Kërko

Ara Coeli, në Kodrën e Kapitolit, kisha ku Roma takon qiellin

Ara Coeli qëndron në pikën më të lartë të kodrave më të vogla romake, ku Roma e lashtë vendoste hapësirën e saj më të shenjtë. Nuk është as vendndodhje e rastësishme, as thjeshtë vend panoramik: është vendi i harkut, i marrëdhënies së drejtpërdrejtë me qiellin, i leximit të shenjave..

R.SH. / Vatikan

Ky vend kulti lindi dhe u rrit nga tensioni vertikal, i cili ende sot strukturon përvojën e ndërtesës. Edhe para se të shkelë në këmbën e parë të shkallës, dikush dëshiron të ngjitet. Duke ardhur nga poshtë, nga trafiku i vazhdueshëm që rrethon zonën e Kodrës së Kapitolit, shkallët e bazilikës Ara Coeli imponohen si prag i papritur. Ato nuk të ftojnë, por përkundrazi të detyrojnë të ngadalësosh. Hap pas hapi, zhurma e qytetit zbehet, ritmi ndryshon, shikimi ngrihet. Bazilika nuk shfaqet menjëherë: ajo lejon që të arrihet, ndërsa zërat urbanë ia lënë vendin heshtjes.

Një vështrim i shpejtë i Bazilikës, ndërmjet Altarit të Atdheut dhe Palazzo dei Conservatori

Në Mesjetë, çdo lëvizje udhëhiqej nga drita. Ata që i afroheshin Romës ndiqnin shkëlqimin e mozaikëve që mbulonin majën e Bazilikës: një sipërfaqe e artë, e dukshme nga larg, e aftë të drejtonte hapat e nxituar nga besimi. Sot, ato mozaikë janë zhdukur, por përvoja mbetet. Ngjitja në Ara Coeli vazhdon ta transformojë hapësirën ​​në qytet në një udhëtim të brendshëm, duke përgatitur hyrjen aty ku arkitektura nuk e ndan qiellin nga toka, por i lidh qiell e dhé.

Shkallët: historia urbane dhe kujtesa kolektive

Shkallët mesjetare, që të çojnë në bazilikë, janë një nga elementet më të forta identifikuese të Ara Coelit. Të ndërtuara menjëherë pas murtajës së viteve 1347–1348 si një ex voto, përbëhen nga 124 këmbë, punuar me materiale të ricikluara nga zona e Kodrës së Kapitolit. U krijuan gjatë një kohe vuajtjesh të mëdha për qytetin, ku ndjehej mungesa e Papës dhe një krizë e thellë sociale. Siç shpjegon Massimo De Angelis, arkitekt dhe studiues i Ara Coelit, autor i librit “I Francescani a Roma nel Medioevo” (Aracee editrice), "zona ku ndodhen shkallët, ishte më e shenjta në Romën e lashtë, sepse këtu ndodhej harku i Kapitolit. Ngjitja e këtyre shkallëve, pra, do të thotë të kalosh një hapësirë ​​që për shekuj me radhë ishte zemra simbolike e qytetit. Në shekullin e katërmbëdhjetë, shkallët morën një rol vendimtar në planifikimin urban. De Angelis thekson se "ishte shumë e rëndësishme në planifikimin urban të Romës së shekullit të katërmbëdhjetë sepse përmbysi qendrën urbane të qytetit": Ara Coeli u bë sfond për një rrugë të re nga Vatikani në Lateran, duke kaluar nëpër Kodrën e Kapitolit e duke ripërcaktuar marrëdhënien ndërmjet pushtetit fetar, qytetar dhe hapësirës urbane.

Shkallët për në Ara Coeli
Shkallët për në Ara Coeli

Shkallët për në Ara Coeli

Pranë hyrjes monumentale, Bazilika ruan gjithashtu hyrje anësore që ndjekin topografinë e lashtë të kodrës. Njëra prej tyre shikonte nga azili, i cili në Mesjetë u bë vendi i tregut dhe i administrimit të drejtësisë civile:  shenjë e një kishe të lidhur me jetën publike të Romës. Hyrja në bazilikë në anën e Piazza del Campidoglio, korrespondon me trupin origjinal të Kishës Benediktine "Altari i Qiellit".

Emri Ara Coeli i paraprin Bazilikës dhe të kujton kohët më të lashta. Këtu ishte auguraculum, hapësira nga e cila vreheshin shenjat qiellore që  tërhiqnin fatin e qytetit. Tradita mesjetare, e mbledhur në Mirabilia Urbis Romae, të kujton legjendën e famshme të vizionit të Perandorit August në këtë vend: një grua me një Fëmijë të ulur mbi altar, e shoqëruar nga fjalët Haec est ara filii Dei"ky është altari i Birit të Zotit".

Paganizmi dhe Krishterimi nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin: ata e shikojnë njëri-tjetrin. E kjo nuk është mbivendosje e thjeshtë devotshmërie. Siç vëren De Angelis, kjo legjendë shpreh "lidhjen e kishës si trashëgimtare e traditës së madhe romake", dorëzim simbolik ndërmjet botës së lashtë dhe Krishterimit. Nën Tempullin e Shën Helenës, altar Cosmatesk i shekullit të 12-të, ruhet ky kujtim: figura e Augustit dhe dialogu i Virgjërës Mari dhe i Fëmijës, në nivelin që shënonte planimetrinë e kishës më të vjetër benediktine.   

Fondacioni Françeskan (shekulli i 13-të) a Bazilika aktuale, u themelua rreth viteve 1248–1250, kur françeskanët u transferuan nga Trastevere.

Foshnja Shenjte
Foshnja Shenjte

Foshnja Shenjte: zëri i traditës së gjallë

Lidhja më e thellë emocionale e Bazilikës përqendrohej te Krishti Fëmijë i Ara Coelit. Ishte vepra që, më shumë se çdo tjetër në Romë, mbijetoi gjatë shekujve pa humbur intimitetin: një Foshnjë e veshur si mbret, i vogël dhe solemn, i butë dhe autoritar. Pamje e njohur: për romakët, ishte "er Pupo", prani e dashur, e kërkuar dhe e thirrur. Që nga shekulli i 15-të, Fëmija ishte zemra emocionale e bazilikës, veçanërisht gjatë kohës së Krishtlindjes.

Siç kujton Atë Massimo Cocci, rregulltar dhe rektor i Bazilikës, "në vitin 1450, një frat nga Jerusalemi skaliti figurën e Fëmijës së Shenjtë posaçërisht për skenën e lindjes së Bazilikës", asokohe kuria e përgjithshme e Fretërve të Vegjël.

Atë Cocci thekson se "që nga fillimi, bazilika u bë cak i preferuar për shtegtime e lutje. Figura, që nderohet sot, saktëson ai, "nuk është më origjinali", që u grabit më 1 shkurt 1994, "por që shpresojmë se do të kthehet", ndërsa Karabinierët për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore vijojnë ta kërkojnë Krishtin Fëmijë,  i cili sigurisht dëshiron të rikthehet në shtëpi.

07 janar 2026, 14:59