Bashkësia e Taizé-së: takimi i ardhshëm i të rinjve, në Poloni
R.SH. / Vatikan
Takimi i ardhshëm rinor i Bashkësisë së Taizé-së do të zhvillohet nga 28 dhjetori 2026 deri më 1 janar 2027, në Łódź të Polonisë. Vëllai Matthew, Prior i Taizé-së, e dha lajmin, gjatë shërbesës të lutjes së mbrëmësores në takimin e bashkësisë, që u mbajt në Paris, nga 28 dhjetori 2025 deri më 1 janar 2026.
Një vendtakim simbolik
Një deklaratë nga Bashkësia e Taizé-së kujton se takimi i parë në Poloni (Wrocław, 1989-1990) përkon me rënien e Perdes së Hekurt. Ky takim i ardhshëm evropian, i gjashti në Poloni, është ftesë për të vazhduar ndërtimin e paqes brenda nesh e në botë. Siç këshillon Vëllai Matthew në letrën e tij të vitit 2026, "mund të habitemi kur të zbulojmë përmes të tjerëve, diçka që nuk do ta kishim gjetur vetë".
Dëshira për paqe
Ndërkohë, Takimi i 48-të Evropian i Taizé-së në Paris vazhdon duke bashkuar 15,000 të rinj nga Evropa e nga e gjithë bota, përfshirë afërsisht 1,000 ukrainas të cilët - thekson bashkësia - "përmes pjesëmarrjes shprehin dëshirën për paqe dhe vëllazëri në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta". Të rinjtë u mirëpritën në familje ose në famulli. Është planifikuar një vigjilje për mbrëmjen e 31 dhjetorit, e ndjekur nga "Festivali i Kombeve". Më 1 janar, dreka e fundit do të mbahet në famulli ose me familjen pritëse, para lamtumirës, që do të përfundojë me përshëndetjen "shihemi së shpejti".
Ndërtuesit e pajtimit
Të rinjve, mbledhur nga bashkësia e Taizé-së, ditët e fundit Papa Leoni XIV u drejtoi një mesazh nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin.
Ftesa e Leonit XIV:
“Të jeni shtegtarë të fesë, ndërtues të paqes dhe të pajtimit, të aftë për t’u sjellë shpresë të përvuajtur dhe të gëzueshme atyre që ju rrethojnë".
Mesazhe të tjera erdhën edhe nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Tekstet të kujtojnë titullin dhe kuptimin e letrës së vitit 2026 shkruar nga Vëllai Matthew: "Çfarë kërkoni?", që Krishti ua drejtoi dishepujve të parë, botuar në Gjoni 1:38.