligjioze të këndimit të Rojtarisë së Tokës së Shenjtë refuzuan të shkonin në mësim te mësuesi hebre. "Unë nuk jam qeveria e këtij kombi, dua vetëm të ndërtoj korin më të mirë të Jeruzalemit", u tha atyre pedagogu pas një periudhe të gjatë ndërmjetësimi që mundësoi vazhdimin e kurseve.
Të dallojmë filizat e së mirës dhe të së ardhmes
Shembuj si këta janë në themel të asaj se si duhet të jenë shtegtimet nga ky moment e tutje: më të përqendruara në ndihmën ndaj besimtarëve e shtegtarëve për të dalluar filizat e së mirës dhe të së ardhmes që janë tashmë të pranishëm në Tokën e Shenjtë. "Më parë bëheshin shtegtime të tëra pa e takuar fare komunitetin e krishterë vendas. Ndoshta tani mund të shihet diçka më pak e të takohet dikush më shumë, jo vetëm duke vizituar vendet e shenjta, por duke i ftuar ata të njohin ato realitete që që sot i afrojnë njerëzit mes tyre".