Kërko

Epifania në Betlehem, Atë Ielpo: të rifillojmë “nga një rrugë tjetër” si Dijetarët e Lindjes

U kremtua sot paradite ga Kujdestari i Tokës së Shenjtë Mesha për solemnitetin e Epifanisë, në famullinë e Shën Katerinës ngjitur me Bazilikën e Lindjes, në Betlehem. Atë Ielpo: “Të kremtosh këtë festë këtu, në Betlehem, do të thotë të lejosh veten të preket nga vetë zemra e misterit që sot Kisha sodit: shfaqja e Krishtit si dritë për të gjithë popujt”.

R.SH. – Vatikan

“Këtu, në Betlehem, përballë vendit ku drita ka zgjedhur të bëhet e vogël, kërkojmë hirin e Zotit të bëhemi edhe ne burra e gra të ndriçuar, të aftë të sjellim dritë në zgjedhjet tona, në marrëdhënie, në plagët e historisë. Si Dijetarët, le të mësojmë të lëmë veten të udhëhiqemi, të ndalemi në adhurim dhe të rifillojmë nga një rrugë tjetër: ajo që lind nga takimi me Zotin”. Kujdestari i Tokës së Shenjtë, Atë Françesko Ielpo, e deshi këtë lutje për mbarë Kishën e Tokës së Shenjtë, në solemnitetin e Epifanisë së Zotit, kremtuar sot paradite në famullinë latine të Shën Katerinës, ngjitur me Bazilikën e Lindjes në Betlehem.

Krishti, dritë për të gjithë popujt

“Të kremtosh Epifaninë këtu, në Betlehem, – tha Atë Ielpo – do të thotë të lejosh veten të prekesh nga vetë zemra e misterit që sot Kisha sodit: shfaqja e Krishtit si dritë për të gjithë popujt. Leximet biblike të këtij solemniteti (Is 60, 1-6;Ef 3, 2-3. 5-6;Mt 2, 1-12) paraqesin dy tema të kundërta që ndërthuren vazhdimisht: dritën dhe errësirën, mikpritjen dhe refuzimin, gëzimin dhe frikën. Është drama e madhe e historisë njerëzore, që edhe sot kalon para syve tanë”. Kujdestari i Tokës së Shenjtë Atë Ielpo analizoi më pas Ungjillin e ditës nga Mateu (Mt 2, 1-12), ku dalin në pah dy qytete: Betlehemi, qyteti i Davidit, vendi i premtimit që përmbushet; dhe Jerusalemi, qyteti i Herodit, i shënuar nga shqetësimi dhe frika për të humbur pushtetin. “Kërkimit të dhunshëm të Herodit i kundërvihet kërkimi plot besim i Dijetarëve – shpjegoi Aë Ielpoi – mbi natën mbivendoset drita e yllit; pyetjes shqetësuese: ‘Ku është mbreti i Judenjve?’ i pason gëzimi i thjeshtë i atyre që ‘panë Fëmijën me Marinë, nënën e tij’. Dhe në fund, Dijetarët e Lindjes kthehen ‘nga një rrugë tjetër’: rruga e re e atij që ka takuar Zotin dhe nuk mund të ecë më si më parë”.

Errësira nuk ka fjalën e fundit

Sipas Atë Ielpos, pra, Epifania (Dëftimi i Zotit) e bën të qartë se historia përshkohet nga një zgjedhje: “Nuk ekziston neutralitet përballë Krishtit: ose pranohet, ose refuzohet. Mateu ungjilltar na tregon se si refuzimi, i përfaqësuar nga Herodi, rritet gradualisht deri sa bëhet agresiv dhe i përgjakshëm”. Errësira, shpesh, duket si elementi më i dukshëm i historisë. Megjithatë, “aerrësira nuk ka fjalën e fundit”. Ajo që ndryshon fatin e njeriut është gjithmonë ajo dritë, simbol i Krishtlindjes dhe i Epifanisë së Zotit, “një dritë që nuk zotërohet, nuk kapet, nuk pushtohen e megjithatë na mbështjell, na ndriçon, na jep jetë”, sqaroi Kujdestari i Tokës së Shenjtë. Ylli i Dijetarëve, po ashtu, është një shenjë që duhet kuptuar me sytë e fesë: “Një shenjë e ndritshme për t’u ndjekur që të arrihet te drita e Krishtit. Një dritë që nuk verbëron, por shëron; që nuk sundon, por shoqëron; që i përshtatet edhe syve të lodhur e të plagosur të njeriut”.

Një profeci që përmbushet

Atë Ielpo citoi më pas Shën Augustinin, i cili kujtonte se Krishtlindja bie në dimër, kur dielli është më i dobët, pikërisht për të treguar butësinë e dritës së Krishtit ndaj brishtësisë sonë njerëzore. Një butësi që arrin në të njëjtën mënyrë popujt më të ndryshëm të tokës. Këtë e kujtoi me emocion të thellë vetë Kujdestari i Tokës së Shenjtë gjatë Meshës së festës së Dëftimit të Zotit: “Sot, ndërsa shikoja fytyrën e secilit prej jush, kuptova se profecia që dëgjuam në leximin e parë dhe që e kënduam në psalmin përgjigjor këtu në Betlehem, në Kishën e Shën Katerinës, përmbushet sa herë që kremtojmë Epifaninë”, u tha Atë Ielpo besimtarëve, i ndihmuar nga përkthimi i njëkohshëm i Atë Rafaël Tajemit, famullitar i Betlehemit.
“Do të vijnë të të adhurojnë të gjithë popujt” – tha Atë Ielpo duke cituar Shkrimin e Shenjtë – “ne që jemi këtu sot përfaqësojmë të gjithë popujt e Tokës dhe kjo është prekëse. Jemi të gjithë të ndryshëm, por ajo që na bashkon të gjithëve është fakti se kemi ardhur këtu për të adhuruar Jezusin Fëmijë. Kjo është mrekullia e krishterimit”.

Krishtlindja e Kishave ortodokse

Ndërsa në Kishën latine të Shën Katerinës kremtohej solemniteti i Epifanisë së Zotit, sheshi përpara saj, rrugët e Betlehemit dhe Bazilika e Lindjes u mbushën me besimtarë. Më 7 janar, në fakt, Kisha greko-ortodokse dhe Kishat tjera që ndjekin kalendarin Julian kremtojnë Krishtlindjen. Edhe një herë, pra, qyteti i lindjes së Shpëtimtarit Jezus u kthye në festë dhe në lutje, që drita e Jezusit Foshnje të mund të arrijë vërtet tek të gjithë njerëzit.

 

06 janar 2026, 17:59