Ekumenizmi, temë e simpoziumit të parë të Kishave në Bari, Itali
R.Sh. Vatikan
Më 23 dhe 24 janar në Bari do të zhvillohet simpoziumin i parë i Kishave të Krishtera në Itali. Njëqind delegatë nga besime të ndryshme – katolike, anglikane, ungjillore, ortodokse dhe protestante – do të mblidhen për të pikasur rrugët që do të ndiqen gjatë dy viteve të ardhshme, si brenda vendit ashtu edhe në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella kudo, në shërbim të së mirës së përbashkët dhe lidhjes më të fortë të shoqërisë.
Klimë vëllazërore
«Në një frymë vëllazërie», lexohet në deklaratën e bërë nga Konferenca e ipeshkvijve italianë, «udhëheqësit dhe delegatët e Kishave të Krishtera do të reflektojnë mbi temën e rrugës italiane të dialogut, duke e parë ekumenizmin si gramatikë paqeje, si dhuratë për të gjithë, si ushqim të përshpirtërisë dhe si urti kur përballemi me dallimet që na karaterizojnë.»
Dialogu është rrugë drejt paqes
Imzot Derio Olivero, ipeshkëv i Pinerolos dhe president i Komisionit ipeshkvnor për ekumenizëm dhe dialog, shpjegoi në lidhje me këtë ngjarje se «koha jonë, e plagosur nga konfliktet dhe dhuna e pareshtur, kërkon një angazhim të ripërtërirë të krishterëve për të krijuar një kulturë paqeje. Kësaj përgjegjësie nuk mund t'i shmangemi: ne duam të japim një kontribut të rëndësishëm, pa lënë mënjanë identitetin tonë, por duke zhvilluar plotësisht çdo aspekt të mundshëm të tij». Profesori Daniele Garrone, kryetar i Lidhjes së Kishave Ungjillore në Itali, theksoi se takimi përfaqëson «një zhvillim të ri të rëndësishëm në udhëtimin që kemi ndërmarrë gjatë tre viteve të fundit». Po ashtu, Dionisio Papavasileiou, peshkop i Kotyeonn-it, vuri në dukje se: «Kisha Ortodokse synon të kontribuojë për kohezionin shoqëror, për dialogun e përgjegjshëm dhe promovimin e dinjitetit njerëzor» në një kontekst të mbushur me «sfida shoqërore, kulturore dhe shpirtërore». Simpoziumi i Barit, shtoi ai, «përfaqëson një mundësi të rëndësishme për takim dhe reflektim të përbashkët.»
Angazhimi i bashkësive vendore
Takimi i Barit do të ketë sesione të hapura për të gjithë, duke përfshirë bashkësitë vendore dhe këdo që është i interesuar për këtë temë. Ceremonia e hapjes me përshëndetjen zyrtare dhe çeljen e punimeve, do të mbahet më 23 janar në orën 18:00 në kishën e Shën Marisë së Ngjitur në Qiell dhe Shën Sabinit. Më pas, do të vijohet në orën 21:00 në Bazilikën e Shën Kollit, me një koncert-meditim të organizuar nga fondacioni «Frammenti di Luce». Më 24 janar, nga ora 8.15 deri në 8.45, çdo besim do të lutet sipas traditës së vet te: Qendra Baritore Ortodokse Rumune e Trinisë së Shenjtë; Kisha e Krishterë Ungjillore Pagëzuese dhe famullia e Shën Ferdinandit. Simpoziumi do të përfundojë në orën 17:00 në Katedralen e Barit. Po ashtu, edhe kremtimi kombëtar ekumenik i Fjalës së Hyjit do të zhvillohet në orën 18:30 në këtë Bazilikë.