Kërko

Imzot Lovey gjatë Meshës në kujtim të viktimave të zjarrit në Crans-Montana (ANSA) Imzot Lovey gjatë Meshës në kujtim të viktimave të zjarrit në Crans-Montana (ANSA)

Ipeshkvi i Sionit: Kisha pranë familjeve të viktimave të Crans-Montana

Imzot Lovey komenton orët pas zjarrit që ndodhi natën e 1 janarit dhe që shkaktoi mbi 40 të vdekur dhe qindra të plagosur. “Kisha është e thirrur të bashkëndajë dhimbjen dhe të jetë e pranishme: familjet duhet të besojnë se drita është e mundur”.

R.SH. – Vatikan

«Përballë një drame që ka tronditur thellësisht komunitetin lokal, Kisha është e thirrur para së gjithash për një prani të heshtur dhe të përbashkët». Kështu shprehet Jean-Marie Lovey, ipeshkvi i Sionit, duke komentuar për mediat vatikanase orët pas tragjedisë që ndodhi natën e 1 janarit në Crans-Montana, në Zvicër, e cila deri tani ka shkaktuar më shumë se 40 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Mbrëmë u kremtua një Meshë për shpirtin e viktimave në Kishën e komunës zvicerane nga vetë ipeshkvi, në praninë e mbi 400 personave, të cilët, në përfundim të kremtimit, u drejtuan më pas në vendin e zjarrit për të vendosur lule në shenjë nderimi e përkujtimit të viktimave. Imzot Lovey ndalet veçanërisht te fakti se «Kisha ishte e mbushur plot», shenjë e një përgjigjeje baritore të lindur nga nevoja e përhapur e komunitetit «për t’u mbledhur, për t’u takuar, për të jetuar së bashku», sepse «vetmia, sidomos në momente si këto, është tepër e rëndë për t’u përballuar». Një prani që, shpjegon ai, përkon me vetë zemrën e fesë: «Të jesh me atë që është vetëm, të ngushëllosh atë që ndodhet në vetmi, të sigurosh një prani: ky është vetë qenësia e Hyjit».

“Në fillim të këtij viti të ri, do të doja të përcillja një mesazh shprese që qëndron në zemër të misionit dhe mesazhit të krishterë, përtej dramës. Dhe Zoti e di sa e tmerrshme është ajo. Përtej këtyre reve të errëta e të zeza, përtej zjarrit të këtij lokali dhe asaj që ai përfaqëson si barrë në jetën e familjeve, do të doja të thoja se një dritë është e mundur.

Mesazhi i krishterë, mesazhi i Krishtlindjes, mesazhi i Dlftimit të Zotit që do ta kremtojmë pas dy ditësh, është pikërisht ky: mbi tokën e errësirës dhe mbi ata që jetonin në hijen e vuajtjes dhe të dhimbjes, një dritë shkëlqen. Zoti mund të hyjë në zemrën e atyre që janë goditur. Ai e ka bërë këtë përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit. E ka bërë sipas vetë natyrës së Tij: duke u bërë një me më të voglin, me më të varfrin dhe me atë që vuan. Do të doja që familjet të mund të besonin se drita është e mundur”.

02 janar 2026, 17:08